RMV, Nëse mësuesi nuk mund ta notojë nxënësin onljan duhet të organizojë takim individual

Këtë vit shkollor, gjatë formimit të notave për nxënësit, do të ndiqen udhëzimet e vendosura nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit. Në rastet kur për arsye të ndryshme nuk do të jetë e mundur të formohet një notë për ndonjë nxënës onlajn, mësuesi do të duhet të organizojë takime individuale, informoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke shtuar se notat e para përmbledhëse për secilin nxënës duhet të kryhen deri më 20 nëntor, njofton Portalb.mk.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit u bëjnë thirrje mësuesve të rregullojnë vlerësimin e nxënësve sipas mësimit në distancë, gjithashtu duke vendosur udhëzime të qarta në lidhje me rezultatet e pritura të mësimit dhe mënyrën si të monitorojnë, kontrollojnë dhe vlerësojnë arritjet e nxënësve në këtë periudhë.

“Në kuadër formimit të notës, duhet të jepen detyra autentike që eliminojnë mundësinë e përgjigjeve të gatshme nga materialet mësimore ose nga burime të tjera të informacionit, ndërsa në detyrat që kontrollojnë njohuritë dhe kuptimin e fakteve, duhet të sigurohet kontrolli i kohës për zgjidhjen e detyrave “, shpjeguan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Për më tepër, mësuesi mund të bëjë një tabelë të provave / produkteve që nxënësi do të dërgojë si pjesë e portofolit elektronik për tu vlerësuar. Kriteret e vlerësimit, mënyra dhe afatet e dërgimit duhet t’u komunikohen qartë nxënësve dhe prindërve.

Të mësuarit në klasë virtuale është sfiduese në disa aspekte, por në të njëjtën kohë është një mundësi për të hedhur një hap përpara në vlerësim – t’u vendoset theks proceseve më komplekse konjitive, gjegjësisht të veçuarit, kuptuarit, analizuarit dhe të mbajturit mend atë që është me të vërtetë e rëndësishme, në vend të njohurive faktike. “Ky është në fakt qëllimi i arsimit dhe reformave që do të pasojnë,” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, mësimin këtë vit e filluan me një muaj vonesë. Zilen e parë, vetëm një pjesë e nxënësve e dëgjuan në hapësirat e shkollave, për arsye të pandemisë KOVID-19, për shkak të së cilës një pjesë tjetër e nxënësve mesimin e ndjekin përmes  Platformës Kombëtare për mësim nga distance.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button