Temperaturat e larta rrisin rrezikun e përhapjes së zjarreve

Për shkak të paralajmërimeve për rritjen e temperaturave ditëve të ardhshme, rritet edhe rreziku për shpërthimin e zjarreve nëpër vende të hapura.

Qendra për menaxhim me kriza me apel deri tek qytetarët të kenë kujdes gjatë vizitave që i bëjnë në vende të hapura ose gjatë aktiviteteve të punës nëpër male si dhe lokacione të tjera, të mos përdorin materie djegëse të cilat mund të shkaktojnë zjarr me përmasa të mëdha.

‘Njëkohësisht, përkujtojmë qytetarët se në rast se evidentojnë vende të dyshimta ku është i pranishëm zjarri ose tymi, menjëherë të informojnë ekipet kompetente në institucionet më të afërta ose të paraqiten në numrin e telefonit 195, si numër për thirrje urgjente të qendrës tonë’ kumtojnë nga Qendra për menaxhim me kriza.

Zjarret viteve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha nëpër malet dhe mjediset jetësore.

Për fat të mirë këtë vit rastet janë më të rralla, vitin e kaluar janë shënuar gjithsej 430 zjarre ndërsa kanë shkaktuar dëm material prej 4 milion e 300 mijë euro.

Viti më i rëndë dhe me më shumë zjarre ishte 2007-ta, atëherë u regjistruan 620 zjarre, djegën 39 mijë hektar tokë dhe shkaktuan dëm prej 10 milion eurosh.

Dhjetë vitet e fundit janë regjistruar 3802 zjarre.

Ndryshe, Qendra për menaxhim me kriza, ditë më parë ka promovuar sistemin informativ për parandalimin e rrezikut nga zjarret nëpër male.

Në këtë sistem janë kyçur Drejtoria për punë hidrometeorologjike, NP Pyjet e Maqedonisë, Agjencia për mbrojtje dhe shpëtim dhe njësitë territoriale./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button