Quçuk: Sundimi i të drejtës do të jetë prioritet gjatë procesit negociues
Marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe me Greqinë janë pjesë përbërëse e kornizës negociuese të KE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, deklaroi eurodeputeti bullgar dhe raportues i Parlamentit Evropian për vendin tonë Ilhan Quçuk, shkruan MIA.
Ai sqaron se në kornizën e BE-së për Maqedoninë e Veriut nuk ekziston tekst eksplicit në të cilin insistohet në vazhdimin e punës të Komisionit të përbashkët Bullgari-Maqedoni për çështjet historike.
“Teksti nuk shkon në shumë detaje. Nuk është përgjegjësi e Komisionit Evropian të shkruajë në detaje, veçanërisht në një dokument të tillë kornizë, se si do të zgjidhen mosmarrëveshjet bilaterale midis dy palëve. Qëndrimi parimor është të respektohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të vazhdojnë bisedimet në atë kontekst”, tha Quçuk për Televizionin kombëtar bullgar, transmeton MIA.
Sipas tij, sundimi i të drejtës do të jetë prioritet gjatë procesit negociues.
“Të gjitha kapitujt negociues do të mbyllen kur të përmbushet kriteri bazë – sundimi i së drejtës. Vendet anëtare të BE duan garanci nga vendet negociuese”, tha Quçuk.
Në kontekstin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ai vëren se ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore, kësaj radhe tema e Bullgarisë nuk është çështja më e rëndësishme në diskursin politik të brendshëm.
“Çështja kryesore midis forcave politike në këtë fushatë është nëse vendi duhet të kthehet tre vjet pas. Një pjesë e elitës politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut e mbështet këtë tezë. Pjesa tjetër thotë se e ardhmja e vendit qëndron në BE dhe po punon për zbatimin e reformave përmes politikës aktive në bashkëpunim me partnerët dhe respektimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Në emër të së ardhmes evropiane të vendit dhe në emër të brezave të ardhshëm, ata po bëjnë sakrifica politike”, deklaroi Quçuk.
Ai u bëri thirrje politikanëve në Maqedoninë e Veriut të bëjnë gjithçka që është e mundur për të tërhequr sa më shumë qytetarë që të votojnë për platformat e tyre politike dhe kandidatët, në mënyrë që të krijojnë shumicë qeverisëse që është përgjegjës politikisht dhe ka një përparësi të qartë në lidhje me të ardhmen evropiane të vendi.