BARLETI DHE FJOSKA

Nesër do të kemi mysafirë, prej së largu. Do të na vijnë Lahi me të shoqen. I kemi miq të gjyshit. Me ta kemi hyrë e kemi dalë, tha babai dhe shtoi: do ta bien në spital një vajzë. Duhet t’i presim ashtu si e do zakoni. Nuk i kemi të largët. Dhe, u largua duke lënë pas vetes hijen e autoritaritetit të tij. Serioziteti i babait, si gjithmonë te unë shkaktonte njëfarë sikleti, njëfarë refuzimi. Në atë çast babai u ndal, e ktheu kryet të thotë diçka, po një mizë iu ndal në ballë, kurse ai deshi ta vrasë mizën. Unë s’e mbajta dot gazin. Më xigloi ajo skenë kur një shuplakë e madhe përplaset në ballë ta vrasë një kandërr të vogël. Nëna më shikoi shtrembër që të ma bëjë me dije se nuk veprova fare mirë që qesha ashtu. Po babai nuk reagoi. U bë sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Ndërkaq dhomën e pushtoi heshtja. Ai doli, por shpejt u kthye bashkë me hijerëndësinë e tij. Ku janë Musa me Osën? pyeti babai për dy vëllezërit e mi më të mëdhenj. Kanë shkuar për dru, iu përgjigj nëna me një zë të përulshëm, sepse babai është zëri i parë i këtij oxhaku.

Mirë, tha babai. Kurse ti Barlet, dil me motrat dhe pastrojeni oborrin! më tha mua. Kaq. Nëna me dy nuset e dy vëllezërve më të mëdhenj, Netin dhe Fiken, i përveshën krahët të pastrojnë, të venë rend e pastërti brenda në shtëpi e të bëjnë plane për ushqimet për ditën tjetër kur do të na vinin mysafirët. Unë me motrat dolëm në oborr. Ato menjëherë nisën ta bëjnë punën e tyre. Mua s’më punohej. Puna e pastrimit të oborrit për mua ishte ndëshkim. Prandaj kërkoja ndonjë shteg t’i iki punës. E futa dorën e majtë në xhep dhe ngadalë hipa shkallëve në shtëpi të zjarmit ta marr shtambën të mbushë ujë në vijë. Me të hyrë në shtëpi të zjarmit e pashë nënën mbi magje duke pastruar dhe me kokë lëvarur  mbi plëng po u fliste rejave që ishin ndalur e po e dëgjonin. E dëgjova kur u tha: Vjen Lahi me të shoqen, Ifen, me vajzën e sëmurë që e pat emrin Fjoskë dhe me atë  të madhen, Dijen. Pra Lahi vjen vetë i katërti. Pastaj nëna u tha edhe diçka tjetër. Diçka që ma prishi disponimin tërësisht dhe ma krijoi një boshllëk në kraharor dhe një lëmsh në fyt. Nejse. Nuk qëndrova më aty të dëgjoj më shumë se do ta prek në tel nënën, sepse ajo nuk duron fare ta përgjojnë.

Veç kësaj edhe mua do të më shtohej edhe sikleti duke dëgjuar këtë që po tregonte nëna. Po. E mora shtambën dhe edhe vetë habitem si  në atë gjendje të trazuar shpirtërore i mbajta në mend këta emra që i tha nëna se do të vinin mysafirë. Zbrita. U ndala me shtëmbën në dorë dhe u tregova motrave se nesër kah dreka do të vijnë mysafirët. Por diçka nuk u tregova nga ajo që dëgjova prej nënës e cila tha se Fjoska paska qenë e sëmurë prej veremit. E njerëzit që vuajnë prej kësaj sëmundjeje nuk e kanë gjatë. Është një sëmundje vrastare që nuk e ka barin. Dhe, kjo dreq sëmundje ngjitet po të kollë i sëmuri në drejtim tëndin, po të flasësh me të ballë për ballë, po të rrish pranë tij, u tha nëna nuseve.  I kisha dhjetë vjet e ishte hera e parë që dëgjoja diçka të tillë. U tmerrova. Mirëpo nuk desha që këtë tmerr ta ndaj me motrat e mia që aq shumë i doja e të cilat ishin më të mëdha se unë. Ajo që ishte dy vjet para meje – Xifja dhe ajo tjetra, më e madhja, katër vjet para meje – Meli ishin aq të dashura e të mira, saqë krahas frikës që kisha për veten, kisha të njëjtën  frikë edhe për to. Bënë e u sëmurën ato?!… Mos o zot! Çka bëj unë pa motrat e mia? S’ka më motra të tilla. Dhe, kah shkoja me shtambën në dorë duke e tunduar para e prapa më bëhej se hija e veremit më ndjek prapa. I shikova me dhembje motrat që punonin, pastaj shkova te vija e mbusha shtambën dhe ua çova të freskohen.

Meli e lodhur dhe e etshme, mori shtambën dhe e ngriti lartë e filloi ta derdhë në gurmazin e thatë prej vapës. Piu mirë. Oh, ma kënaqi  shpirtin ky ujë i ftohtë, tha Meli. Unë e mora krahënmadhin  t’i mbledh mbeturinat me të nëpër oborr dhe e zhargitja atë andej e këndej, pa bërë ndonjë punë të hairit. Motrat, si gjithmonë kur kishim punë në oborr ose në fushë, më kursenin. Edhe kësaj radhe thanë: Barlet, shko mëso diçka atje nën hije të manit. E rregullojmë  ne oborrin. E lëshova krahënmadhin. E mora fletoren me tabelën e shumëzimit dhe desha ta ushtroj, sepse kisha disa zbrazëtira në shumëzim. Nuk më shkonte. E palova fletoren aty pranë dhe po rrija nën hije me frikën nga veremi që ma bënte zemrën të rrahë si lodër. Motrat fshinin dhe palonin krandet, ashklat e ndonjë opingë të grisur llastiku të shpërndara nëpër oborr. Ndërkohë ato edhe punonin edhe pëshpëritnin.  Pëshpëritnin pak e pastaj herë njëra qeshte, herë tjetra. I shikoja ato me një dhembje të paparë. O Zot, po iu ngjit atyre kjo sëmundje, unë do t’i humb motrat e mia të dashura! Sa të gëzuara janë e nuk e dinë se çfarë i pret të gjorat. Të rrahurat e zemrës m’u shpeshtuan. E shikoja Xifen – s’e merrja dot me mend Xifja të bjerë në kthetrat e veremit. Pastaj kthehesha nga Meli.

Melin,  o zot mendoja, kjo vajzë e hollë, e gjatë dhe e fuqishme!… Motra ime Meli! Jo o zot! Dhe, e mbështeta ballin në dy shuplakat e mia të vogla. O Barleti i dadës, m’u drejtua kur më pa kështu të mërzitur Meli me atë zërin e hollë, por të ëmbël,  e më pyeti, duke m’i lëmuar flokët: Tregoj dadës se çfarë ndodhi? E ngrita kryet – të dy motra ishin aty, pranë meje. Kanë ardhur kur më kanë parë ashtu të mërzitur. Çka ke shpirt? më pyeti edhe një herë Meli. Unë s’u përmbajtja. U tregova atë që u tha nëna nuseve për veremin, krejt çfarë dëgjova. Pritja t’i shihja ato të trishtuara, por ato të dyjat përnjëherë më përqafuan dhe qeshën. O zot si mund të qeshin, mendoja, kur vdekja i ka zgjatur duart kah ato dhe kah unë?! Nëna na kishte parë ashtu të përqafuar nga dritarja e hapur. E zgjati kokën e tha: Hej, a keni dalë ju të luani, apo të punoni. Ja, nënë, ja, edhe pak e gati jemi, tha Xifja e nëna u largua pas punëve të saj. Pas saj edhe Fikja e zgjati kokën në dritare të na shohë. Ndenji edhe pak me duart e mbështetura në parvaz dhe m’u drejtua: O Barlet, Drita dhe Shejza u zgjuan, a po vjen të kujdesesh pak për to. Unë i doja ato vogëlushe, sepse ishin shumë gazmore. Përveç kësaj i kisha të vëllezërve të mi.

Fëmijët e parë të tyre. Shko, më tha Xifja, se i kemi shpirt ato voglushe. Hipa lart, po vajzat e vogla dy dhe tre vjeç kur më panë i zgjatën duart kah dera. Donin të dalin jashtë. Nuk e duan hapësirën e mbyllur. I mora për dore e dalëngadalë dolëm në oborr. Xifja e Meli, që i kishin kryer punët vrapuan pas tyre. I morën në krah e puth e puth e puth… Pastaj filloi vrapi pas voglusheve. Herë Xifja, herë Meli. Unë ndonëse i doja shumë këto krijesa engjëllore, nuk kisha disponim të merrem tash me to. Mua sikleti s’më hiqej… Dhe, shkonte duke m’u shtuar frika: mund t’u ngjitet edhe vajzave, edhe nënës… po edhe këtyre voglusheve. Të gjithëve. Doja që sa më shumë të shtyhet ai çasti kur do të vinin mysafirët ta sjellin Fjoskën te ne që pastaj ta çojnë në spitalin e veremit. Kisha frikë mos të mbetet veremi pas saj. Po kur pret kështu, dita të bëhet orë, ora minuta, minutat sekonda. Koha e mallkuar rrjedh shpejt si rëra në klepsidër. E shihja rrezikun që afrohej me hapa të shpejtë, e shihja veremin si një hije të zezë përbindshi me duar me gishta prej ashti, me thonjë të çeliktë, një hije e lemeritshme e cila një nga një do të na çonte në heshtjen e frikshme të varrit.

Një kohë, derisa Meli e Xifja luanin e voglushin, mbeta në mbretërinë e vetmisë, e cila gjithmonë të pëshpërit gjëra të tmerrshme. Herë më dilte nëna e pushtuar nga kjo hije e llahtarshme, herë Meli, herë Xifja e pastaj të gjithë me radhë një nga një si na nxirrnin nga shtëpia me arkivol dhe në fund më afrohej mua me ata thonjtë e tmerrshëm duke qeshur e duke më thënë: të zura edhe ty mistrec! Ia shikoja buzët e përgjakura të saj e kur e hapte atë gojën e madhe edhe dhëmbët i dukeshin të kuq e i kullonin gjak. Pasoi frika nga dheu i ftohtë i varrit. Nga duart e kësaj hijeje njerëzit e mi të dashur do të përfundonin në dhé. Sa keq. Dhe, përfundimisht edhe unë do të isha me ta! Kështu mbeta gjatë kohë mbështetur për trungun e manit. Një flakë ma pëshkonte shtatin, pastaj një të ftothtë… Ishin këto dridhma lemerie, jo ethe.

Më në fund, si njeriu që dorëzohet, desha ta harroj këtë tregim, sepse e pash veten të mbështetur për muri. Po pastaj erdhi Meli. Hajde xhani i dadës, të shoh dada ndonjë këmishë e pantallona të lara, që t’i kesh për nesër. Pa një, pa dy, e pyeta: Dadë, a mund të fle pranë teje sonte. Po s’i s’mundesh, shpirti i dadës, më tha Meli dhe unë e kalova natën në përqafimin e saj që më jepte siguri.

Mëngjesi të gjithëve na gjeti të zgjuar. Meli m’i solli teshat dhe po përpiqej që unë të dukem më bukur. Prisnim atë çastin e ardhjes së mysafirëve. Unë përpiqesha të dukem i painteresuar, por të gjithë e shihnin se jam i shqetësuar, mirëpo mendonin se këtë shqetësim e kisha ngase do të kem më shumë angazhime kur të vijnë mysafirët, ngase në këso rastesh më përdornin si drugëz: shko në dyqan, shko te halla lypi pak tëlyen, shko andej e shko këndej. Por e vërteta ishte shqetësimi im e kishte burimin te kërshëria. Unë doja ta di kush janë këta njerëz që po e sjellin veremin e frikshëm e të panjohur për ne. Dhe derisa ne sorrollateshim, erdhi ai çasti për të cilin përgatiteshim.  Më në fund dera u hap. E shtynte një burrë i gjatë me mustaqe. Babai tha: Lahi! Dhe,  të gjithë vrapuan kah dera e madhe. Unë mezi i luaja këmbët dhe mbeta i fundit. Babai shkoi vrap e  i ndihmoi Lahit ta hapte edhe krahun tjetër të derës së madhe dhe qerrja e tërhequr nga një kalë i bardhë e i mirë u fut në oborr.

Dyyyyyyy! i bëri kalit Lahi me një zë basi dhe kali u ndal. Nga qerrja e para zbriti Ifja, pas saj Dija ia ngjiti për krahu Fjoskës  t’i ndihmonte të ngrihej. Aty u afrua edhe Meli dhe dy vajzat e ngritën të sëmurën. Dija ia largoi flokët që i ishin shpërndarë përpara dhe u zbulua fytyra e Fjoskës. E verdhe si lule kumaku. Asht e lëkurë. Kur zbriti nga qerrja, mezi i luante këmbët. E shikova me një ndjenjë të përzier: të frikshme dhe të dhembshme. Më erdhi keq kur ia pashë edhe dorën e thatë, por edhe ajo e verdhë. Atëherë seç më shtyu diçka ta shoh më mirë. Kur po ecte duke u munduar t’i ndërrojë hapat, unë e harrova veremin. Diçka më tërhoqi kah ajo. Ishte një dhembje e dashuri për atë vajzë me fytyrë aq tërheqëse, gjakun e së cilës ia kishte pirë veremi. Iu afrova, kurse ajo e hoqi dorën e djathtë nga dora e Dijes dhe m’i përkëdheli flokët. O sa djalë i mirë! Yll, yll e paska falë zoti këtë djalë! tha ajo për mua me zërin e shterur në të cilin ende kishte bukuri femërore. Si quhesh, or yll? më pyeti ëmbël. Barlet, i thashë. Ma ka vënë këtë emër mësuesi Dilaver Shkodra nga Elbasani! i thashë me një krenari. Ka ndodhur mysafir te ne mësuesi Dilaver atë natë kur kam lindur. Sa emër të bukur të paska vënë ai mësues, më tha dhe unë e harrova krejt veremin kur ajo m’u përkushtua kështu me dashuri.Tash nuk kisha frikë më prej sëmundjes që po e brente Fjoskën, tash më brente mua dhembja për Fjoskën, të cilën e ndjeja si të afërm dhe për të më ndizej ai qiriri i dashurisë që të djeg përbrenda njësoj si për Melin. E ofrova ndihmën time.

E mora një bohçe që e gjeta në qerre dhe vrap u nisa t’i arrij njerëzit që po i ndihmonin Fjoskës të hipte shkallëve. Pastaj ata hynë në dhomën e ndenjës e fill pasi u rehatuan mysafirët, pasi u pyetën e u këqyrën: si jeni, ku jeni e kështu me radhë e pasi edhe gratë u morën ngrykë duke mos e anashkaluan as Fjoskën e lodhur, u shtrua sofra. Një tepsi mjaft e madhe me qull e në mes të saj – pula. U ulëm të gjithë. Unë e shikoja vjedhurazi Fjoskën. Ajo zbrazëti që kisha në kraharor për të u shndërrua në furtunë. Më pushtoi një ngashërim i thellë për Fjoskën dhe ndjenjë të tillë të fortë s’kam përjetuar kurrë më vonë. Ajo më shikoi ëmbël dhe unë s’i kontrolloja dot lotët që më rridhinin faqeve e që i fshija me mëngën e këmishës. Fjoskën e mbështetën në dy nënkrejca, se s’qëndronte dot ulur vet. Pastaj Meli u ngrit dhe ia rregulloi mbështetësen mirë. Urdhëroni, tha babai, mirë se ju ka sjellë zoti. Shtëpia juaja dhe e zotit! Urdhëroni! Filluan lugët e shumta të marrin qull dhe të hanë. Lugët që lëshoheshin në sofër trak-truk, trak-truk më bezdisnin dhe ma largonin përqendrimin që e kisha te Fjoska. Mezi prisja ta shoh duke ngrënë sepse kisha shpresë se ushqimi do ta forcojë, sepse ashtu na kishin mësuar: se ushqimi na bën të fortë e na rrit. Mirëpo Fjoska e shikonte me sy të mekur sofrën. Ndërsa mua më erdhi një forcë dhe isha gati t’i dal përpara asaj hijes përbindëshe të veremit që s’e lente Fjoskën as të hajë. Tashmë më iki krejt frika nga veremi sepse e pashë se verdhësia e fytyrës ia mbulonte Fjoskës një bukuri e një mirësi të paparë. Ajo më në fund mblodhi forcat e fundit dhe vetëm një lugë e mori dhe e la lugën mbi sofër përmbys, ashtu si e kishim zakon atëherë. Zoti e shtoftë! tha. Mbrrifshi dhe e martofshi këtë yll me një princeshë! Uroi ajo duke më shikuar mua. Merr moj bijë, i tha babai. Ti duhet të hashë. Nuk mundem, lala Dik, i tha babait. Të tjerët heshtën.

Pastaj nëna shtoi: Merr moj bij, edhe me zor pak, se qulli është i mirë. Pastaj ia nxorën edhe një kofshë pule. Por Fjoska dukej krejtësisht e lodhur. As nuk e preku mishin. Por rrinte si shenjtet në ikonë. E kështu e rraskapitur nuk i hoq sytë nga unë. Dhe, vazhdimisht përsëriste për mua: Sa djali i mirë!… Desha që mos ta shikoja, po megjithatë i pikasa ata sy të kaltër si qielli kthjelltë. Menjëherë ndjeva një dhembje të madhe për të. Habitesha se si e kishte gjetur ajo hija e zezë përbindëshe pikërisht këtë vajzë që qenka aq e mirë. Pastaj u çua sofra. Fjoska tha se do të kishte dashur të mbështet diku ku është më freskët.. Nëna ia shtroi një dyshek mbi hambar dhe Xifja, Meli e Dija shkuan pas saj.U ulën poshtë në shilte dhe përpiqeshin të bëjnë muhabet me të. Edhe unë shkova pranë tyre. Ajo vetëm i kërkonte Dijes me një lëvizje të mundimshme të dorës së djathtë, t’ia lagte ngapak buzët. Aq. Pastaj më shikoi mua dhe buzëqeshi e tha: Edhe yllin e paskam pranë!… Sa mirë! Pastaj heshti. Ndërkohë vajzat bisedonin duke pëshpëritur, kurse unë s’i hiqja sytë nga Fjoska. Tash ajo më dhembsej që ishte në kthetrat e veremit, i cili kishte vendosur ta marrë. Frymëmarrja e Fjoskës ishte e mundimshme njëherë, pastaj shkoi duke u qetësuar. Nëna doli nga dhoma e pyeti: si është vajza? Mirë duket, tha Dija. Nëna u kthye, kurse vajzat e vazhduan bisedën e tyre duke pëshpëritur që mos ta shqetësojnë Fjoskën. Unë u ngrita, iu afrova asaj. Frika më iku si me dorë. Doja aq shumë ta preki atë dorën e saj si prej floriri. E pyeta Dijen: A mund t’ia prek pak dorën Fjoskës? Po si s’mundesh. Ajo ty të do, tha Dija. Unë e zgjata dorën, po nuk hetova kurrfarë lëvizjeje. Si duket fle, thashë. Nuk e lëviz dorën dot. Dija u ngrit me hov dhe e thirri: Fjoskë, moj motër, shihe ka ardhur ylli të flasë me ty. Ja edhe dorën po ta mban. Mirëpo Fjoska nuk dha kurrfarë përgjigjeje. U ngrit edhe Meli dhe menjëherë ia preku damarët e qafës. Sigurisht ritmi i gjakut i kishte pushuar. Oj nënë! bërtiti Meli. Pastaj Babai, Lahi dhe gratë vrapuan. Babi shkoi e mori pasqyrën dhe ia vendosi para gojës e hundës. E shikoi pasqyrën dhe iu drejtua Lahit: Zoti ju lashtë shëndosh juve, o mik. Plasi gjëma. Gratë qanin, unë u frikësova dhe mbeta në këmbë aty ku isha nga habia. S’dija kah t’ia mbaj. Ndërkohë erdhën edhe vëllezërit me kuajt e ngarkuar me dru dhe vrapuan të shohin se çfarë po ndodh. Unë atëherë duke qarë vrapova kah ata dhe u thashë: veremi e mori Fjoskën! Si e mori?! Vrap pas meje erdhi edhe Xifja e përlotur.

Na vdiq Fjoska e lalës Lah, tha ajo ndërsa zëri i dilte me të dridhura. Erdhën sot që ta çojnë në spital, po ajo e la shpirtin te ne. Vëllezërit hipën në çardak, folën me Lahin, Ifen e Dijen, u morën ngrykë si e do zakoni në këso rastesh. Pastaj burrat u tërhoqën dhe kishin marrë vendim që Fjoska të varrosej në fshatin tonë, ngase fshati i Lahit ishte gjashtë orë larg dhe e vdekura do të mundohej shumë. Dielli kishte arritut një osten kah perëndimi. Kështu varrimi u la për nesër. Ajo natë kaloi në vaj. Përmbi kokën e Fjoskës e vunë një llambë me vajguri e cila ia ndriçonte fytyrën e bukur me ngjyrë kumaku.

Të nesërmen u mblodhën tërë fshati për ta nderuar vajzën e re që kishte vdekur në miqësi dhe pa arritur të shkojë në spital. Nga shtëpia jonë e deri te varret ishte mjaft larg, po kortezhi ishte aq i gjatë saqë kalimtarët që vinin nga fshatrat tjera ndaleshin për ta respektuar Fjoskën që po shkonte në amshim.

Unë e qaja Fjoskën e cila diti të më falë dashurinë të cilën nuk mund ta përshkruaj. Ishte kjo një dashuri engjëllore. Ajo më quajti yll e unë them se Fjoska ka qenë engjëll. Dhe e çuditshme është lidhja e një ylli me një engjëll. Është lidhje kozmike. Më dhembsej se tash ajo hija e tmerrshme e veremit e kishte fituar luftën kundër një engjëlli dhe e kishte futur në dheun e ftohtë të vetme duke ia varrosur edhe atë buzëqeshjen fisnike, edhe dorën që përçonte një dashuri kozmike kur të prekte dhe se kjo hije na e vrau edhe shpresën se spitali do ta ngrinte në këmbë Fjoskën.

Prej asaj kohe kanë kaluart tridhjetë vjet dhe unë kam bërë familjen time, por asnjëherë nuk harroj që për çdo ditë të vdekjes së Fjoskës të çoj e të vendos lule të freskëta në varrin e saj, ani se ka njerëz që thonë se nuk bën të vendosen lule nëpër varre. Le të thonë emri i saj është vjollcë dhe meriton te koka të ketë gjithmonë trëndafila të freskët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button