Rusi, shkarkohet presidenti i Dagestanit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shkarkoi nga detyra guvernatorin e rajonit të trazuar të Dagestanit, ku një kryengritje separatiste e militantëve islamikë është në zhvillim. 

Magomedsalam Magomedov u emërua president i kësaj republike në vitin 2010, por është treguar i paaftë të vendosë nën kontroll lëvizjen e konsideruar si terroriste nga Moska, Uashingtoni dhe Bashkimi Europian.

Në bazë të vendimit të Putin, ish-guvernatori zhvendoset në një punë zyre në Kremlin, ndërsa Ramzan Abdulatipov, një deputet i partisë në pushtet të “Rusisë së Bashkuar”, merr vendin e presidentit të Dagestanit.

Atentatet politike, sulmet me bombë dhe shkëmbimet e zjarrit janë ngjarje të zakonshme në Dagestanin e sotëm, i cili ka zëvendësuar Çeçeninë si krahinën më problematike ruse.

Militantë fondamentalistë, në zonën me shumicë muslimane, kanë deklaruar se dëshirojnë të shndërrojnë Dagestanin në një kalifat islamik, i cili do të përfshijë të gjithë Kaukazin e Veriut.

Megjithatë, sipas analistëve, grupimet kriminale të lidhura ngushtë me aktivitete të paligjshme të mafias ruse, janë përgjegjëse për një pjesë të mirë të trazirave në këtë zonë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button