UKA

Uka ka dalë në bahçe. Ecën me duar të lidhura pas shpine dhe i shikon lulet. Pastaj ndalet. Përqendrohet kah rrethoja me brushtull. E shoqja e tij, Lila del në dritare. O njeri, thotë ajo, sa ecën ashtu, merre zorrën e ujit dhe stërpiki ngapak këto lulet e shkreta. Ato na falin bukurinë e tyre, por edhe ne duhet t’ua bëjmë hyzmetin. Po Uka i ka harruar lulet. Në rrethojën e ulët mbi të cilën lëshohet një degë rrapi, qëndron një grua bionde, nën hije. Flokët e saj i lëviz era e lehtë, kurse këmisha e saj e kaltër dallohet midis ngjyrave të kopshtit.

Era e lëviz pakëz edhe degën e rrapit dhe dielli ia praron fytyrën bukuroshes që rri aty. Disa harabela ia japin nga qershia e ulët afër të cilës është ndalur Uka dhe kalojnë në bahçet tjera. Era në atë çast fryn pak më fort dhe e përplas dritaren. Asaj i vjen sikur i shoqi ta kishte bërë me magji këtë përplasje me ç’rast dritarja e godet në ballë, por për fat të mirë as ballin ia vret e as xhami thyhet.

Ajo përsëri e hap dritaren: O njeri! i thotë Ukës, a më dëgjove? Uka s’i përgjigjet. Është dalldisur andej kah gruaja e re bionde e mbështetur me bërryl në rrethojën e bahçes së tij. Ai tash është shpërndarë në mendime. Kjo, biondja, ia sjell ndër kujtime të gjitha sokaqet, të gjitha bahçet, të gjitha rrethojat të cilat kanë qenë pjesë e fatit të rinisë së tij, kur dashuria ishte tepër e ndaluar, por që pikërisht ndalesa e fortë e bënte më tërheqës erosin, i cili gjente mënyra që t’i përdorë shigjetëzat e tij të arta e përmes tyre ta ndezë flakën e dashurisë midis të rinjve, të cilët dinin që edhe kokën ta shtinë në rrezik e të futen në ndonjë mashën apo në ndonjë kënd të rrethojave, të mbrojtur nga errësira e t’i shkëmbejnë flakët e tyre të afshit.

I kujtohet ky erosi, i cili shumicën e qëllonte me shigjetëz të artë, por kishte edhe të atillë që djalin ta qëllojë me shigjetëz të artë e djali atëherë digjej pas vajzës, kurse vajzën e adhuruar e qëllonte me shigjetëz të argjendtë, shigjetë e cila e bënte vajzën që fuqimisht ta refuzojë dashurinë e djalit. Shigjeta e artë e kishte qëlluar Ukën për Nazen sepse e kishte ëndërr të bjerë në përqafimin e kësaj shtojzovalleje bionde, siç ka qejf ta quajë Nazen.

Digjej Uka pas Nazes syshkruar, mirëpo ajo ia kthente me të keq. Hiqmu qafe o Ukë! i kishte thënë Nazja. Kaq dhëmbin ta bësh nuk do të bëhem jotja! i kishte thënë Nazja duke i dreguar gishtin tregues të dorës së djathtë. Po Uka i shkretë nuk hiqte dorë. Ndërkaq të shoqen e tashme të Ukës, Lilën, asokohe e kishte qëlluar me shigjetë të artë Erosi për Ukën, kurse Uka e kishte marrë shigjetën e dytë të argjendtë, që bëri Uka mos të ketë mirëkuptim për djegën e Lilës. E kam Nazen  për këtë jetë dhe për jetën tjetër! thoshte Uka.

Po ndërhynë atëherë prindërit e Ukës dhe çuan shkues te prindërit e Lilës. Për martesë pyeten prindërit, biro! i kishin thënë. Prindërit ta gjejnë nusen të oxhakut, jo të buxhakut. U bë si u bë – Uka u martua me Lilën. Mirëpo shigjeta e artë e Erosit që e kishte qëlluar për Nazen, ende e digjte si gacë në zemër. Kurse kjo biondja që rrinte aty te rrethoja, ishte thuajse vetë Nazja. Ndërkohë vjen dikush, një djalë, e biondja largohet, mirëpo  hija e saj që e ngjalli Nazen e tij për Ukën mbet aty, te rrethoja me brushtull.

E shoqja, e hapi edhe një herë dritaren dhe e thërret: O njeri!. Uka përsëri nuk i përgjigjet, por rri si cung. Lila e mërzitur del jash, i afrohet të shoqit. O njeri, të thërrita disa herë, s’më dëgjove. Thashë t’i kishe stërpikur pak lulet! Po, moj Lilë, do t’i ujis! thotë Uka, po s’e ngre kryet ta shikojë të shoqen e cila digjet pas tij. E merr Uka zorrën e ujit dhe i stërpik lulet. Hë, të paça o xhan! ia bën Lila. Uka hesht, i stërpik lulet me indiferencë dhe vazhdimisht aty te rrethoja e sheh Nazen. Nazja i qëndron si përmendore te rrethoja, e buzëqeshur.

Lila shkon pas punëve, kurse Ukës i kujtohet si i kishte thënë Nazes te kroi: O moj Naze, kur po vjen te kroi, bari bën muzikë me hapat e tu, lulet çelin me buzëqeshjen tënde dhe zogjtë këndojnë për bukurinë tënde. Nazes i pëlqyen këto fjalë,  mirëpo ai helmi i shigjetës së argjendtë të erosit nuk e lejonte t’i japë ndonjë shpresë Ukës. Ajo atëherë i kishte thënë: Hiqmu qafe, o Ukë. Kurrë s’mund të të dua! Uka i shkretë tash i stërpik lulet dhe nuk e dallon a janë lotët e tij që po i stërpikën lulet, apo është uji. Atë vazhdon ta përvëlojë ajo shigjetëza e artë që i ka lënë plagë në zemër! Dhe, thotë: ah moj Naze, ma dogje shpirtin, ma çove kot jetën! Unë, moj Naze, ende të dua! shton. Ndërkohë e shoqja Lila e thërret të hanë drekë. S’jam i uritur, thotë Uka.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button