“Shpresa, guximi dhe përkushtimi”, tre armët e mjekëve të rinj në luftën me virusin korona

“Aftësia të cilën e fituam si mjek të rinj në luftë me virusin korona, ishte empatia, ideja se pacientët nuk kanë nevojë vetëm për trajtim por edhe shpresë” tha Rina Purrini, një prej mjekeve të intervistuara nga Portalb.mk. Ndërkaq për efektet që pandemia me kovid-19 i ka lënë te gjeneratat e mjekëve të rinj, biseduam edhe me mjekët Florent Zendeli dhe Blerina Mustafa, shkruan Portalb.mk.

Rina Purrini, një nga mjeket e reja nga Shkupi thotë se punën e saj pas studimeve e kishte paramenduar krejtësisht ndryshe, ndërsa me ardhjen e virusit korona thotë se kjo e fundit u bë kryeqendra e edukimit të punës të mjekëve të rinj.

Rina Purini, mjeke.
Rina Purini, mjeke.

“Pasi që kam mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup disa vite më parë, kam menduar që edukimi im si specializante do të ketë rutinën tradicionale të një mjeku të ri. Turnuse në reparte të ndryshme të klinikës, kujdestari të shpeshta, provime dhe e njëjta në vazhdimësi në periudhë prej 5 viteve. Mirëpo ndodhi një pandemi globale e cila u bë kryeqendra e edukimit dhe punës tonë si mjek.  Korona virusi po lë efekt masiv në gjeneratat e mjekëve të rinj. Kontakti me një virus të ri, me një mundësi transmisioni të madh ka shkaktuar periudhë frikë për të gjithë – për popullatën në përgjithësi dhe për punonjësit shëndetësor në veçanti. Puna si mjek gjatë periudhës së kësaj pandemie ka qenë mësim për të gjithë ne se si të menaxhojmë të panjohurën duke marrë parasysh se sa shume na rrethonin pyetje pa përgjigje. Çka do të ndodhë? Çfarë efekti do te ketë kjo mbi mua? A do të infektohem? A do të sëmuret familja ime dhe rrethi im? Gjithsesi, e gjithë kjo situatë ka shkaktuar që të gjithë mjekët e rinj me dedikimin dhe ambiciet e tyre të punojnë në formë të palodhshme për të luftuar këtë virus” tha Rina Purrini, mjeke.

Kurse roli i mjekëve të rinj në këtë “luftë” nuk ishte i qartë fillimisht, por sipas Purrinit, pikërisht specializantët e rinj ishin ata të cilët ishin edhe vazhdojnë të jenë në linjë të parë me pacientët e infektuar.

“Shumë mjek punojnë me orë të tëra në repartet e emergjencës dhe njësite e kujdesit intensiv duke mjekuar paciente të infektuar me koronavirus. Oraret e tyre janë të gjata dhe të paparashikueshme, distanca me familjen është e pashmangshme, nevoja për përdorim të materialeve mbrojtëse është gjithmonë në rritje dhe e gjithë kjo situatë shkakton stres dhe mundësi të madhe për “burnout”. Në fillim të pandemisë nuk dihej se çfarë roli do të kenë mjekët e rinj në menaxhimin e këtij virusi dhe komplikimeve të shkaktuara nga ai, por doli që këta janë pikërisht ata të cilët janë në front me pacientet e infektuar dhe realizojnë kontaktin e parë me ata. Duke punuar me këta pacientë në periudhë kur edhe vizita dhe përkrahja familjare është e limituar për shkak të izolimit, mjekët e rijnë kane zbuluar një aftësi e cila ka qenë e injoruar kohë të gjatë në edukimin e tyre, e ajo është empatia. Kjo pandemi na ka mësuar që përskaj aftësive tona profesionale duhet të dijmë të ofrojmë jo vetëm trajtim por edhe shpresë” tha Rina Purrini.

Purrini nuk dyshon se të fillosh profesionin e mjekut pikërisht në periudhë pandemie do të ketë ndikim në karrierën e saj, ajo thotë se “Të gjithë mjeket dhe mjekët e rinj kanë gravituar në mjekësi për shkak se besojnë në metodat shkencore dhe në faktin se me shkencë vjen deri të shërimi në botë. Përderisa un besoj dhe shpresoj që shkencëtare të ndritur do të gjejnë shërimin e pacientëve me COVID19 dhe vaksinën për të parandaluar atë, unë e di që lufta e deritanishme për të menaxhuar me këtë situatë krize na ka mësuar që e ardhmja të na pret si shërues më të zotit.

Florent Zendeli është gjithashtu një nga mjekët i cili fillimet e tija në këtë profesion “i ra hise” ti ketë në kohë pandemie,  ai thotë se përgjegjësia me të cilën është ngarkuar ka qenë shumë e madhe por jo e pamundshme.

Florent Zendeli, mjek.
Florent Zendeli, mjek.

“Për një periudhë relativisht të gjatë, nuk ka pasur pandemi të përmasave të këtilla, si kjo me KOVID-19. Dhe kur e gjithë kjo ndodh në hapat e parë të punës dhe formësimit profesional, të ngarkon me më shumë përgjegjësi, se sa pritshmëritë para fillimit me punë, por kjo gjithsesi nuk ka ndryshuar mënyrën se si unë̈ e shoh ketë profesion. Në fillimet e pandemisë ka qenë sfiduese mënyra e qasjes ndaj pacienteve, për shkak të mosnjohjes së mjaftueshme të virusit dhe të mungesës së udhëzimeve e protokolleve të qarta. Por në të njëjtën kohë na efshtë dhënë mundësia, pa çka se pa dëshirë, të fitojmë një përvojë të vyer në përballje me një sëmundje të re dhe me shumë të panjohura, si dhe menaxhimin e saj si në planin profesional edhe në atë emocional”” theksoi Florent Zendeli, mjek.

Si leksione kryesore të cilat ai si mjek i ri i ka marrë nga virusi korona, e veçon aspektin moral apo empatinë, ai thotë se “kthimi i shpresës te të gjithë me punën tonë të palodhshme, duhet të jenë imperativ jo vetëm yni por edhe i studentëve aktual të mjekësisë si dhe motiv për të gjithë të rinjtë të vendosin të studiojnë atë, përkundër mëdyshjeve të shfaqura nga situata e krijuar së fundmi”.

Për mjeken e re në moshë Blerina Mustafa sfida më e madhe ka qenë izolimi nga familjarët, për shkak të frikës nga infektimi i të njëjtëve, ajo nga kjo pandemi ka kuptuar faktin që profesioni të cilin e ushtron është diçka që nuk të lë të dorëzohesh.

“Gjate pandemisë me virusin korona u përballem me shume te panjohura dhe protokolle qe ndryshonin shume shpejt për menaxhimin e situatës, ku si mjek duhet te ishe gjithmonë shume fleksibel . Sfida me e madhe ka qenë izolimi nga familjarët, ku shumë prej nesh nuk i takonin për muaj me radhë, pasi çdo dite përballeshim me rrezikun e infektimit. Gjatë karantinës se pranverës ishim te vetmit qe punonim me intensivisht se asnjëherë, me orare te zgjatura, duke u përballur jo vetëm me njerëz te sëmure por edhe me nivelin e larte te ankthit nga ky virus i panjohur ne popullate. Aty e kuptuam qe profesioni jonë ishte një mision i domosdoshëm qe duhej çuar deri ne fund pavarësisht rrethanave” tha Blerina Mustafa, mjeke.

Blerina Mustafa, mjeke.
Blerina Mustafa, mjeke.

Blerina thotë se me ngjarjet e fundit ka ndryshuar ajo frymë apo imazhi negativ i cili ishte krijuar nga populli mjekëve, për shkak se pikërisht ka dalë në pah rëndësia dhe vlera e mjekëve.

Ndërsa për të rinjtë të cilët dëshirojnë të vazhdojnë studimet e tyre në fushën e mjekësisë, mjekja Blerina Mustafa i inkurajon ata ta bëjnë këtë për shkak se sipas saj kënaqësinë që të jep ky profesion, nuk mund të përshkruhet me fjalë.

“Të rinjve që  kane dëshire të studiojnë mjekësi, do i inkurajoja akoma me shume ne një situate si kjo, pavarësisht lodhjes dhe viteve te gjata të studimit, është një profesion që nuk të lë kurrë ne baltë dhe merr një kënaqësi te papërshkrueshme nga puna me njerëz. Shëndeti është gjëja me e rëndësishme dhe gjeste kësaj periudhe u pa sesi sytë e gjithë botes u drejtuan drejt mjekësisë” shtoi Blerina Mustafa, në intervistën e realizuar me Portalb.mk.

Ndryshe, ka shtatë muaj nga fillimi i pandemisë me virusin korona dhe në grupin e rrezikuar ishin pikërisht mjekët, të cilët çdo ditë kishin kontaktet e para me të infektuarit nga virusi korona dhe kjo e fundit padyshim ishte dhe vazhdon të jetë një sfidë, sidomos për mjekët e rinj të cilët mbase edhe nuk e kanë përvojën e nevojshme për kryerjen e punës në situata të pandemive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button