Thaçi: Të mos lejojmë që dialogu të zbresë në nivelin teknik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti për të biseduar rreth bashkëpunimit ndërinstitucional në menaxhimin e koronavirusit të ri (COVID-19) si dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Kosovës tha se me kryeministrin Hoti kanë diskutuar për masat e marra nga Qeveria për parandalimin e koronavirusit si dhe ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve nga kriza ekonomike e shkaktuar nga ky virus.

Thaçi nga zyra e tij në Presidencë tha se sa i përket dialogut, duhet të sqarohet pozicioni i Kosovës duke mos lejuar që dialogu Kosovë-Serbi të zbresë në nivel teknik. Ai theksoi se në këtë drejtim shpreson nga kryeministri Hoti që të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë të përfshirjes në dialog, qoftë politik apo qytetar.

“Ne duhet ta ruajmë dhe forcojmë identitetin tonë shtetëror. Dhe që duhet ta kemi një pikë të diskutimit dhe pastaj vijnë çështjet tjera. Ne duhet të qartësojmë raportin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, të ndodhë njohja reciproke dhe në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbres në nivel teknik, sepse raporti Kosovë-Serbi është kryekëput politik dhe jo teknik. Nivel teknik nënkupton status-quo dhe respektim i agjendës së Serbisë, në anën tjetër ne do të shikojmë interesat e shtetit tonë, interesat e shoqërisë tonë”, tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti siguroi se “në asnjë moment dialogu nuk do të rrëshqasë në nivel teknik”, ndërsa për këtë theksoi se i gjithë procesi i dialogut do të mbetet transparent.

Hoti për dialogun tha se tani është një momentum i mirë, ngase ka kyçje të vendeve të BE-së në këtë proces, në veçanti Gjermanisë e Francës, ndërsa tha se shpreson që “në muajt e ardhshëm të përmbyllet ky proces”.

“Ne do të sigurojmë të gjithë së bashku që në asnjë moment dialogu të mos rrëshqasë në nivel teknik por ta mbajmë të fokusuar në objektivin tonë kryesor që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Po mundohemi të bëjmë maksimumin që të koordinojmë gjithë aktivitetin me partnerët tanë ndërkombëtarë sepse është tepër jetikë që të jenë të përfshirë të gjithë”, tha Hoti i cili sot pritet të raportojë para deputetëve në Kuvendi e Kosovës për takimin e tij në Bruksel më 16 korrik në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Pas një takimi virtual më 12 korrik të palëve, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel rifilloi më 16 korrik.

Qeveria e Kosovës emëroi të martën Skënder Hysenin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si koordinator nacional për dialogun Kosovë-Serbi. Ndërsa Hyseni e përfaqësoi dje Kosovën në një takim të thirrur midis ekspertësh për diskutuar temat të cilat u ngritën në takimin e 16 korrikut, për të pagjeturit e luftës si dhe bashkëpunimin ekonomik.

Një nivel i tillë i diskutimit i cili u quajt teknik nga ish-kryenegociatorja e dialogut Edita Tahiri, u pa me skepticizëm për të mirën e vendit dhe u kundërshtua. Gjë që shtyri kryeministrin Hoti të mohonte se dialogu Kosovë-Serbi po zbret në nivel teknik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button