Tensione mes Fetait dhe Raufit në seancën e “Monstrës”, mbrojtja vlerëson se ekspertët e MPB-së e kanë falsifikuar analizën e dheut

Edhe në seancën e sotme të rastit “Monstra” ishte lëndë diskutimi nëse dheu i gjetur në automjet “Opel Omega” me të cilin sipas aktakuzës kanë udhëtuar të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, përputhet me dheun e vendimit të krimit, raporton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë një ekspertizë dhe ka konstatuar se dheu në Opel Omega është i njëjtë me atë në Liqenin e Smillkovës, megjithatë mbrojtja mohon një gjë të tillë pasi që sipas saj në Maqedoni nuk ekziston laborator i certifikuar për ekspertizë të dheut, e as ekspertë që mund ta konstatojnë një gjë të tillë. Veç kësaj, mbrojtja akuzon inspektorët e MPB-së për falsifikim të ekspertizës së dheut, për të cilën kanë paralajmëruar padi penale përkatëse.

Në seancën e sotme, dëshmoi ekspertja e forenzikës së MPB-së e cila ka bërë analizë të dheut nëpërmjet mikroskopit skenues elektronik, instrument i cili, sipas ekspertes ka mundësi të bëjë zmadhime të mëdha. Këtë instrument dinë ta përdorin vetëm dy persona në MPB. Kjo analizë është dashur të jetë pjesë e ekspertizës që e ka bërë ekspertja tjetër e MPB-së, Snezhana Nikollovska, por e njëjta nuk është vendosur.

Fatime Fetai
Fatime Fetai

Disa herë gjatë seancës, u ngritën tensionet mes avokatit Naser Raufi dhe prokurores Fatime Fetai, të cilët duke bërtitur në sallë akuzonin njëri tjetrin se nuk po e respektojnë procedurën dhe po sillen në mënyrë teatrale e rruge. Gjykatësi disa herë u detyrua t’i paralajmëronte palët për mbajtje të qetësisë në sallë, pasi në të kundërtën do t’i gjobisë. Në një moment, Raufi kërkoi nga Këshilli Gjykues dhe përjashtimin e prokurores Fetai, por më pas e tërhoqi të njëjtën.

Ekspertja konfirmoi se nuk ka bërë ekspertizë, ashtu siç evidentohet në procedurë, por ka bërë analizë të dheut. Ajo nuk e ka marrë dheun prej vendit të ngjarjes, por ia kanë dhënë për të analizuar dy mostrat e marra prej Vrazhivirit – ku është gjetur automjet “Opel Omega” dhe prej Smillkovës – ku është kryer vrasje.

“Ka dallim prej analizës dhe ekspertizës, kjo e fundit është diçka më e madhe”, tha Antiq.

Naser RaufiSipas avokatit të mbrojtjes Naser Raufi, analiza e tillë nuk mund të llogaritet si provë.

“Sipas meje ekspertiza ka vlerë të provës, pra prej ekspertit. Analiza nuk mund të ketë vlerë të tillë, pra nuk është provë. Ne faktikisht nuk e dimë edhe cilin dhe e ka analizuar dhe kjo është shumë me rëndësi”, thotë Raufi.

Sipas tij, kjo analizë fare nuk është bërë dhe për këtë kanë kërkuar dokumentin origjinal dhe për këtë dëshmon edhe fakti që ekspertiza për dheun është bërë më 13 prill gati, ndërkaq analiza e dheut është bërë më 20 prill.

Megjithatë, prokurorja Fatime Fetai mohon se kjo analizë është e falsifikuar, ajo thotë se, dëshmia e ekspertes së sotme erdhi pasi që ekspertja Nikollovska nuk e kishte futur këtë analizë në ekspertizën që konstaton se dheu i automjetit “Opel Omega” përputhet me dheun e Liqenit të Smillkovës.

“Pikërisht për këtë arsye, sot dëshmon edhe eksperti Vesna Antiq, e cila sqaroi që është kryer analizë shtesë me anë të mikroskopit skenues, me të cilën analizë është vërtetuar ajo që ekspertja Snezhana Nikollovska me anë të metodave të tjera e ka konstatuar. Pra nuk kemi të bëjmë me ekspertizë të rrejshme dhe të pavërtetë siç pretendon mbrojtja”, tha Fetai.

Ekspertja Antiq, sot i ngatërroi datat e kohës kur është bërë analiza e dheut në mikroskopin skenues elektronik. Gjatë tërë kohës thoshte se analiza është kryer më 14 prill, dhe në atë datë tha se e kishte të evidentuar edhe në defterin joformal të saj, megjithatë pasi mbrojtja i mori fotografitë e analizës së dheut, pa që e njëjta ishte bërë më 20 prill.

Ekspertja tha se ka bërë lëshim dhe i janë ngatërruar datat.

“Vetë data tregon se analiza është bërë pas ekspertizës së Snezhana Nikollovskës. Kjo tregon se bëhet fjalë për edhe një falsifikim. Për këtë jemi të obliguar që të dorëzojmë dy padi penale, dhe jo vetëm një siç paralajmëruam”, deklaroi Raufi.

Kur ekspertja e ka marrë dheun për ta analizuar me mikroskopin skenues elektronik, nuk ka shkruar se cili dhe prej cilit vend është marrë. Për analizën e kryer nuk ka bërë asnjë raport, nuk ka nënshkruar asnjë dokument, pasi që siç tha, nuk i është kërkuar diçka e tillë. Në pyetjen e avokatit Raufi se si të besojmë që këto copëza të dheut janë prej vendeve Vrazhivir dhe Smillkovë, ekspertja tha se “duhet të na besoni”, nuk di ndryshe si ta shpjegojë.

Paraprakisht dëshmi dha një dëshmitar i cili ka doli nga bisedat e përgjuara, i cili dëgjohet duket pyetur nëse diçka di se çfarë ka ndodhur në Liqenin e Smillkovës. Në pyetjen e mbrojtjes ai tha se ka biseduar me një bashkëpartiak dhe nuk di asgjë shtesë për këtë rast. Dëshmitari i njëjtë ishte ftuar më herët nga Prokuroria Speciale, por ashtu siç tha Fetai, për shkak se nuk ka asgjë që mund të na ndihmojë nuk e ka propozuar si dëshmitar.

Gjykimi është nga fundi, prokurorja Fetai, tha se beson që për një seancë ose dy do t’i kemi fjalët përfundimtare.

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button