PLAKU I KATUNDIT

Ka qenë njëherë moti një plak katundi, ashtu i themi ne – plak katundi, nuk i themi kryeplak, një plak katundi ishte ky që kujdesej për katundin në kohë të turbullta. Mundohej ta mbante larg katundit pushtetin e kuq të atëhershëm. U bënte sajgi naçallnikëve që ta anashkalojnë katundin e tij, ama e kishte shprehi para se të merrte ndonjë vendim e mblidhte parësimin e katundit e këtë parësim e përbënin burra pleq, kështu i bie që plaku i katundit në të vërtetë e mblidhte senatin e katundit. Sa herë që vendoste ta mbledhë parësimin e para e punës ishte ta njoftojë lajmësin, një djalë i ri e i zhdërvjelltë,  t’i tregojë atij se dhe e porosiste të shkojë e ta njoftojë parsimin fjalë për fjale si e kishte mësuar ai e t’u thotë se parsimi menjëherë të dalë te mejtepi ta pleqnojnë punën se çfarë do t’u thonë naçallnikëve.

Mirë e kishte menduar plaku i katundit se ai kishte qenë plak katundi edhe në kohën e kralit, pra kishte edhe moshë, edhe përvojë dhe e mbante në mend mirë se shpeshherë e kishte nxjerrë katundin prej telashes me kujdesin që tregonte. Lajmësi i bënte hyzmet punës së tij dhe gjithmonë ishte i gatshëm t’i bëjë me saktësi detyrat që ia jepte plaku i katundit. Kur e merrte detyrën lajmësi, kurrë nuk e lente pa i thënë: siurdhëro zotëri plak, sepse këtë siurdhëro dhe të përshëndesë ashtu si duhet e kishte mësuar në kohën e Shqipërisë nga një mësues elbasanas kur kishte qenë në klasën e parë në katundin tonë. Sa herë që thoshte siurdhëro plaku i katundit e vinte buzën në gaz, i bëhej qejfi dhe i binte butas në sup në shenjë afërie e madje miqësie që ishte krijuar midis tyre, sepse gjithmonë kishin qenë besnikë njëri me tjetrin.

Po herën e fundit kur plaku i katundit i kishte thënë lajmësit të shkonte ta mblidhte parsimin se pasnesër e kishte ndërmend të thërriste për një drekë tre naçallnikë që ta qerësonte kështu pushtetin i cili grindej si qeni i tërbuar ky lajmësi e mori guximin ta pyesë plakun e katundit, ta pyesë për diçka që e brente gjatë kohë e pyetja e lajmësit qe: pse o zotëri plak i katundit u bën aq sajgi atyre naçallnikëve? Për vete, shtoi lajmësi, nuk do t’u kisha bërë nder këtyre qenëve të tërbuar, pikërisht kështu i quajti “qenë të tërbuar”, sepse këta janë ata që kanë bërë zullume të mëdha te katundi i dajëve të mi gjatë aksionit të armëve. Këta, tha lajmësi, kanë vrarë e kanë plaçkitur… Dhe, e mbaj mend mirë, shtoi lajmësi, mësuesi elbasanas na ka thënë kurrë mos u besoni të kuqve! Plaku i katundit u ndal dhe e shikoi mirë lajmësin që ishte shumë më i ri se ai.

Dëgjo, biri im, tha plaku i katundit, këta që do të vijnë janë ata që kanë dhënë urdhër të vriten pesë burra të pafajshëm në katundin tonë fqinj – në Sukth pse kanë thën “poshtë të kuqrë”!… Nuk dua që edhe katundi ynë ta pësojë so Sukthi! Shko ti, shtoi plaku i katundit, mblidhi parsimin dhe qëndro me ne kur ta pleqnojmë punën e do të dëgjosh pse i thërrasim e pse u bëjmë sajgi. Lajmësi i tha: siurdhëro zotëri plak i katundit dhe u nis. Por plaku i katundit e ndali: prit pak, prit!… Lajmësi u kthye, kurse plaku i katundit i tha: kur je në zor, biri im, kur je në ngushticë e je vet dhe s’mund të dalësh e nuk je trimi i mirë me shokë shumë, atëherë edhe derrit do t’i thuash dajë! Tjerat shkaqe pse do t’i thërrasim naçallnikët do ta dëgjosh në mledhinë tonë. Hajt tash shko! Dhe, lajmësi u nis, pa e harruar atë: siurdhëro zotëri plak!

Te mejtepi ishte një si bodrum i zbrazur nëpër të cilin kalonte përroi kryesor i katundit, gurgullima e të cilit e hidhte ndonjë notë gëzimi në mërzinë, pikëllimin e pleqve që u mblodhën, sepse naçallnikëve nuk iu dihej. Ti i thërret t’u bësh nder, por ata mund të të befasojnë keq, sepse ata besë nuk kanë. U mblodh parsimi, të gjithë pleq me mjekrra. Midis tyre edhe lajmësi. Pleqtë i hodhën një shikim pyetës lajmësit që donte të thotë: po ti ç’pret këtu? Mirëpo plaku i katundit u tha se vetë e kishte ndalur, sepse duhet ta përcjellim përvojën tonë te më të rinjtë. Dhe, lajmësi u ul si në skaj të mbledhisë në një karrige edhe më të keqe nga karrigat e këqija që i mbanin në bodrumin e mejtepit. Mirë. Pastaj plaku i katundit pyeti: a ia nisim mbledhisë? Po, thanë parsimi. Katundarë e dashamirë, tha plaku, e keni marrë vesh se çka bëjnë naçallnikët dhe hafijet. Dikush nga katundi ynë paska thënë: liria e popullit – taksirati i miletit, kërse tre të tjerë kishin qeshur shumë me këto fjalë dhe për këto fjalë mundet të bjerë ndonjë kokë e ndoshta edhe më shumë. E kam menduar që t’i ftojmë tre prej atyre të mëdhenjve, t’ua shtrojmë një drekë me një qengj të pjekur në hell dhe me larkrorë e kos. T’i presim si e lyp zakoni i pritjes së mysafirit dhe të merremi vesh mirë si do ta tjerrim muhabetin që ta largojmë ujkun nga vathët tona. Biseduan një nga një, u morën vesh se kush do të flasë pas plakut të katundit e kush pas tij e kështu me radhë njëri pas tjetrit.

Në fund plaku i katundit tha: a t’ii thirrim? T’i thirrim, thanë njëzëri parsimi. Në rregull, por kujdes se s’u dihet atyre! Ata ta hanë bukën e ta përmbysin kupën, e përfundoi fjalën plaku i katundit. Kurse lajmësit i dhanë detyrë që ditën tjetër të shkonte të blinte verë, se naçallnikët mishin pa verë nuk shkon. Pasi u morën vesh për çdo imtësi, pasi e bënë skenarin me të veten, ndërhyri lajmësi. Më falni që po e marr guximin, por unë për vete kurrë s’do t’i kisha thërritur. Parsimi e shikuan po nuk folën gjë.  Pastaj u shpërndanë.

Atë natë lajmësin nuk e mori gjumi pasi kishte dëgjuar gjithë ato zullume të tmerrshme që kishte bërë pushteti i kuq nëpër fshatra dhe e kishte siklet si do t’u shërbente atyre zuëëumqarëve. Në fund e mblodhi veten ngase plaku i katundit i kishte thënë se kur je në ngushticë e vet s’mund të dalësh nga ajo dhe nuk je trimi i mirë me shokë shumë, atëherë edhe derrit do t’i thuash dajë! Prandaj  tha se puna ishte të shpëtohen nga kthetrat e pushtetit ata njerëz të cilët me emër e mbiemër ishin përmendur se paskan thënë: liri e popullit – taksirat i miletit  dhe ishin cilësuar si armiq të popullit! Ishte akuzë e rëndë për atë kohë., jo vetëm për ata, por edhe për fshatin sepse përqeshej kështu liria që e “paskan sjellë” të kuqtë.

Ditën tjetër erdhën naçallnikët, e hëngrën qengjin e pjekur, e pinë verën dhe shkuan. Gjatë zefkut i kishin dëgjuar ata të parsimit që kishin thënë se katundarët tanë që të gjithë i respektojnë ligjet e shtetit dhe urdhrat e pushtetit, kurse naçallnikët ishin përgjigjur: mos kini gajle fare! Ndërsa njëri prej tyre, me çizme lëkure, të kuqe, kishte thënë si me shaka: liria e popullit… Nuk e kishte thënë pjesën e dytë të kësaj shprehjeje, por mjaftonte kaq sa për t’ia bërë me dije parsimit se e dinte meselenë me të cilën katundi e kishte marrë një njollë.

Nuk kaluan shumë ditë rehatie në katund,  katundarët po vraponin pa shqetësim pas punëve të tyre të përditshme, kur një vajzë piskëlloi keq para mejtepit dhe të gjithë njerëzit u mblodhën për një çast  thuajse janë thnegla që dalin prej dheu, fill pas piskëllimës së saj dhe e shikonin vajzën të habitur dhe të frikësuar. Çfarë plasi tash? Atëherë e pamë kampanjollën e policisë me një dritë të kuqe e një të kaltër përmbi karoseri dhe tre a katër milicë që e zunë në befasi plakun e katundit, e lidhën.

Dhe, nga një kamion i cili ishte ndalur pak më tutje dolën dhjetë -pesëmbëdhjetë milicë. Dy milicë e tërhiqnin për krahësh plakun e katundit. Shpejt pastaj e futën në kampanjollë, duke ia shtypur kokën. Parsimi reagoi, pyeti çfarë është puna, pse po e merrni këtë njeri të mirë?! Njëri nga policët tha: tërhiquni! Largohuni! Se edhe juve mund t’ju vijë radha. Grave e fëmijëve që shikonin të tmerruar u  rridhin lot. Qante edhe lajmësi.

Pastaj thanë se plaku i katundit ishte burgosur se paska dashur t’i blejë me ryshfet naçallnikët duke u ofruar një drekë me qengj të pjekur e me verë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button