Panariti: Shqiptarët në Preshevë nuk janë elementë terroristë

Ministria e Jashtme ka bërë të ditur detajet e takimit të ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Panariti me ambasadorët e SHBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës si dhe kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, lidhur me situatën e tensionuar në Luginën e Preshevës.

Siç bëhet me dije në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të MPJ, ministri Panariti, gjatë takimeve të veçanta me Ambasadorët i informoi ata lidhur mbi zhvillimet në Luginën e Preshevës, si dhe argumentoi reagimet përkatëse të autoriteteve shqiptare në lidhje me këto zhvillime.

Ai vuri në dukje se, qeveria shqiptare ka inkurajuar gjithmonë zgjidhjen e problemeve reale, që lidhen me të drejtat e popullsisë shqiptare në Jugun e Serbisë përmes dialogut.

“Këtë e kemi komunikua, si në drejtim të autoriteteve lokale shqiptare, ashtu edhe në drejtim të qeverisjes qendrore në Serbi”, tha Panariti.

Gjithashtu, ministri Panariti i vlerësoi si të papranueshme cilësimet nga autoritetet më të larta serbe, të popullsisë shqiptare si elementë terroristë, të cilat dëmtojnë drejtpërdrejt dialogun, mirëkuptimin dhe integrimin e plotë të pakicës shqiptare në jetën politike, ekonomike dhe sociale në Serbi.

Njëkohësisht, ministri Panariti, ka theksuar se, qeveria shqiptare vazhdon të ruajë konstanten e qëndrimit të saj konstruktiv në rajon, e në këtë kontekst mbetet e angazhuar për të zhvilluar marrëdhëniet me Republikën e Serbisë në interes të të dy popujve, sikurse ka pritshmërinë legjitime që kjo frymë të reciprokohet nga qeveria serbe. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button