RMV, mbi 34% e ministrave dhe zëvendësve vijnë nga mësimdhënia, BE: Arsimi nën influencën e politikës dhe korrupsionit

“Sistemi edukativ në Maqedoninë e Veriut është i prekur nga ndikimi politik dhe korrupsioni” thuhet në kapitullin e 26 të raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Në RMV disa nga ministrat dhe zëvendësministrat janë emëruar në poste shtetërore duke qenë pjesë e procesit arsimor në vend, disa prej tyre vazhdojnë njëkohësisht si mësimdhënës ndërkaq të tjerët kanë ngrirë angazhimin e tyre akademik. Anti-Korrupsioni pohoi se vlerësimi i KE-së është me vend dhe se në vend ekziston korrupsioni si dhe ndikimi politik në arsim. Rekomandohet të rishikohet Ligji për Arsimin e Lartë në mënyrë që të depolitizohet sistemi arsimor që, siç kërkojnë studentët, të lirohen nga korrupsioni dhe shantazhet nga ana e profesorëve dhe udhëheqësve të universiteteve, shkruan Portalb.mk.

Çfarë thotë raporti i Komisionit Evropian për Arsimin në Maqedoninë e Veriut?

Edhe pse në Raportin e Komisionit Evropian theksohen disa përparime në fushën e arsimit në vend, në këtë raport theksohen edhe shumë probleme me të cilat haset sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut.

Në paragrafin e dytë të këtij kapitulli në mes të tjerash shkruhet kështu:

“Sistemi edukativ në Maqedoninë e Veriut është i prekur nga ndikimi politik dhe korrupsioni”.

Raport progresi i Komisionit Evropian për këtë vit do të publikohet më 10 tetor
Raport progresi i Komisionit Evropian për këtë vit do të publikohet më 10 tetor

“Shteti është mesatarisht i përgatitur në fushën e arsimit. Ka pasur progres me miratimin e Ligjit të ri për Arsim Fillor dhe Ligjin e ri për Mësimdhënësit në shkollat fillore dhe të mesme dhe me reformat në Aftësimin profesional. Futja e masave gjithëpërfshirëse të Strategjisë Edukative 2018-2025 ka progres të ngadalshëm. Rekomandimit e raportit të vitit 2019 janë adresuar vetëm pjesërisht andaj, qëndrojnë ende valide” thuhet në mes të tjerash në raportin e Komisionit Evropian për RMV-në.

Nga Komisioni Evropian bëjnë thirrje kompetentëve të Arsimit në vend që gjatë vitit të ardhshëm të plotësoje këto 3 kushte në arsim.

  • Implementimi i Strategjisë së re për edukim, ku target do të jenë parashkollorët.
  • Rritja e përkrahjes për trajnime dhe forma tjera të zhvillimit profesional të mësimdhënësve.
  • Përmirësimi i përfshirjes në edukim kualitativ për të gjithë, sidomos në atë parashkollorë, të përfshihen edhe fëmijët me nevoja të veçanta dhe romët.

Gjashtë prej gjithsej 16 ministrave në vend, në ekzekutiv janë emëruar duke qenë paraprakisht mësimdhënës në ndonjë nga universitetet e Maqedonisë së Veriut, disa prej tyre angazhimin akademik e kanë vendosur në pauzë.

Pas kontaktit me to dhe analizës të CV-ve apo biografive (të publikuara në ueb faqen zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut) të të gjithë anëtarëve të ekzekutivit, respektivisht ministrave dhe zëvendësministrave, rezultoi që:

Nga gjithsej 16 ministra, 6 prej tyre apo (37.5%) në këtë post kanë arritur duke qenë mësimdhënës në Universitete të ndryshme në territorin e Maqedonisë së Veriut, edhe atë:

Zëvendëskryeministri Artan Grubi është i angazhuar pa pagesë si profesor i gazetarisë në Universitetin e Tetovës.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri është profesor në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë ndërkaq ende nuk është i sigurt se a do të vazhdoje me ligjëratat.

Ministri i financave, Fatmir Besimi ishte profesor në Universitetin e Evropës Juglindore dhe aktualisht e ka vendosur angazhimin e tij akademik në pauzë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ishte docent në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski ishte arsimtar në një shkollë të mesme në Manastir.

Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska ishte profesoreshë në Institutin Nacional në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Gjithashtu, nga gjithsej 16 zëvendësministra rezultoi që 5 prej tyre në këtë post kanë arritur nga mësimdhënia, disa prej tyre angazhimin akademik e kanë vendosur në pauzë.

Zëvendësministri në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Hasani, vazhdon të jetë asistent në Fakultetin e Mjekësisë.

Zëvendësministri në Ministrinë e Drejtësisë, Agim Nuhiu, është i angazhuar si profesor pa pagesë në Universitetin e Tetovës.

Zëvendësministrja në Ministrinë për Punë të Jashtme, Fatmire Isaki, është profesoreshë pa pagesë në Universitetin e Tetovës.

Zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Dimitar Kovaçevski ishte profesor në një Universitet privat.

Zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani, ishte profesor në Universitetin e Evropës Juglindor.

Portalb.mk përgatiti infografik për këtë:

Ligji nuk e ndalon, megjithatë sa mund të jenë të distancuar nga politika?

Nga Universiteti i Tetovës na informuan se të gjithë ministrat dhe zëvendës ministrat të cilët janë aktualisht edhe mësimdhënës në këtë universitet, punën e tyre e bëjnë pa pagesë, kështu duke u thirrur në nenin 174, paragrafi 8 i Ligjit për Arsimin e Lartë.

“Ministrat dhe zëvendës ministrat për shkak të vazhdimësisë profesionale mund të ushtrojnë profesionin e profesorit  në bazë të kontratës së lidhur për punë jashtë orarit të punës dhe pa pagesë, por jo edhe si veprimtari të rregullt dhe me pagesë.”

Për këtë, dy vite më herët në Tetovë u organizuan protesta studentore ku në mes të tjerash kërkohej edhe de-politizimi i Universiteteve si dhe dënimi i të gjitha formave të korrupsionit, sidomos në Arsimin e Lartë.

Një prej organizatorëve të protestave studentore ishte Ardiana Dauti, ajo për Portalb.mk thotë se studentët vazhdojnë të përballen me probleme nga më të ndryshmet, një prej tyre edhe politizimi i skajshëm i Universiteteve, që sipas saj, këta profesorë partiak nuk punojnë duke respektuar parimin e meritokracisë dhe kjo ndikon shumë në kualitetin e arsimit.

Protesta studentore, Tetovë
Protesta studentore, Tetovë

“Arsimi duhet të jetë prioriteti kryesor në vendin tonë. Në Maqedoninë e Veriut ka Universitete ku korrupsioni bëhet në forma të ndryshme. Kemi shumë akademik me plagjiatura, ka krim dhe korrupsion. Me vite me radhë si studente jam dëshmitare e formave të ndryshme të korrupsionit, ka profesorë që kërkojnë para në këmbim të notës, favore seksuale në këmbim të notës si dhe gjëra tjera materiale, një prej tyre është edhe kushtëzimi me blerjen e librit me çmime jashtëzakonisht të shtrenjta. Korrupsionin nuk e denoncojmë sepse nuk janë të besueshme institucionet për ne, studentët vetëm ndëshkohen kur denoncojnë, të gjithë e dimë si zgjidhen prokurorët e gjykatësit. Në Universitetet tona ka shumë të punësuar që janë militantë partiak, profesorët të cilët janë njëkohësisht edhe pjesë e institucioneve nuk i vlerësojnë studentët në bazë të parimit të meritokracisë, ka intervenime gjithmonë nga shefat e partive” theksoi Ardiana Dautiu, studente dhe organizatore e protestave studentore në Tetovë.

Çfarë duhet bërë?

Nuri Bajrami nga Komisioni për Antikorrupsion tha se është me vend konstatimi i raportit të Komisionit Evropian për RMV-në në lidhje me ndikimin e politikës dhe korrupsionit në arsim, ai shtoi se deri te komisioni i tyre kanë arritur shumë denoncime për ndikim politik, nepotizëm, klientelizëm dhe kronizëm gjatë punësimeve në sistemin arsimor në të gjitha nivelet.

Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit
Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit

“Është me vend konstatimi në Raportin e KE “Sistemi edukativ është nën influencën e korrupsionit dhe politikës”

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) që nga 8 shkurti 2019 është ballafaquar që në fillim me shumë paraqitje apo denoncime nga persona fizikë, juridikë e anonimë,  për ndikim politik, nepotizëm, klientelizëm dhe kronizëm gjatë punësimeve si dhe zgjedhjes dhe emërimeve të personave udhëheqës e përgjegjës në sektorin publik, që përfshin edhe sistemin arsimor dhe edukativ në të gjitha nivelet.

Ekziston një problem shumëvjeçar i punësimit të një pjese të arsimtarëve në shkollat fillore dhe të mesme në kohë të caktuar, pa shpallje publike deri në tre muaj dhe me shpallje publike për pjesën tjetër të vitit shkollor, që paraqet pasiguri, presion, varshmëri dhe ambient të volitshëm dhe potencial për ndikim politik dhe sjellje korruptive.

Kryesisht bartësit e funksioneve publike nuk i përfillin obligimet ligjore gjatë vendosjes për punë në të cilat ata ose persona të afërm të tyre kanë interes privat, të cilin janë të detyruar ta paraqesin dhe të përjashtohen gjatë realizimit të procedurave të tilla të cilat paraqesin ose gjenerojnë konflikt të interesave e që janë mundësi potenciale për korrupsion.

KSHPK gjatë punës se deritashme ka ngritur shumë procedura për përgjegjësi në rast të mos përjashtimit gjatë procedurave të vendosjes dhe mosparaqitjes së interesat privat. Veprimi sipas kërkesave dhe iniciativave të KSHPK nuk kënaq. Dobësitë dhe shkeljet e tilla janë notuar në Strategjinë e hartuar nacionale për pengimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave dhe Raportin e rregullt vjetor për punën e KSHPK që i dorëzohet Kuvendit të RSM, që paraqesin bazë reale dhe akcionale për veprimin e KSHPK në vazhdimësi” tha Nuri Bajrami, anëtarë i Komisionit për Antikorrupsion.

Cilat janë pesë dobësitë e konstatuara nga Komisioni për Antikorrupsion të cilat paraqesin rrezik për veprime korruptive dhe konfilte potenciale të interesit?

  • Ndikime të theksuara dhe autorizime të parregulluara diskrecionale gjatë punësimve në arsim;
  • Kapacitete të pamjaftueshme kadrovike dhe profesionale të inspektoratit shtetëror për arsim;
  • Vetëdije e ulët e adresimit të dukurive korruptive në kuadër të institucioneve arsimore;
  • Mosekzistimi i rregullativës precize ligjore për shfrytëzimin e mjeteve ndihmëse didaktike mësimore;
  • Mungesa e procedurave të shkruara për furnizime publike, që kryesisht në sistemin arsimor realizohen jashtë Ligjit për furnizime publike;
  • Mungesa e akteve nënligjore për mënyrën e rregullimit të dhënies me qera të pronës së paluajtshme të institucioneve arsimore;
  • Kualitet dhe siguri e pamjaftueshme juridike në arsimin sipëror lidhur me akreditimin e institucioneve të larta arsimore, institucioneve shkencore dhe akreditimit të programeve studimore.

Publicisti Bardhyl Zaimi thotë se duhet të rishikohet ligji për arsimin e lartë dhe të formulohen kritere tjera për bartësit e funksioneve publike të cilët janë të angazhuar njëkohësisht si mësimdhënës. Ai shtoi se shteti jonë duhet urgjentisht të ju përshtatet modeleve evropiane sa i përket arsimit

Bardhyl Zaimi
Bardhyl Zaimi

“Gjjatë tërë periudhës së tranzicionit janë shfaqur anomali të shumta në arsimin sipēror, të cilat nuk kanë gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Pikërisht kēto anomali janë evidentuar tashmë edhe në raportin më të fundit të Komisionit Evropian që përbëjnë një fakt, por në të njëjtën kohë edhe një lloj alarmi dhe rekomandimi për ta çliruar mësimdhënien nga ndikimet politike dhe korrupsioni.

Mendoj se do të duhet që të rishikohet ligji për arsimin e lartë dhe të formulohen kritere tjera për bartësit e funksioneve publike të cilët janë të angazhuar si mësimdhënës. Pavarësisht nga etika që mund të tregohet, vetë fakti që një mësimdhënës bart një funksion publik e bën problematik angazhimin. Dhe gjithsesi depolitizimi i gjithë sistemit arsimor mbetet imperativ urgjentë. Duhet të kërkohen modelet evropianë për këtë çështje, në mënyrë që institucionet më të larta arsimore të mos jenë një lloj ” vendi rehabilitues” për funksionarët partiakë. Kjo nënkupton kritere thellësisht profesionale dhe zgjidhje ligjore për këtë problematikë që reflekton në ndikime politike. Mund të aderosh në një parti politike dhe kjo është legjitime, por kjo nuk duhet në asnjë rast të reflektohet në institucionin arsimor” tha Bardhyl Zaimi, njohës i arsimit në vend.

Sipas ish zëvendës ministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës Petar Atasanov, vetë përfshirja e profesorëve universitar në poste të rëndësishme shtetërore nuk bën problem, megjithatë, ai shtoi se do të ishte ideale në qoftë se të njëjtit gjatë kohës kur janë në poste shtetërorë do të ndërprisnin angazhimin e tyre akademik.

Petar Atanasov

“Në përgjithësi, përfshirja e profesorëve universitar në poste politike të rëndësishme nuk përbën problem. Në qoftë se janë ekspert të ndonjë fushe, për shembull të arsimit apo diçka tjetër, ende më mirë. Përderisa profesorët universitar janë shumë të ditshëm në ndonjë fushë, atëherë politikat dhe çështjet ligjore do të jenë më të mira dhe më kualitative.

Derisa profesorët e një fushe vendosen në poste të një gjëje krejtësisht tjetër, atëherë bëhet dëm i dyfishtë, edhe për fushën ku ai jep mësim, për shkak se politika kërkon angazhim të plore dhe nuk ka kohë për këtë, por edhe për institucionin ku dija e profesorit do të jetë e papërdorshme. Kjo do të thotë thjeshtë karrierë politike.

Megjithatë, mendoj se është mirë që përderisa janë në detyrë, profesorët të ngrinë pozicionet akademike. Të mos përzihen funksionet. Edhe pse ligji lejon këtë.

Problemi më i madh është kur një profesor universitar duhet të kryej “detyra partiake” apo ideologji, këtu fillon problemi më i madh.

Në qoftë se politika shfrytëzohet si diçka përmes së cilët do të mund të kyçet një person në një karijerë universitare, atëherë bëhet fjalë për keqpërdorim të pozicionit dhe fuqisë si dhe politikës për përfitime personale. Besoj se këtu ka qenë edhe vërejtja e raportit të Komisionit Evropian për ne.

Unë gjatë kohës kur isha i angazhuar politikisht i ndalova të gjitha aktivitetet universitare si dhe ligjëratat. Mirëpo, unë gjatë kohë më herët isha profesor i rregullt në UKIM. Politika kërkon angazhim të plotë dhe nuk ka kohë për të dyja” u shpreh Atanasov.

Ndryshe, me datë 6 tetor Komisioni Evropian publikoi raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut ku në mes të tjerash thuhet se vendi është mesatarisht i gatshëm për reforma në gjyqësor, administratën publike,  luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjitha këto fusha kyçe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button