Maduro mori pushtetin e plotë në Venezuelë pas zgjedhjeve në Asamblenë Kombëtare të bojkotuara nga opozita
Aleanca politike e presidentit Nicolas Maduro ka shpallur fitore të madhe në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, të cilat janë bojkotuar nga shumica e opozitës dhe janë kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare si mashtruese. Kështu, Maduro ka marrë kontrollin mbi pjesën e fundit të pushtetit që nuk ishte në duart e tij deri më tani, njofton Portalb.mk.
“Ne e kthyem Asamblenë Kombëtare me shumicën e votave të popullit të Venezuelës. Kjo është padyshim një fitore e madhe për demokracinë,” tha Maduro në një fjalim televiziv.
Asambleja Kombëtare deri më tani është kryesuar nga Huan Guaido, i cili pas një beteje dy-vjeçare nuk arriti të largojë Maduron nga pushteti, megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera e kanë njohur atë si presidentin legjitim të Venezuelës. Ishte Guaido ai që udhëhoqi bojkotin e zgjedhjeve, i cili doli si zrezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të caktuar një komision të ri zgjedhor.
Zgjedhjet në të cilat morën pjesë rreth 14.000 kandidatë, i kanë dhënë Maduros kontrollin mbi Asamblenë Kombëtare të vendit me 227 ulëse.
Deputetët e zgjedhur do të marrin postet e tyre më 5 janar 2021 dhe do të shërbejnë për një mandat 5-vjeçar.