Zaev shpreson që Bullgaria nuk do të pengojë integrimet e vendit në BE, intelektualët bullgarë kundër memorandumit të Sofjes

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nuk pret që Bullgaria të pengojë  fillimin e negociatave qasëse të vendit me Bashkimin Evropian. Ai shpreson se dy vendet do të gjejnë zgjidhje për çështjet e identitetit dhe gjuhës maqedonase, shkruan Portalb.mk.

“Edhe njëherë e them se çështjet e identitetit janë e drejtë e vetë përcaktimit. Bullgaria është vend evropian dhe besoj se do të gjendet zgjidhje për përkujtimin e përbashkët të Goce Dellçevit, në vet bisedimet, në vet dokumentet është për shkak përpjekjeve të tyre, ambicieve dhe dëshirat e arsyetuara. Assesi nuk pres të kemi pengesa në atë pjesë, për shkak se Bullgaria definitivisht është një ndër përkrahësit më të mëdhenj të Republikës së Maqedonisë së Veriut në integrimet në BE”, deklaroi Zaev.

Sipas një artikulli të botuar në Radion Evropa e Lirë, në komentet që Sofja ka dërguar në lidhje me draft kornizën negociuese me Shkupin dhe për vet draft kornizën, e cila është akoma në fazën e negociatave, Bullgaria kërkon që raportet e mira fqinjësore të trajtohen si çështje thelbësore, ndërsa gjuha maqedonase të mos jetë pjesë e kornizës. Bullgaria kërkon që kapitulli për raportet fqinjësore të përfshihet në grupin e parë në negociatat qasëse, ku bën pjesë edhe kapitulli për sundimin e së drejtës.

Nga ana tjetër, tridhjetë historian bullgarë, shkencëtarë, profesorë universitarë dhe persona publik, nëpërmjet një letër publike të titulluar “Evropa nuk na kupton”, janë shprehur kundër memorandumit që Sofja ua dërgoi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në të cilin janë vendosur pretendime serioze dhe linja të kuqe të integrimeve të vendit drejt BE-së.

Në këtë letër të intelektualëve bullgarë, për të cilën raporton „mediapool.bg“, ata këmbëngulin në “ndryshim fundamental të paradigmës në mendimin historik” dhe thonë se nuk pajtohen që “Maqedonia e Veriut të paraqitet vetëm si vend që nuk ballafaqohet me të kaluarën personale. Sipas tyre, Sofja demonstron perceptime të vjetruara dhe shpreh pretendime të paqëndrueshme dhe naive kundër Maqedonisë së Veriut.

Nënshkruesit e kësaj letre vlerësojnë se memorandumi nuk i reflekton arritjet e numrit të madh të historianëve bullgar në dekadat e fundit dhe është i pakuptueshëm edhe për Evropën.

Kujtojmë se, Sofja zyrtare ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve. Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë formuar një komision të përbashkët për zgjidhjen e kontesteve sa i përket çështjes së historisë, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete. Pas një pauze pothuajse një vjeçare. palët do të takohen sërish më 15 dhe 16 tetor, për një përpjekje të re për të zgjidhur kontestet historike mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button