Vendimi i Qeverisë për orarin e punës, i ka revoltuar administratorët e RMV-së

Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që prej më 1 tetor, administrata publike të fillojë me punë në orar fiks prej orës 08 deri në ora 16 dhe jo sikur më herët me orar fleksibil (prej orës 7:30 deri në ora 15:30 ose prej orës 8:30 deri në pra 16:30), i ka revoltuar administratorët, të cilët shpresojnë që i njëjti të tërhiqet, njofton Portalb.mk.

Sindikata e Punëve të Administratës së Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve të Maqedonisë (AOGJSH) kërkon që urgjentisht të tërhiqet ky vendim, pasi që i njëjti është në kundërshtim me marrëveshjen kolektive të nënshkruar në fillim të vitit në të cilin është konstatuar orari fleksibil i punëve.

“Ky vendim, për Sindikatën është i paqartë dhe konfuz dhe menjëherë ka krijuar revolt mes të punësuarve për arsye se Qeveria me miratimin e këtij vendimi nuk e respekton dialogun social, vepron kundër Konventave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe e mohon Marrëveshjen Kolektive të Administratës Shtetërore”, thonë nga Sindikata.

Nga Qeveria nuk kanë dhënë arsyetim se për çfarë arsye është miratuar ky vendim i përkohshëm, por nga Sindikata shpresojnë që të tërhiqet i njëjti.

“Shpresojmë se Qeveria do ta rishqyrtojë këtë vendim, pasi që orari fleksibil ishte kërkesë e jona dhe ai vendim ishte i pranuar pozitivisht nga të punësuarit dhe ka dhënë rezultate pozitive”, shtojnë nga Sindikata.

Orari fleksibil ishte miratuar më 1 shtator të vitit 2017-të me qëllim që të përmirësohen kushtet për të punësuarit në administratën publike dhe të përmirësohet procesi i dhënies së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe komunitetit të biznesit. Vendimi për konstatimi për orarin e punës fleksibil për administratën publike u miratua në fillim të korrikut të vitit 2017-të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button