Në Manastir u protestua kundër dhunës policore (VIDEO)
Qytetarët e Manastirit sot protestuan si reagim i videos që qarkulloi në rrjetet sociale dhe në të cilën shihej se si një polic ka përdorur dhunë fizike ndaj dy qytetarëve që kanë bërë aksident. Protesta, e organizuar nga Iniciative “Avaja” së bashku me shoqatat “Romalitike”, “Romano Avazi”, “Romaverzitas”, “Bairsko Svetlina” dhe “Romsko Jako”, përveç që ishte reagim ndaj këtij rasti, u protestua edhe kundër diskriminimit të romëve, sepse viktimat që u sulmuan nga policia ishin rom.
Protestuesit marshuan nga posta kryesore në Manastir deri te policia. Kërkesat e tyre janë që të zbardhet ky rast deri në fund dhe të sanksionohet polici, por kërkojnë që edhe në të ardhmen rastet e këtilla të mos mbesin pa zgjidhje juridike, njofton Portalb.mk.
Videoja në rrjetet sociale në të cilën shihen se si disa zyrtarë policorë ushtrojnë dhunë ndaj një personit i cili është shtrirë në rrugë, dy ditëve të fundit shkaktoi reagime të mëdha në opinion. Më vonë pas publikimit të një bisede me një përfaqësues të organizatës joqeveritare “Avaja”, opinioni mësoi se nuk ka qenë i sulmuar fizikisht vetëm një person. Për incidentin kanë folur tre qytetarë, të cilët janë identifikuar dhe kanë sqaruar se në incidentit në Manastir para dy ditëve i ka paraprirë një aksidenti në komunikacion që ata e kanë shkaktuar.
Ashtu siç kanë shpjeguar ata, kanë qenë duke u kthyer prej një ditëlindjeje, kanë qenë të dehur dhe me automjet e kanë goditur një shtyllë elektrike. Por, në vend që t’u jepet ndihmë, nga zyrtarët policorë të cilat kanë arritur në vendin e ngjarjes, ata kanë qenë të sulmuar fizikisht. Thonë se rrahja dhe sjellja ofenduese ndaj tyre ka vazhduar edhe në stacionin policor, ku janë mbajtur deri në ora 5 të mëngjesit.
“Kërkova ujë, nuk më dhanë. Bënin shaka me ne”, dëshmoi njëri prej personave. Kanë marrë incizime rentgen dhe shënime për lëndimet, por jo edhe llogari fiskale.
Njëri prej të lënduarve ka deklaruar se është me diabet dhe se ka 9 stente dhe se opinioni patjetër ta dijë se çfarë stresi kanë përjetuar, që të mos i ndodh e njëjta dikujt tjetër.
Video nga incidenti
MPB mbrëmë ka dorëzuar padi penale në Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar kundër njërit prej policëve, për shkak të dhunës fizike. Kundër tij është ngritur edhe procedurë disiplinore dhe është suspenduar nga puna. Gjithashtu, edhe kundër kolegut të tij i cili e ka parë rrahjen dhe nuk ka ndërmarrë asgjë, është ngritur procedurë disiplinore dhe është suspenduar nga vendi i punës.
Kryeministri Zoran Zaev përmes një postimi në rrjetin social “Facebok” e ka dënuar aktin e dhunshëm të pjesëtarëve të policëve kundrejt disa personave të komunitetit rom. Zaev shtoi se menjëherë pas zbardhjes së rrethanave, pret që këta police të bartin përgjegjësi të caktuar si dhe dënim të merituar nga ana e institucioneve përkatëse.
“Brutaliteti nga ana e pjesëtarëve të policisë kundër qytetarëve Rom, të cilën e pamë dje në një video në rrjetet sociale, është për dënimin më të ashpër. Ajo sjellje është e turpshme për vetë policët dhe e meriton dënimin i cili tanimë është duke ndodhur nga qytetarët. Është për tu përshëndetur që Njësiti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale standarde profesionale të Ministrisë për punë të brendshme e gjeti identitetin e pjesëmarrësve në këtë ngjarje, dhe pres që sa më shpejtë, pas vërtetimit të rrethanave të pasoje përgjegjësi dhe dënim i caktuar për të gjithë të involvuarit në ngjarjen. Kemi investuar shumë në ndryshimin e figurës së policëve të mëhershëm dhe nuk do të lejojmë, që raste të tilla të izoluara, të kalojnë pa përgjegjësi dhe dënim të caktuar”, tha Zaev.
Për rastin ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit, i cili e ka dënuar ashpër sjelljen e policëve.
“Me ankesë do të kërkojmë që të shqyrtohen të gjitha rrethanat, të mblidhen prova dhe të ngritët procedurë përpara Gjykatës me qëllim të konstatimit të përgjegjësisë penale. Plotësisht, nga Sektori i Kontrollit të Brendshëm do të kërkojmë përgjegjësi më të ashpër disiplinore për policët e përfshirë dhe ngritje të procedurës penale”, theksojnë nga KH.