Bisedimet BE-Mbretëri e Bashkuar ngecën përsëri

Kryenegociatori i Bashkimit Evropian (BE) në bisedimet për Brexit-in, Michel Barnier, ka bërë të ditur se raundi i shtatë i negociatave midis BE-së dhe Mbretërinë e Bashkuar mbi partneritetin e ardhshëm ka përfunduar pa përparim, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Jam sinqerisht i zhgënjyer, i shqetësuar dhe po ashtu i befasuar”, u tha Barnier gazetarëve në Bruksel.

Pavarësisht premtimeve të kryeministrit britanik, Boris Johnson, për përshpejtimin e procesit, Barnier theksoi se “britanikët nuk kanë treguar asnjë gatishmëri për të ecur përpara në temat thelbësore për BE-në”.

“Duket sikur po ecim mbrapa në vend që të ecim para. Në këtë fazë, çdo marrëveshje duket e pamundur. Nuk shoh pse po e humbim kohën”, tha Barnier.

Faza politike e Brexit-it përfundoi më 31 janar me Mbretërinë e Bashkuar që u largua nga blloku pas 47 viteve anëtarësim në BE.

Por partnerët duhet të pajtohen për kushtet e bashkëpunimit të ardhshëm deri më 31 dhjetor. Pikat kyçe të mosmarrëveshjes mbeten të njëjta që nga raundi i parë që u zhvillua më 2 mars në Bruksel.

Barnier tha se BE nuk do të lejojë “mbledhjen e qershive ose kartën e hyrjes në tregun e saj të brendshëm”, sepse blloku, shtoi ai, “ka për të mbrojtur nevojat njerëzore, sociale, ekonomike dhe mjedisore, që janë interesa themelore për ne”.

Ai theksoi sektorin e transportit si një shembull, duke shpjeguar se BE-ja nuk do t’u japë të njëjtat mundësi operatorëve britanikë, përveç nëse ato garantojnë të njëjtat standarde të sigurisë, mjedisit dhe të mbrojtjes së konsumatorit kompanive evropiane.

Blloku po ashtu fuqishëm insiston në një marrëveshje mbi peshkimit që jep qasje reciproke në treg dhe në ujëra, si dhe kufizon kuotat e peshkimit.

Qëndrimi negociues i BE-së përfshin tre kapituj kryesorë, respektivisht partneritetin ekonomik, bashkëpunimin për sigurinë dhe politikën e jashtme, si dhe një kornizë institucionale që rregullon marrëdhëniet e ardhshme. Pjesa më e rëndësishme është kapitulli ekonomik ku BE dhe Mbretëria e Bashkuar kanë mendime shumë të ndryshme.

BE po ashtu kërkon që Mbretëria e Bashkuar të njohë mandatin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në të gjitha fushat e bashkëpunimit, si dhe të njohë pushtetin detyrues të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht në fushat e zbatimit të ligjit dhe sigurisë.

BE dhe Mbretëria e Bashkuar, tha Barnier, tashmë dy muaj kanë ngecur në gjetjen e kompromisit për të konsoliduar tekstin mbi marrëveshjen, sepse Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian po ashtu duhet ta aprovojnë atë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button