“Destruktive” sipas Carovskës ishte bojkotimi i mësimit nga nxënësit dje në Tetovë

“Mënyrë destruktive për tejkalimin e krizës me virusin korona” kështu i cilësoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Tetovë kundër mësimit online. Nga ana tjetër, organizatorët e këtyre protestave paralajmërojnë se do të vazhdojnë me bojkotimin e mësimit, shkruan Portalb.mk.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, komentoi protestat e fundit të nxënësve të shkollave të mesme në Tetovë kundër mësimit online, sipas saj, kjo formë e protestave duke bojkotuar mësimin është destruktive dhe nuk i ndihmon situatës aktuale në vend.

Мinistrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.
Мinistrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.

“Paralajmërimi për bojkot ose shkelja e protokolleve në shkolla, është mënyrë destruktive për tejkalimin e krizës në shtetin tonë. Çdo njëri prej nesh është përgjegjës për shëndetin publik. Nëse dikush në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të vetëdijshme e rrezikon shëndetin e tjetrit, atëherë kemi shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës”

Tani prioritet është të kujdesemi për shëndetin e qytetarëve tanë. Nëse situata ndryshon për të mirë, atëherë askush nuk do të jetë kundër hapjes së shkollave”, tha Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Nga ana tjetër, një prej organizatorëve të protestës se djeshme në Tetovë ku kishte qindra pjesëmarrës, për Portalb.mk tha se aktualisht janë duke formuar Këshillin Protestues dhe pas kësaj do të vazhdojnë me protestat, duke paralajmëruar vazhdimin e bojkotimit të mësimit.

“Nuk do të ketë protesta sot për shkak se aktualisht jemi duke formuar një Këshill të protestave, pas kësaj nuk e kemi në plan të ndalemi deri sa të arrimë qëllimin tonë kryesor, që është fillimi i vitit shkollor me prezencë fizike, duke respektuar masat për mbrojtje nga virusi korona” tha Asmir Xhelili, nxënës në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviç”.

Përkundër  numrit të madh të protestuesve të cilët vendosën të bojkotojnë mësimin online dje, drejtorët e shkollave të mese të Tetovës thanë se nuk kanë hasur në probleme të tipit bojkot ndërkaq theksuan disa probleme teknike me Platformën Kombëtare për mbajtjen e mësimit nga distanca.

Ndryshe, në kuadër të Komunës së Tetovës, sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, në shkollë me prezencë fizike kanë filluar 3400 nxënës nga klasa e parë deri të tretën. Në përgjithësi, Komuna e Tetovës numëron 9.850 nxënës të shkollës fillore dhe 6300 të shkollës së mesme.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button