Ligji i ri për punë të jashtme “gjenocid” për shqiptarët në diplomaci?

Ligji i ri për punë të jashtme nuk është i mirë për shkak se në mënyrë drastike do ta ulë numrin e shqiptarëve në diplomacinë e Maqedonisë, porositi sot PDSH-ja në Kuvend.

Ndryshimi i statutit të të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga nëpunës shtetëror në diplomatë, njohjen e domosdoshme të dy gjuhëve të huaja dhe vlerësimin e punës së tyre, me çka do të parashihen edhe shpërblime, janë pjesë e ndryshimeve të reja të Ligjit për punë të jashtme të cilat ishin pika e parë e seancës së sotme kuvendore.

Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së në pushtet, me valorizimin dhe vlerësimin e konsujve do të avancohet cilësia dhe efikasiteti i punës së tyre, ndërsa karriera e diplomatëve do të varet vetëm nga cilësia, potenciali, kapaciteti dhe rezultatet e tyre të realizuara.

“Me tjetërsimin e të punësuarve në MPJ nga sistemi i nëpunësve shtetërorë dhe vendosjen e sistemit të karrierës për diplomatët do të mundësohet rekrutimi i kuadrit që i posedon kualifikimet e nevojshme dhe sigurimin e zhvillimit pa pengesa të karrierës diplomatike. Do të kontribuohet në ndërtimin e diplomacisë profesionale, e gatshme që të përballet me sfidat politike jashtëzakonisht të ndërlikuara me të cilat ballafaqohet vendi ynë, por edhe në të ardhmen, theksoi zëvendës-ministri dikasterial Zoran Petrov.

Ndryshimet në Ligjin i kundërshtuan deputetët e PDSH-së të cilët konsiderojnë se me këto ndryshime do të ulet përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë.

“Kjo Ministri edhe tani ka në trend pjesëmarrjen e ulët të shqiptarëve që janë të punësuar në numër të vogël, ndërsa ambasadorët shqiptarë mund të numërohen në gishtërinj. Me këtë propozim ligj gjendja në MPJ vetëm do të përkeqësohet. Me ndryshimin e statutit nga nëpunës shtetërorë në diplomatë, krijohen kushte që shqiptarët ghatë punësimit nuk do të mund t’i përmbushin. Në këtë mënyrë kjo Ministri dëshiron vetëm të pastrohet nga shqiptarët, tha deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Si një prej kushteve ai e përmendi detyrshmërinë që çdo i punësuar në Ministri të posedojë çertifikatë të sigurisë, të cilën duhet ta marrë nga Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim. Siç theksoi Fazliu, qytetarët shqiptarë e kanë shumë të vështirë që ta sigurojnë këtë çertifikatë, për të cilën pritet disa vite, ndërsa konkurset për punësim në Ministrinë zgjasin nga disa javë, me çka ulet mundësia për punësimin e tyre.

Lidhur me këtë replikoi zëvendës ministri Petrov i cili tha se pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionin shtetëror fare nuk është e kanosur, gjë që vërtetohet edhe me numrin prej 23 për qind të punësuarve shqiptarë në Ministrinë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button