Reagon Delegacioni i BE-së në Shkup për rastin e Kezharovskit

Delegacioni i Bashkimit Evropian dërgoi një njoftim deri te Këshilli iniciativ për heqjen e masës së paraburgimit ose zëvendësimin me burg shtëpiak për gazetarin Tomisllav Kezharovski, i cili prej fundit të muajit maj gjendet në burgun hetues të Shutkës.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian për së afërmi e ndjek procesin gjyqësor që ka të bëjë me arrestimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski dhe vendimin e gjykatës për vazhdimin e sërishëm të paraburgimit edhe për 30 ditë të tjera. Duam të theksojmë se legjislacioni i vendit parasheh që masa e paraburgimit të shfrytëzohet në kohën sa më të shkurtë të nevojshme dhe të gjitha institucionet kompetente për zbatimin e ligjit të veprojnë me shpejtësi që të përshpejtohen rastet kur të akuzuarit gjenden në paraburgim para gjykimit. Delegacioni Evropian është i brengosur për ngjarjet e paradokohshme, duke e përfshirë edhe vendimin e gazetarit Kezharovski që të fillojë grevë urie”, thuhet në komunikatën e Delegacionit të BE-së në Shkup.

Në lidhje me këtë rast, sot reaguan edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (FNG) dhe dega e saj evropiane, Federata Evropiane e Gazetarëve (FEG), ndërsa kolegët e Kezharovskit mbajtën protestë para gjykatës në Shkup duke kërkuar lirimin e tij. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button