Saraçini: Katari i interesuar për investim në energjetikë, bujqësi dhe turizëm

Delegacioni nga Katari në mars vjen në Republikën e Maqedonisë me çka pritet që në mënyrë formale të konkretizohen disa projekte të caktuara. Kjo u dakordua në takimin e sotëm të presidentit Gjorgje Ivanov dhe ministrit të ekonomisë, Valon Saraçini, me drejtorin e përgjithshëm të “Grupacionit Katar”, i cili merret me hotelieri.

“Grupacioni Katar” ka më shumë se 55 hotele në Katar dhe 20 në shtete të tjera. Është dakorduar që delegacioni i lartë i Katarit ta vizitojë Republikën e Maqedonisë në javën e parë të muajit mars, me çka do të konkretizohen projektet e ardhshme, të cilat planifikojnë t’i realizojnë në shtetin tonë”, deklaroi sot në Dohë, ministri Saraçini.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ekonomik midis Republikës së Maqedonisë dhe të shtetit të Katarit, i cili, siç tha Saraçini, merr edhe kornizë juridike me nënshkrimin e shumë marrëveshjeve në sferën e ekonomisë edhe gjatë vizitës së sotme të presidentit Gjorgje Ivanov në shumë institucione dhe organizata joqeveritare, u bisedua për projekte konkrete.

“Në takim me përfaqësuesit e ‘Fondacionit Katar’ u dakordua që universitetet tona t’i fillojnë bisedimet intensive për partneritet me këtë fondacion”, theksoi ministri Saraçini.

Në takim me drejtorin e përgjithshëm të “Qatar Airways”, lajmëroi raportuesi i MIA-s, u potencua se deri në fund të vitit planifikojnë të hapin edhe linjë të drejtpërdrejtë çarter midis Dohas dhe Shkupit.

“Nga ana e tyre u theksua se po planifikojnë të na ofrojnë që Doha të jetë qendër transite e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë të cilët udhëtojnë në lindjen e largët”, deklaroi Saraçini.
Ministri i Ekonomisë theksoi se në takimin të cilin e kishte presidenti Ivanov dhe delegacioni i Maqedonisë me kryeministrin e Katarit, ishte dhënë një sinjal i qartë nga ana e tij deri te të gjithë ministrat në Qeverinë e Katarit se deri në fund të këtij viti, në Maqedoni duhet të realizohen projekte konkrete në pjesën e energjetikës, bujqësisë dhe turizmit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button