Futbollistet në RMV: Merruni me sport, mos hiqni dorë dhe mos ndaloni së përpjekuri, ndiqni ëndrrat e juaja
Në intervistë për Portalb, 4 futbollistet treguan se pasioni i tyre për futbollin kishte filluar që në moshë të vegjëlisë dhe se mbështetja nga miqtë dhe familjarët nuk ju kishte munguar asnjëherë. Mesazhet e tyre në këtë intervistë shprehin motivin dhe vullnetin e tyre për këtë sport. Merruni me sport , mos hiqni dorë dhe mos ndaloni së përpjekuri, ndiqni ëndrrat e juaja, më mirë të dështosh se sa të ndjesh pendim, janë disa prej porosive të futbollisteve.
Si filloi pasioni juaj për futbollin?
Hava Mustafa: Me futboll kam filluar të merrem shumë e vogël, ndoshta ka qenë gjëja e vetme që e bëja me shumë pasion për të cilën nuk hezitoj ta pohoj se e bëj edhe sot.
Enxhi Sherifi: Pasioni për futbollin ka filluar që në moshë të hershme, kam qenë shumë e vogël kur kam filluar të merrem me këtë sport, të them të drejtën atëherë kam menduar se jeta është futbolli, e futbolli është vetë jeta.
Era Emurli: Pasioni im për futbollin filloi që nga mosha 6 vjeçare, edhe pse shume e vogël dëshira dhe vullneti për të luajtur ka qenë shume i madh.
Rejhane Dalipi: Pasioni im për futbollin ka filluar që kur isha 10 vjeçe duke luajtur me shoqet e lagjes, që në atë moshë e kuptova që futbolli ishte më shumë se një lojë për mua.
A keni pasur mbështetje nga njerëzit përreth sa i përket futbollit?
Hava Mustafa: Mbështetje gjithmonë kam pasur dhe për këtë jam mirënjohëse familjes dhe shoqërisë.
Enxhi Sherifi: Mbështetjen e kam pasur gjithmonë qoftë nga familja apo nga shoqëria dhe për këtë ndjehem me fat duke marrë parasysh se në çfarë rrethi shoqëror jetojmë.
Era Emurli: Kam pasur mbështetje të madhe nga rrethi im, posaçërisht nga familja ime.
Rejhane Dalipi: Sa i përket futbollit unë kam pasur shumë mbështetje si nga familjarët po ashtu edhe nga mësuesit e sportit edhe nga shumë njerëz të tjerë që më rrethonin.
A vlerësohet apo jo futbolli i femrave në RMV, arsyeja?
Hava Mustafa: Është diçka e dukshme e që shihet, për të cilën kemi kërkuar shumë, më bën të ndjehem keq fakti se ne ndoshta jemi ambasadorët më të mirë të vendit dhe këtë e them duke lënë modestin anash për arsye se japim shumë e nuk marrim asgjë, arsyet janë të shumta, për të cilat nuk ja vlen më edhe të flasim.
Enxhi Sherifi: Jo vetëm futbolli por sportet në përgjithësi nuk vlerësohen thuajse aspak, e sidomos tek gjinia femërore që nuk duhet diskutuar fare se është mëse e dukshme, ndërsa po të flasim për arsyet, ato veçse dihen se po të fillojmë të flasim….besoni që tashmë ka kaluar edhe në monotoni duke kërkuar atë që na takon.
Era Emurli: Unë mendoj se futbolli i femrave në RMV nuk vlerësohet aq sa duhet, pasi që përkrahja është shumë e vogël dhe kjo e bën më të vështirë.
Rejhane Dalipi: Futbolli i femrave ne RMV vlerësohet por nuk kemi shumë mbështetje.
Për ju futbolli është një profesion që do të vazhdojë gjithë jetën apo thjesht një hobi?
Hava Mutafa: Futbollin çdoherë e kam shikuar si pjesë e jetës sime, pjesë ku edhe të ardhmen e shihja gjithçka në lidhje me futbollin, jo që sot nuk e shoh por ndoshta kam filluar të jem më realiste dhe të pranoj faktin se te ne shumë pak gjëra bëhen me profesionalizëm.
Enxhi Sherifi: Ndoshta ka filluar me ambicien si profesion por vjen deri në atë pikë që e kupton se nuk ka profesionalizëm, pasi që nuk ka as të ardhura që të bazohesh vetëm tek futbolli dhe për këtë arsye detyrohesh ta shohësh vetëm si hobi.
Era Emurli: Unë shpresoj që pasioni për futbollin të vazhdojë gjithë jetën.
Rejhane Dalipi: Për mua futbolli është një profesion dhe pasion shumë i madh që do të vazhdojë gjatë gjithë jetës time.
Një mesazh për vajzat që ndajnë të njëjtën dëshirë për futbollin?
Hava Mustafa: Të bëjnë atë që dinë të bëjnë më së miri, të merren me sport. Nëse kanë qejf futbollin le të merren me futboll ose edhe me sporte tjera, e rëndësishmja është të merren me sport, siç thotë edhe shprehja e famshme “Mendje e shëndoshë në trup të shëndosh”.
Enxhi Sherifi: Mesazhi im do ishte shumë i thjeshtë mos lejo të të paragjykojnë për atë se çfarë je, por edhe le të të paragjykojnë fundja se shoqëria jonë këtë punë ka. Por asnjëherë mos hiq dorë nga ëndrra jote! Më mirë të dështosh sesa të ndjesh pendim.
Era Emurli: Të mos dorëzohen asnjëherë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.
Rejhane Dalipi: Edhe pse ne nuk kemi mbështetjen e duhur nga institucionet shtetërore prapë vazhdojmë të luaj me shumë pasion dhe dëshirë, për të gjitha vajzat që e kanë pasion futbollin ashtu si unë u kisha thënë mos ndaloni së ëndërruari dhe së përpjekuri.
Ndryshe, të 4 vajzat luajnë për klubin futbollistik të femrave “KFF Shkëndija”, ku Hava Mustafa dhe Era Emurli luajnë në pozicionin e sulmueseve, ndërsa Enxhi Sherifi dhe Rejhane Dalipi si mesfushore.