Mbytje nga numrat

“Mbytje nga numrat” (Drowning by Numbers) është film i bërë në vitin 1988 nga regjisori i famshëm britanik Peter Greenaway (Piter Grinuej). Në atë film një ekspert i gjyqit hulumton rreth tri vrasjeve ku tre heroina mbysin burrat e tyre – në lumë, në basen, në vaskë. Gjatë tregimit regjisorit i ndihmon një vogëlushe, numëruese shorti, e cila kërcen përmes kërcyeses dhe vendos rregullin e numrave: nga një gjer në njëqind. Ndjekja e këtij filmi, disi, konsiston në ndjekjen e numrave dhe perceptimin e asaj se sa rrezik mund të vijë nga ato numra.

Kështu disi është edhe me çështjen e mospërfaqësimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Për ta kuptuar këtë çështje neve na duhet të ndjekim numrat që vazhdimisht publikohen, në anketa dhe analiza të ndryshme, e që tregojnë shkallën e inkuadrimit aq të vogël politik, të shqiptarëve të këtushëm; qoftë edhe vetëm në formë të votimit. E fundit nga këto publikime ishte analiza e OBRIE (Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane) ku cekej se “Nga analiza e trupit votues shqiptarë del se ekziston zhgënjim i madh tek partitë politike dhe se vetëm mbi 30 për qind e elektoratit votues dalin në zgjedhje. Bëhet fjalë kryesisht për grupe të interesit që janë të lidhura ngushtë me partitë politike”, thekson OBRIE, në analizën e përgatitur nga ajo, për institucione ndërkombëtare.

Mu si në filmin e lartpërmendur ndjekja e numrave është e domosdoshme për ta kuptuar tërësisht zhvillimin e ndodhive në Maqedoni. Por, edhe për të kuptuar rreziqet që vijnë nga ato numra dhe nga mosleximi i tyre me kohë. Rreziqe këto edhe për shqiptarët por edhe për Maqedoninë në tërësi. 

Rreziku nga varfërimi i përfaqësimit politik për shqiptarët mund të jetë se kështu mund të dështojë përpjekja shumë vjeçare e shqiptarëve për të qenë pjesë konstituive efektive e Maqedonisë. Kjo pasi nëse vazhdohet me trendet aktuale; ku shqiptarët e angazhuar politikisht kanë prioritet vetëm komunat dhe qytetet e tyre, nuk përzihen në çështjet politike me rëndësi mbarëkombëtare për gjithë Maqedoninë; siç janë siguria, politika e jashtme, çështja e emrit, buxheti i shtetit dhe ligjet, atëherë shqiptarët nuk do jenë në mundësi që të kenë hisen politike në proporcion me rëndësinë e prezencës së tyre. As për vetë shqiptarët si pjesë e kombit shqiptar por as për Maqedoninë. Vend ky i cili pa shqiptarët nuk mund të arsyetojë qenien e vet si shtet në këtë rajon dhe me këto fqinjë përreth. 

Rreziku nga kjo për Maqedoninë vjen edhe nga ajo se numrat dhe përqindjet e mëdha të shqiptarëve të papërfaqësuar politikisht i shtohen numrit të madh dhe në rritje të qytetarëve, të cilët viteve të fundit zgjedhin që të pajisen me shtetësi bullgare. Këto shtresa të popullatës, njashtu si shqiptarët, janë të papërfaqësuara dhe të pa inkuadruara politikisht. 

Krejt këto numra dhe përqindje shtojnë jazin e legjitimitetit nga qytetarët për cilëndo qeveri në këtë shtet. Me kësi greminë në legjitimitet, qeveritë mund edhe të jenë legale, por ata vijnë e shkojnë e asgjë nga proceset që do forconin shtetin ligjor në Maqedoni nuk mund të kryhen pasi nuk kanë pas vete përkrahjen e, së paku, shumicës së thjeshtë të qytetarëve. 

Në Maqedoni numrat e saktë gjatë kohë nuk do dihen pasi si në filmin e Grinuej, ku vdes edhe vogëlushja numëruese, ashtu këtu vjet nuk u mbajt censusi i popullatës dhe as që ka paralajmërim se do mbahet sivjet në 2013. Por ato shfaqen, si në filmin, herë pas here dhe aty-këtu, për të na kujtuar se si vazhdon mbytja politike në këtë vend.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button