Konferenca e parë ndërqeveritare BE-RMV e cila e shënon fillimin e negociatave pritet në fund të vitit

Konferenca e parë ndërqeveritare e cila e shënon fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut, nuk pritet para fundit të këtij viti. Shtetet anëtare do të duhet të diskutojnë për zgjerimin e familjes evopiane në shtator. Nëse Këshilli i jep dritën jeshile Maqedonisë së Veriut më 10 nëntor, konferenca e parë ndërqeveritare, që shënon hapjen zyrtare të negociatave me BE, mund të pritet të zhvillohet në dhjetor. Kjo, duke pasur parasysh se vera do të jetë tërësisht e përkushtuar në tentimin të gjendet kompromis për dalje nga kriza ekonomike e BE-së dhe ardhmëria e buxhetit të saj, që e ka shkaktuar pandemia e virusit korona shkruan Portalb.mk.

Me 1 korrik 2020, Komisioni Evropian (KE) paraqiti në Këshillin e Bashkimit Evropian (BE) kornizën e re negociuese me Maqedoninë e Veriut në të cilin janë përcaktuar parimet e negociatave që duhet të hapen deri në fund të këtij vitit.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë vendi është duke u përgatitur për konferencën e cila pritet të mbahet në dhjetor 2020.

Bojan Mariçiq
Bojan Mariçiq

“Ekipet tona janë të gatshme për fillimin e negociatave dhe ne besojmë se qeveria e re pas zgjedhjeve, do të luftojë me kapacitet të plotë dhe legjitimitet si më parë për një fillim të shpejtë dhe rrjedhë të negociatave”, tha për Portalb.mk, Bojan Mariçiq, Koordinator Kombëtar për Integrimin në BE dhe kryenegociator teknik nga qeveria e RMV-së.

Nga ana tjetër, edhe pse është diskutuar që Maqedonisë së Veriut i janë hapur dyert, akoma sipas diplomatit Nano Ruzhin, shtetet anëtare të BE-së nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“Disa nga shtetet anëtare të BE-së janë mjaftë të rezervuara në çështjen që lidhet me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh pozicionet e liderëve, siç është Makroni i Francës si dhe Merkel e Gjermanisë që nuk kanë gjuhë të përbashkët, madje ende për buxhetin në përgjithësi me pandeminë, ende nuk dihet çfarë do të vendosin për zgjërimin” tha për Portalb.mk, Nano Ruzhin, ish ambasadori i NATO-s nga Maqedonia e Veriut.

Nano Ruzhin
Nano Ruzhin

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut është e gatshme dhe ka ekip për negociata, ai u shpreh skeptik në këtë pikëpamje, sepse sipas tij, shteti akoma s’ka formuar qeveri mandatare, që edhe do ta çonte vendin përpara.

“Duhet ditur se ne nuk jemi të gatshëm, sepse akoma nuk janë identifikuar personat udhëheqës të qeverisë, na presin zgjedhjet. Por, në këto kushte pandemie gjithçka është e kuptueshme”, tha Ruzhin.

Çfarë pritet nga Maqedonia e Veriut?

Drafti i kornizës së negociatave të KE-së tani do të duhet të miratohet dhe përfundimisht të modifikohet në fusha të caktuara, nëse ka konsensus midis të 27 vendeve anëtare të BE-së. Por, ajo që është e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut është se ajo gjithashtu duhet të përgatisë kornizën e vet të negociatave. Negociatat me BE nuk janë një rregullim të ligjeve, por në një farë mase një betejë me BE-në për të mbrojtur interesat kryesore ekonomike, sociale dhe të tjera kombëtare.

Hapi i parë në procedurë, pas hyrjes në kornizën e bisedimeve, është që Maqedonia e Veriut të përgatisë një udhërrëfyes për kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, gjegjësisht kapitujt 23 dhe 24. Ky klaster i kapitujve duhet të hapet së pari dhe asnjë tjetër nuk mund të hapet para tij.

Progresi në klasterin themelor do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave dhe do të merret parasysh në vendimin për hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe klasterëve të ri. KE pret që autoritetet e Maqedonisë të miratojnë tani udhërrëfyesin për këto kapituj negociues, të cilat duhet të përfshijnë përparësitë kryesore të reformës dhe zhvillimin e negociatave në këto kapituj. Zbatimi i udhërrëfyesi do të jetë nënë monitorim të vazhdueshëm nga BE në secilën nga konferencat ndërqeveritare.

Përveç udhërrëfyesi për sundimin e ligjit, Maqedonia e Veriut duhet të përgatisë një udhërrëfyes për funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike, një tjetër element thelbësor i negociatave me BE.

Eurointegrime
BE

Këtu, Maqedonia e Veriut pritet të paraqesë një kalendar me afate të qarta dhe cilat janë hapat kryesore që planifikon të ndërmarrë për të përmbushur kriteret. Ashtu si me sundimin e së drejtës, institucionet demokratike dhe administrata publike do të jenë nën një kontroll të vazhdueshëm të BE-së.

Hapat e ardhshme

Pasi Këshilli të miratojë kornizën e negociatave, Maqedonia e Veriut do të kalojë nëpër një proces të skriningut dypalësh, i cili duhet të jetë dukshëm më i shkurtër se vendet e mëparshme kandidate, pasi shqyrtimi teknik përfundoi vitin e kaluar. Ky skrining, ndryshe nga ai teknik, është interaktiv, BE do ta informon Maqedoninë e Veriut se deri ku ka mbërri me legjislacionin e BE-së në secilën fushë, si zhvillohet dhe ndryshon dhe i identifikon temat kryesore që do të jenë pjesë e vetë negociatave. Kjo pjesë jashtëzakonisht teknike mundëson përgatitje dhe përcaktim më të mirë të të ashtuquajturave “bençmark” ose udhërrëfyesve, mbi bazën e të cilave merret vendimi për hapjen e një klasteri kapitujsh.

Pas përmbushjes së udhërrëfyesve, vijojnë negociatat sipas klasterëve, përkatësisht, hapja e të gjithë kapitujve të një klasteri menjëherë, për dallim nga hapja e mëparshme e kapitujve një-nga-një. Komisioni Evropian kërkon që afati midis hapjes së një klasteri dhe mbylljes së kapitujve të klasterit të mos jetë më shumë se një vit, nëse është e mundur, dhe plotësisht në varësi të përparimit të vendit negociues.

Maqedonia e Veriut do të duhet të shprehë qartë pozicionin e saj për legjislacionin e BE-së dhe të raportojë për përparimin e saj në përmbushjen e standardeve. Shpejtësia e përmbushjes së kritereve dhe proaktivitetit të vendit negociues duhet të jetë masa e vetme e shpejtësisë së negociatave dhe përfundimit të tyre.

Komisioni Evropian
Komisioni Evropian

Bisedimet do të zhvillohen kryesisht në nivel ministror, ​​me ndihmën e grupeve të punës, ndërsa impulsin politik do ta japin konferencat ndërqeveritare në të cilat BE dhe Maqedonia e Veriut përfaqësohen në nivelin më të lartë.

Sipas draft agjendës së presidencës gjermane, e cila do të kryesojë takimet kryesore ministrore të BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm dhe, mbi të gjitha, më Këshillin i çështjeve të përgjithshme, ku do të vendoset për zgjerimin, korniza e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë në rend të ditës më 10 nëntor.

Deri atëherë, të dy palët (BE dhe Maqedonia e Veriut) duhet të përgatisin pozicionet e tyre negociuese në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse Këshilli i jep dritën jeshile Maqedonisë së Veriut më 10 nëntor, konferenca e parë ndërqeveritare, që shënon hapjen zyrtare të negociatave me BE, mund të pritet të zhvillohet në dhjetor të këtij viti.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button