ASH- AlternAtivA: Marshi për Demokraci synon mbrojtjen e demokracisë dhe kthimin e besimit në vlerat demokratike

Nesër (e hënë) koalicioni ASH-Alternativa përmes protestës “Marshi për Demokraci” do të shpreh revoltën, kundër parregullsive zgjedhore dhe shkeljes së vullnetit të qytetarëve.

“Vetëm një ditë para mbajtjes së Marshit për Demokraci sot jemi këtu për t’ju informuar shkurtimisht me rrjedhën e këtij organizimi dhe masat që janë ndërmarrë dhe ndërmerren për mbarëvajtjen e tij. Me këtë rast, para së gjithash, dëshiroj t’ju informoj se Marshi për Demokraci më shumë se protestë është një shprehje publike e vullnetit të qytetarit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili pas zgjedhjeve të fundit konsideron se seriozisht është dëmtuar demokracia dhe mënyra e shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarit shqiptar. Si shenjë e shprehjes së revoltës për suprimimin e të drejtës më sublime të votës së lirë, ky marsh pikërisht para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup do të japë mesazhet se një vend që po i fillon negociatat për qenë anëtar i BE-së nuk guxon të lejojë që një pjesë e qytetarëve të tij të privohen nga e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur, që është e drejta elementare njerëzore dhe politike në BE. Simbolet e këtij marshi do të jenë simbolet kombëtare dhe të aleateve tanë perëndimorë, ndërsa sloganet do të jenë të lidhura vetëm me mbrojtjen e demokracisë, ashtu që çdo simbol tjetër dhe çdo thirrje tjetër që shpreh fobi, urrejtje ose fyerje ndaj kujtdo qoftë është kundër synimeve të këtij marshi”, thuhet në njoftim.

Marshi do të fillojë në orën 19.00 nga Parku i Çairit në Shkup, do të kalojë nëpër rrugën Cvetan Dimov, te qendra “Mavrovasja” do të kthejë në të djathtë për të kaluar para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut e për të përfunduar në orën 20.00 para Zyrave të Delegacionit të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, për të evituar çfarëdo mundësie për infektim, organizatorët janë kujdesur edhe për numrin e pjesëmarrësve. Në të vërtetë, për koalicionin asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti. Prandaj, maskat mbrojtëse dhe ruajtja e distancës dhe e kujdesit për shëndetin e pjesëmarrësve janë detyrime të patjetërsueshme të një aksioni të suksesshëm qytetar.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button