Egjipt, qeveria drejt rrëzimit?

Shefi i forcave të armatosura të Egjiptit paralajmëroi për mundësinë e rrëzimit të qeverisë, nëse kriza politike nuk do të zgjidhet menjëherë. 

Gjenerali Abdul Fattah al-Sisi, në një koment të postuar në faqen e ushtrisë në “Facebook”, paralajmëroi se një kolaps i tillë do të kërcënonte të ardhmen e brezave të ardhshëm.

Komentet e kryekomandatit erdhën pasi njësi të mëdha ushtarake u zhvendosën në tre qytete të Kanalit të Suezit, ku gjendja e emergjencës është deklaruar.

Më shumë se 50 persona janë vrarë në manifestimet e dhunshme të ditëve të fundit, në Port Said, Ismailia dhe Suez, ku mbrëmjen e së hënës u shpërfill nga mijëra protestues gjendja e shtetrrethimit dhe ndalimi i qarkullimit në orët e vona të natës,

Aktualisht, mijëra banorë të këtyre qyteteve protestojnë ndaj dënimit me vdekje të 30 bashkëqytetarëve të tyre, të përfshirë në një zënkë masive në një stadium futbolli, incident që i kushtoi jetën 72 personave në përleshjet e ndodhura gjatë një ndeshje kampionati një vit më parë.

Këto përleshje pasojnë protestat e dhunshme dhe fatale për dhjetëra egjiptianë, të fundit të vitit 2012, të lidhura me miratimin e një kushtetute konfliktuale, e cila zgjeroi pushtetin e presidentit dhe të drejtat për shumicën muslimane të vendit.

Ndërkohë, përleshje janë regjistruar edhe në kryeqytet, me policinë që u detyrua të shpërndante me gaz lotsjellës një turmë të rinjsh të grumbulluar në qendër të Kajros./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button