200 euro për një test PCR për COVID-19 në Kosovë

Testimi PCR për Covid-19, në laboratorin privat “Medical Laboratory Services”, qytetarëve të Kosovë po u kushton të paktën 200 euro. Një çmim të tillë e ka paguar edhe një familjar i Izet Berishës, të cilit i është dashur të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut, e më pas në shtetin e Gjermanisë.

Berisha duke e cilësuar shumën si të papranueshme, thotë se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, pasi që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i teston vetëm personat me simptoma, raporton KOHA.

Duke e kritikuar mungesën e një rregullatori që do të definonte çmimet, Fahri Beqa, mjek në Gjermani, tregon se një shumë e tillë nuk paguhet në shtetin ku punon.

Çmimin prej 200 eurosh gjatë së dielës e kanë arsyetuar nga Ministria e Shëndetësisë me shpejtësinë e marrjes së rezultateve. Nga kjo ministri kanë thënë se ky test është i shpejtë dhe se rezultatet dalin për 45-60 minuta.

“MSh ka informacione që ka dallime të çmimeve sa u përket shërbimeve të testimeve serologjike (prej 15-30 euro) varësisht prej institucionit ku kryhet dhe komunës, përderisa për momentin teste molekulare (PCR) ofron njëri nga dy institucionet e licencuara, për shkak se njëri prej tyre, gjatë inspektimit të Inspektoratit Shëndetësor nuk ka arritur të dëshmojë se mund të kryejë teste në përputhje me të dhënat e deklaruara në formularin e aplikimit për licencim dhe në përputhje me Deklaratën nën betim, të nënshkruar me rastin e aplikimit. Në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro”, është thënë nga MSH-ja.

Por që, sipas Berishës, për rezultatet e këtij testi i është dashur të presin rreth dy orë.

Laboratori “Medical” është në mesin e dy laboratorëve privatë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer testet PCR, për COVID-19.

Me shpejtësinë e nxjerrjes së rezultateve është arsyetuar edhe ky laborator, i cili për momentin është i vetmi laborator privat që bën testime të tilla. Madje nga ky laborator është thënë se çmimi për këtë lloj testi është më i ulët se në vendet evropiane.

“Për hir të saktësisë klinike të informacionit, në shkencat mjekësore sot aplikohen disa lloje të testeve për identifikimin e virusit SARS- CoV 2 (COVID -19). Metoda më e njohur është ajo përmes testit molekular Real Time PCR që kryhet edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Në rastet më të shpeshta, me këtë metodë pacientit rezultati i kumtohet brenda 48 orëve. Ky test në Medical Laboratory Sevices kushton 65 euro! Metodë tjetër molekulare është edhe testi i performuar nëpërmjet sistemit “GeneXpert SARS COV-2” që e detekton virusin në kohë RAPIDE (të shpejtë) për 45 minuta. Për shkak të realizimit të shpejtë dhe kostos së reagensave ky test në MLS kushton 200 euro, çmim ky që është më i ulët sesa ai në vendet evropiane. Pastaj, janë testet serologjike (ELISA IgM-25, IgG-2) që detektojnë praninë e antitrupave në gjak, çmimi i të cilave në laboratorin tonë është ekzaktësisht 25 euro”, thuhet në deklaratën e laboratorit.

Ky laboratorë është në pronësi të familjes së Devollit, e që aksionar është edhe Jeton Shala, baxhanaku i Besnik Mustafës, djalit të Isa Mustafës, dhe njëherësh ka qenë edhe në krye të Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore gjatë vitit 2015, kur në qeverisje ishte Isa Mustafa.

Ndaj çmimit 200 euro për testin PCR ka reaguar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Derisa nuk kanë treguar nëse një çmim i tillë përbën shkelje, kryetari i këtij institucioni, Valon Presteshi, ka thënë se nëse laboratori ka deklaruar në AKK një çmim tjetër, ai rrezikon të mbyllet.

E zbatim të ligjit ka kërkuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke thënë se nuk do të lejohet përdorimi i situatës për përfitime jashtë normës së ekonomisë së tregut.

“Situata e pandemisë nuk guxon të përdoret për përfitime jashtë normave të ekonomisë së tregut. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është në krye të detyrës dhe do të zbatoje ligjin shpejt dhe me efikasitet të plotë ndaj të gjithëve pa përjashtim. Raportoni rastet”, ka thënë Hoti.

Ministria e Shëndetësisë deri tani ka licencuar edhe mbi 100 laboratorë privatë për testime serologjike për COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button