Shekerinska u takua me komandantin e Forcave të Armatosura të Holandës

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska zhvilloi takim me kryeshefin e Forcave të armatosura të Mbretërisë së Holandës, admiralin Rob Bauer,  njofton Portalb.mk.

Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes në takimin është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit mbrojtës bilateral, sfidat e reja në mbrojtje, pjesëmarrjen në misionet ndërkombëtare dhe mundësitë që i ofron poligoni ushtarak Krivolak për stërvitje të përbashkëta.

Ministrja Shekerinska falënderoi për mbështetjen e pranimit në NATO dhe tha se anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike është shans për intensifikimin e bashkëpunimit mbrojtës mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Holandës.

“Dy shtetet tona kanë një histori të jashtëzakonshme të bashkëpunimit në mbrojtje dhe jam e bindur se pranimi i Maqedonisë së Veriut në NATO do të jep impuls të ri drejt intensifikimit të sërishëm të këtij bashkëpunimi dhe mbajtjes së stërvitjeve të përbashkëta”, tha Shekerinska.

Admirali Bauer i uroi Shekerinskës për anëtarësimin e vendit në NATO dhe për mandatin e ri të qeverisë dhe shprehu gatishmëri që Holanda të marrë një rol më aktiv në udhëheqësinë e Maqedonisë së Veriut në strukturat e NATO-s me qëllim që vendi sa më shpejtë të përshtatet në Aleancën.

Komandanti i Forcave të Armatosura të Holandës ndodhet për vizitë treditëshe në Maqedoninë e Veriut, që siç njoftoi Ambasada e Holandës paraqet edhe shënim të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button