Analizë: RMV, kur librat bëhen “mollë sheri”, çfarë prej 1 shtatorit?

Jo më shumë se 20 ditë na ndajnë nga dita kur është e paraparë fillimi i vitit shkollor 2020-2021. Megjithatë, në qoftë se merren parasysh të gjitha palët kompetente për këtë proces, lehet përshtypja sikur bisedohet për diçka që pritet të ndodhe pas 1 viti ose më shumë. Ministri Ademi sot prezantoi 3 modele të mundshme, PortAlb siguroi protokollin i cili duhet respektuar në qoftë se mbahet mësimi në shkollë. Ndërkaq, përveç institucioneve, të ndarë për këtë janë edhe mësimdhënësit, prindërit si dhe ojq-të, shkruan Portalb.mk.

Në zyrat e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse sot i pranishëm ka qenë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, ai shpjegoi se para atyre ka prezantuar 3 modelet e mundshme për mbajtjen e procesit arsimor nga shtatori. Megjithatë, ata nuk kanë arritur të merren vesh.

“Sot kemi pasur takim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse ku edhe personalisht kam marrë pjesë, me çka kam prezantuar planin për organizimin e procesit edukativo arsimor 2020-2021, janë prezantuar të 3 modelet të cilat janë përgatitur nga një grup i gjerë i punës formuar nga ana jonë dhe janë prezantuar të gjitha argumentet që shkojnë në favor por edhe rreziqet që shoqërojnë të tre modelet” theksoi Ademi në një konferencë për shtyp sot.

Cilat janë tre modelet e mundshme?

Modeli i parë – Mësimi të mbahet me prezencë fizike të nxënësve, me çka do të duhet të respektohen të gjitha protokollet e përcaktuara nga ministria e Arsimit, për mbrojtje nga përhapja e virusit korona.

Modeli i dytë – Mësimi të mbahet online, gjegjësisht të vazhdoje në formën si edhe përfundoi viti i fundit shkollor për shkak të pandemisë me virusin korona.

Modeli i tretë – Ky model parasheh kombinimin e dy modeleve të para, gjegjësisht, në klasat ku distanca fizike është e pamundur për shkak të numrit të madh të nxënësve, nxënësit të ndahen në grupe, edhe atë një javë një grup të mbaje mësim në shkollë kurse grupi tjetër online, e javën tjetër të ndërrohen.

Klikoni KËTU për të parë protokollet e ministrisë së Arsimit për mbajtjen e mësimit me prezencë fizike, të siguruar nga Portalb.mk.

Një term të pa-precedent përdori sot Ademi, ai tha se ka gjasa që ky vit shkollor të prolongohet.

“Në qoftë se vendosim për njërën nga këto tre modele, do të duhet patjetër të kemi ndryshime ligjore, e për ndryshime ligjore na nevojitet parlament funksional, andaj bëjmë me dije se mund të vije deri te prolongimi i këtij viti shkollor. Prolongimi i vitit shkollor mund të ndodhe edhe në qoftë se ka përkeqësim të gjendjes epidemiologjike” shtoi Ademi.

Përderisa Ademi u shpreh qartë se nga ministria e Shëndetësisë janë më shumë për modelin e parë, apo për mbajtje të mësimit me prezencë fizike duke respektuar masat, nga ministria e Shëndetësisë, dje Filipçe u shpreh kështu.

Ministri Venko Filipçe

“Qëndrimi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse është që mësimi të fillojë të realizohet onllajn, përveç për klasat e para në të cilat nevojitet prani fizike e fëmijëve” tha Filipçe dje.

A mund të shkojnë bashkë mësimi me prezencë fizike me shëndetin e nxënësve?

Për shembull e morëm Komunën e Tetovës, e cila në territorin e vet ka gjithsej 7 shkolla të mesme dhe secila shkollë ka rreth 900 nxënës, ajo Ekonomike 1113.

Numri i përgjithshëm i nxënësve në këto 7 shkollat e Mesme është 6633 kurse në secilën klasë ka rreth 25-30 nxënës, që i bije mësimi me prezencë fizike si dhe duke respektuar protokollet e distancës fizike, mbajtjes së maskës mbrojtëse dhe dezinfektimit pothuajse është i pamundur, këtu marrë parasysh edhe madhësinë e klasave në këto shkolla.

Institucionet nuk mund të merren vesh, po mësimdhënësit çfarë thonë?

Lulzime Xhelili Lazami, mësimdhënëse.
Lulzime Xhelili Lazami, mësimdhënëse.

Lulzime Xhelili Lazami është mësimdhënëse në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejcinoviq”, sipas saj, mësimi online është i pa-pranueshëm dhe nuk ka dhënë efektet e veta, ajo thotë se mësimi merr kuptim tjetër kur ju shpjegohet sy në sy nxënësve.

“Mësimi ne distancë është tejet i rende dhe i papranueshëm për mua. Kur them i rënde kam parasysh të gjithë nxënësit dhe mësuesit të cilët duhet të jenë të përgatitur me internet dhe kompjuterë për tu zhvilluar si duhet. Në vendin tonë ky lloj mësimi mbeti gjysmak. Mirëpo, krahas asaj që u gjetëm të papërgatitur nga armiku i fshehur, edhe mësimi online e pati funksionin e tij, sepse nxënësit nuk u shkëputen krejtësisht nga libri dhe dija. Tani,kur bota po përballet gati 6-7muaj me ketë virus,nuk mund të themi se jemi te papërgatitur. Ministria e Arsimit duhet ta kishe menduar mire se si do ti ktheje nxënësit dhe studentet në shkolla. Personalisht e përkrahi idenë që nxënësit të jenë prezent fizikisht ne shkollë dhe ketë mendim e jap me plot bindje, edhe si prind por edhe si mësimdhënëse. Duhet ndjekur shembull nga vendet tjera të botës. Gati të gjithë po kthehen në shkollë. Ka gjasa qe ki virus të jetë në jetën tonë deri ne fund te vitit 2021,dhe a thua valle ne deri atëherë nuk duhet kthyer ne shkollë. Kjo ishte një humbje e madhe për nxënësit, pasi që mësimi online nuk ka rezultate te mëdha dhe te duhura. Të gjithë ishim dëshmitare te kësaj pune. Një numër i nxënësve nuk arritën te pajisen me laptop e internet” theksoi Lulzime Xhelili Lazami, mësimdhënëse.

Bashkim Ziberi
Bashkim Ziberi

E përderisa Xhelili e kërkon me ngulm që mësimi të mbahet me prezencë fizike, mendim pak më të ndryshëm ka profesori universitar Bashkim Ziberi, sipas tij modeli më i përshtatshëm do të ishte ai i kombinuar, ku disa nxënës do të ishin në klasë e të tjerët online, kështu duke u ndërruar.

“Duke marrë parasysh specifikat e shoqërisë sonë, ku fëmijët edhe ashtu ditën e kalojnë duke lozur nëpër lagje apo endur rrugëve, ku një pjesë e mirë  e prindërve ndjehen të stërngarkuar me menaxhimin e fëmijëve, veçanërisht me ndjekjen e procesit mësimor dhe të mësuarit të fëmijëve në shtëpi,  modeli më i përshtatshëm i fillimit të mësimit më një Shtator është ai i kombinuar.

Sipas mendimit tim ky model do të parashihte mësim të kombinuar me prezencë në klasë dhe mësim në distancë. Nxënësit e të njejtit ndërrim do të ndahen në dy grupe dhe çdo grup do të ndjekë mësimin me prezencë fizike dy gjegjësisht tre ditë (nëse përfshihet edhe e Shtuna si ditë pune) në javë me kohëzgjatje orësh prej 30 deri 40 minuta. Në këtë mënyrë arsimtarët kanë mundësi ta trajtojnë materialin bazë të lëndës. Me anë të mësimit online me video komunikim nxënësit do të kenë mundësi të marrin sqarime shtesë mbi tematikat e trajtuara me prezencë fizike.

Kuptohet se ky sistem kërkon shkathtësi nga arsimtarët në identifikimin e temave më të rëndësishme të lëndës për trajtim në klasë, si dhe shkathtësi në shfrytëzimin e platformave online si dhe të resurseve tjera digjitale që ofrohen sot e të cilat janë të shumëllojta. Për një përgatitje të tillë duhet një trajnim paraprak i arsimtarëve. Për sa takon procesit mësimor në Universitete, duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe unë jam mësim me prezencë fizike dhe besoj se shumica e Universiteteve janë në gjendje të krijojnë kushte për një ambient të sigurt pune për profesorët dhe mësimi për studentët” tha Bashkim Ziberi, profesor universitar.

E në pyetjen se a ndjehet i rrezikuar për shëndetin e tij, Ziberi thotë se “Kuptohet se ekziston një rrezikshmëri minimale e infektimit të arsimtarëve por kjo rrezikshmëri nuk është më e madhe se në rastin e personelit mjekësor. Besoj se me një përkushtim më serioz të arsimtarëve dhe të personelit të shkollës, me respektim të rekomandimeve të dhëna nga instituti i shëndetit publik ky rrezik mund të minimalizohet. Këtu duhet të mendohet në rritjen e kompensimit të arsimtarëve ngjashëm si tek personeli mjekësor”.

Në fejsbuk mbi 10,000 anëtarë “protestojnë” që mësimi të mbahet online.

Të kontaktuar nga PortAlb.mk, krijuesit e këtij grupi thonë se marrë parasysh gjendjen aktuale me virusin korona në Maqedoninë e Veriut, mësimi duhet patjetër të zhvillohet online. Ata kanë disa kërkesa deri te ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Qeveria e RMV-së, njëra prej tyre është që urgjentisht të merret vendim për mbajtjen e procesit edukativo-arsimor online.

Grupi për mësimin online.
Grupi për mësimin online.

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme për mësim të kombinuar

Dhjetë ditë më herët nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme dolën me platformë për atë se si duhet zhvilluar mësimi online, nga kjo organizatë joqeveritare janë për modelin e tretë të prezantuar nga ministria e Arsimit, respektivisht për modelin e kombinuar.

Nga kjo organizatë shprehen se “shkollat janë zemra e çdo shoqërie. Ata mbajnë të bashkuar njerëz dhe komunitete, përtej qëllimeve edukative që ato kanë në thelb. Ata duhet të njihen si ambiente të sigurta, të jenë të menaxhuara në mënyrë të përshtatshme, të jenë të pajisura me kushte dhe të jenë të përkrahura nga autoritetet shtetërore dhe lokale”.

Ndryshe, ende nuk është marrë vendim se me cilin model për zhvillim të procesit edukativo arsimor 2020-2021 do të përshtatet Maqedonia e Veriut, ky vendim pritet të merret ditëve në vijim si dhe për tu bërë i njëjti i plotfuqishëm, shteti do të duhet të ketë parlament funksional në mënyrë që të votohen ndryshimet ligjore në ligjin për Arsim fillor dhe të mesëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button