Presidenti i Venezuelës do të falë mbi 100 udhëheqës të opozitës
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka vendosur të falë më shumë se 100 udhëheqës të opozitës, përfshirë 26 deputetë, teksa vendi shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në dhjetor, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Synimi është të thellojë procesin e pajtimit kombëtar në funksion të procesit të ardhshëm zgjedhor”, tha të hënën ministri i Komunikimit, Jorge Rodriguez në një konferencë për media në televizion.
Lista përfshin politikanë që janë jashtë Venezuelës por që kanë procese të hapura gjyqësore në vend dhe të burgosur të tjerë si deputetët Gilber Caro dhe Renzo Prieto.
Midis atyre që do të përfitojnë nga ky hap janë ligjvënës që janë refugjatë në ambasada ose në mërgim si Freddy Guevara, Miguel Pizarro dhe krahu i djathtë i Juan Guaidos, Roberto Marrero, i cili shërbeu si shef i shtabit të liderit të opozitës.
Maduro po kërkon të rrisë pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, të cilat një pjesë e opozitës ka premtuar se do t’i bojkotojë me arsyetimin se ato janë të manipuluara.
Rodriguez tha se qëllimi i qeverisë nuk është të bëjë presion ndaj opozitës për të marrë pjesë në votimin e ardhshëm.
Lirimi është me sa duket një produkt i bisedimeve që qeveria po zhvillon me një sektor të opozitës të udhëhequr nga Henrique Capriles, dy herë kandidat për president.