Hoti para deputetëve: Kosova duhet të dëgjojë partnerët e saj ndërkombëtarë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka raportuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi para takimit me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë në Washington, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në seancën për interpelancë të kryeministrit, të thirrur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu dhe gjashtë deputetë të tjerë të Kuvendit, Hoti ka shpalosur parimet, organizimin dhe objektivat e procesit të dialogut, tashmë të njoftuara edhe ditë më parë nga ai.

“Ky dialog nuk do të jetë i suksesshëm. Nuk mund të mbërrijmë marrëveshje nëse opozita nuk merr pjesë në të gjitha fazat e arritjes së marrëveshjes. Opozitën unë e ftoj që të bëhet pjesë vetëm duke shfrytëzuar mekanizmat kushtetuese dhe jo mekanizma jashtëinstitucionale”, tha Hoti, i cili theksoi se edhe sot u ka bërë ftesë dy liderëve të opozitës për takim me ta që t’i informojë “në detaje për pritjet dhe qëndrimet në Washington”.

Më tej, Hoti theksoi se Kosova duhet të dëgjojë partnerët e saj ndërkombëtarë sa i përket qasjes që kanë në këtë proces, qasje e cila e sheh dialogun si qëllim “që çon në njohje reciproke”.

“Mos prisni që të kemi platformë formale që do ta diskutojmë dhe miratojmë. Platforma për dialog është Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kompetencat kushtetuese i kemi të qarta edhe unë si kryeministër edhe Presidenca edhe ju si deputetë për ta mbikëqyrur këtë proces”, tha Hoti, i cili përfshirjen e SHBA-ve në dialog e quajti “ndihmuese kreative” të procesit.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë kërkuar sqarim të detajuar nga kryeministri Hoti se për çfarë do të diskutohet në Washington midis Kosovës dhe Serbisë.

Parashtruesi i kërkesës për këtë seancë, deputeti Aliu, kritikoi kryeministrin Hoti se ka kthyer rolin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në dialog “duke dobësuar rolin e Qeverisë”.

“Rikthimi i Thaçit në dialog është dobësim i pozitës politike të Kosovës në dialog. Zotëri Hoti e riktheu Thaçin e njëjtë, të dëshiruarin e dialogut në të kaluarën”, tha Aliu.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha se ka kërkuar që partia e kryeministrit Hoti, respektivisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si dhe Lëvizja Vetëvendosje t’i sjellin me shkrim në Kuvend qëndrimet për dialogun, sepse sipas tij, deri më tani të dy partitë “i kanë ndërruar fjalët” rreth këtij procesi.

“Ku janë SHBA-të, aty duhet të jetë edhe Kosova. BE duhet ta njohë shtetin e Kosovës dhe t’i hapë rrugë integrimit dhe liberalizimit të vizave”, ka thënë tutje Veseli.

Më 25 qershor, kryeministri Hoti pritet të udhëtojë në Bruksel për takime me krerët e Bashkimit Evropian (BE) dhe nga aty do të niset për në Washnigton, ku më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë së bashku me presidentin Thaçi do të kenë takim me palën serbe në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Sot më herët, Hoti zhvilloi takim me presidentin Thaçi, i cili në një njoftim për media tha se janë takuar për të “harmonizuar qëndrimet për një përfaqësim sa më të mirë të Kosovës në këtë takim të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button