Deklaratë e Shefit të Delegacionit të BE-së dhe Ambasadorëve të shteteve-anëtare të përfaqësuara në Shkup

Ambasadorët e shteteve-anëtare të Bashkimit Evropian të përfaqësuara në Shkup në krye me shefin e Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Samuel Zhbogar kanë dërguar një deklaratë në të cilën komentohen zgjedhjet e 15 korrikut në RMV, transmeton Portalb.mk.

PORTALB E PËRCJELL DEKLARATËN E PLOTË

  1. E mirëpresim marrëveshjen e arritur midis partive politike për datën e zgjedhjeve. Ne e njohim rolin e Kryetarit të shtetit në lehtësimin e dialogut ndërmjet partive duke i mundësuar vendit fillimin e procesit zgjedhor në bazë të konsensusit, dhe mbarëvajtje të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të besueshme.
  1. Jemi të bindur se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të demonstrojnë përkushtimin e tyre për demokracinë parlamentare duke ushtruar të drejtën e tyre për të votuar për drejtimin dhe prioritetet e vendit.
  1. Ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të fillojë negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, ajo do të përfitojë nga kthimi i funksionimit të plotë të kuvendit, duke i mundësuar të vazhdojë të ndjekë dhe zbatojë reformat kryesore, si dhe të përgatitet për negociata.
  1. Si Evropianë, të gjithë së bashku jemi ballafaquar me pasojat e krizës nga COVID-19. Kriza nuk ka mbaruar dhe respektimi i të gjitha masave parandaluese është akoma e një rëndësie thelbësore për të gjithë ne. Mirëpresim vendosjen e protokolleve dhe procedurave që u mundësojnë qytetarëve të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike, duke siguruar mbrojtje të shëndetit dhe sigurisë së tyre dhe inkurajojmë ata që janë përgjegjës për zbatimin e tyre të marrin trajnimin dhe mbështetjen e duhur.
  1. Komisioni Shtetëror  Zgjedhor ka detyra të veçanta në këtë kohë, të cilat duhet të ushtrohen në mënyrë të pavarur dhe profesionale në interes të vendit dhe me mbështetjen e institucioneve të tjera shtetërore. Në interes të vendosjes së njohjes ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të drejta, ne mirëpresim vendimin e OSBE / ODIHR për të vlerësuar zgjedhjet.
  1. Presim që të gjitha partitë politike të bëjnë fushatë në kuadër të ligjit duke respektuar të gjitha masat paraprake për COVID-19. Procesi zgjedhor është një mundësi për aktorët politikë, nga të gjitha palët, të riafirmojnë dhe demonstrojnë qartë angazhimin e tyre ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të standardeve më të larta evropiane, përfshirë këtu shmangje të fjalorit nxitës, lajmet e rrejshme dhe diskriminimin.
  1. Ne e njohim rëndësinë e mediave të lira dhe të pavarura për demokracinë dhe i inkurajojmë ato që të ushtrojnë rolin e tyre të rëndësishëm veçanërisht gjatë kohës së zgjedhjeve në mënyrë profesionale dhe të matur duke u siguruar qytetarëve informacion të besueshëm për vendimet e tyre në kutinë e votimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button