TE KELI

Xhat Pantullepajkshi ka dalë t’ia gjejë shtëpinë Durmo Belaxhisë, po s’e di saktësisht ku e ka. Ia ka një borxh Durmoja. I kanë thënë se Durmoja e paska shtëpinë diku kah Kel Terjaqia. Aty pari jeton Keli, po pak më poshtë, kurse Durmoja e ka shtëpinë atje rrëzë malit, pranë varrezave. Shkon Xhati dhe ndalet te dera e hapur e Kelit. Moti s’ka qenë këndej pari. Shikon. Një bahçe e madhe, e madhe. Gjelbërim e lule. Midis këtij peizazhi Kel Terjaqia ka bërë në një kasollë të vogël për vete. Përmes bahçes së Kelit kalon një përrua i kulluar. Keli e ka quajtur Përroi i Argjendtë. Pranë përroit – Keli. Aty ai e ka vendosur një rrjetë të çeliktë dhe i mban shishet me raki, që mos t’ia marrë rryma. Keli thotë se frigoriferi e prek shijen e rakisë, kurse freskia e ujit të përroit është diçka tjetër. Ajo jo vetëm që nuk e prek shijen, por u jep shmek pijeve. Kënaqet njeriu duke pirë, veçanërisht kur Keli vetë i bën sallatat. Ulet në një posteqi, e vendos një tryezë të vockël me shikim kah rruga, i bën disa lloje sallatash dhe pret të kalojë dikush. Nuk bëhet terjaqillëku vetëm.  Ooo, mik!… e thërret Keli Xhatin që është ndalur te rrethoja e ulët e shikon peizazhin. Hajde, Xhat, hajde të rrimë pak. Xhati ia kthen: Ooo Kelo, si je? Mirë, mirë, po eja de pak. S’kam kohë, thotë  Xhati, por po vij një çikë sa të të shoh dhe  futet në bahçe. Ulet në bar. Ulu në posteqi, i thotë Keli dhe ia ofron posteqinë e vet. Ulu se po shkoj ta marr edhe një posteqi. Jo, jo, thotë Xhati, dua të kënaqem me erën e barit të kositur. Pastaj Keli pa e pyetur fare e nxjerr shishen e rakisë nga ujët e ftohtë të përroit dhe ia ofron Xhatit. A me shishe, a? pyet Xhati. Me shishe, me shishe. Është lëng dezinfektues i thanave ky. Xhati duke e mbajtur shishen në dorë, e pyet Kelin: O Kel, a është këtu pari Durmoja? Ku e pat shtëpinë? I sheh varrezat atje në breg? Po, thotë Xhati. Po aty afër derës së varrezave e ka atë zhguall, n’i thënçin shtëpi asaj. S’e kam parë moti  atë dreq Durmo, përgjigjet Keli. Me të dëgjuar e kam se paska shkuar në Islandë të martohet sepse atje shteti u jep dhëndurrëve nga pesë mijë euro, shton. Thonë se Durmoja ka dashur t’i marrë paratë e t’ia bëjë dushk, të ikë, mirëpo e paskan zënë. Ku po shkon? i paskan thënë dhe e paskan kthyer. T’i kemi dhënë paratë, po ta kemi dhënë edhe një grua, zotëri Kamëtrashi, se kështu e ka mbiemrin Durmoja. Atë Belaxhia e ka nofkë. Trus këtu zotëri Kamëtrashi! i paskan thënë. Paratë i dashke, gruan – jo. E s’ka ashtu! Do të rrish në Islandë e do të kujdesesh për gruan. Pikë. Prej se ka shkuar s’e kam parë, tregon Keli. Nejse, nejse, thotë Xhati. Durmoja ka qenë belaxhi. Pastaj shton: si duket prej këtu, shtëpia djerrinë qenka. Paska mbetur atje ku e ka çuar lakmia për para. Po fundi i fundit, ç’i duhet shtëpia, pa grua?  E ngre një herë shishen Xhati, e pi një gllënjkë të mirë, e rrudh fytyrën duke thënë:  po e fortë qenka! Pastaj e merr një grusht ujë nga përroi, e pi për ta hequr atë flakën që ia lë rakia në gojë dhe ngrihet. Shkova, thotë Xhati, e niset kah shtegu duke menduar: shkuan paratë e mia për sefanë e gomarit!…  Në rrugë atëherë jep krye Dashi. Dash Dahia. Keli e harron Xhatin, e lë pa i thënë udhë e mbarë. O Dashoo, hajde mirë se të paska sjellë perëndia! e fton Keli. Dashi pa bërë zë niset i buzëqeshur kah Keli. Po ku ke humbur, bre burrë? e pyet Keli kur Dashi kishte hyrë në bahçe, kurse Xhati duke dalë po e mbyllte derën e shtrembër aq sa mbyllej. Ky Dashi ka qenë pusht,  gruar. Një herë e kanë zënë në ahur me një grua si të lemë prej nëne. I kishte zënë i shoqi i gruas. E kishte mbyllur derën i shoqi i gruas dhe gati kishte qenë për ta vrarë, mirëpo në momentin e fundit seç ishte ndalur e qetë i kishte thënë Dashit: “Dëgjo Dasho, kësaj radhe paske pasur fat. Do të ta fal kësaj here me një kusht që mos të hash me nder me thanë mut e një fjalë mos ta thuash askund. Nuk dua të përhapet fjalë për këtë gruan time budallaqe! Baj bythën Dash muti! Dhe rrudhe gojën e fëlliqur! Po e dëgjova një fjalë – të shkoi koka.  Dhe, thonë se Dashi prej atëherë ishte qetësuar. Ia kishte nisur të shkojë në xhami, madje, e t’i falë pesë vaktet. Po kjo i vuri në dyshim fshatarët. Si u bë ky përnjëherë të bjerë në rrugë të perëndisë? Një ditë kryeplaku e kishte pyetur Dashin: Dasho, çfarë të gjeti kështu që po shkon në xhami, ti që as kah dera e xhamisë s’ke shkelur? Dashi paska thënë se i ishte paraqitur një engjëll në ëndërr dhe kështu. Askush nuk i besoi, por dalngadalë nisën ta harrojnë, ndonëse askush nuk e afronte e i rralli e përshëndeste. Po Kelit i pëlqen se është i muhabetit Dashi. E si të kam o Dash Dahia? e pyet Keli. Mirë ka dashur zoti. Pastaj Dashi nis të tregojë do historira të moçme. Dash, e kam një të ftohtë, e ndërpret Keli. Raki, a? Raki o Dash, raki. E kam lënë o Kel rakinë. E kam lënë moti. Një gllënjkë, o Dash, nuk bëhet nami. Për pak s’ka dert ka thënë hoxha, ia pret Keli. Dashi shikon andej e këndej mos po kalon ndonjë njeri aty pari, mos po e sheh kush, se  fjala në katund përhapet me shpejtësi rrufeje. Do të thonë pastaj: ishte pusht Dashi, tash u bë pijanec. Hamendet Dashi gjatë kohë me shishen në dorë. Merre o Dash, merre se ta shpërlan fytin, të kënaq! Dashi shikon edhe një herë rreth e përqark dhe e ngre shishen. Le të plasin dhushmanët! thotë. Edhe Dashi e rrudh pak fytyrën e shton: e mirë qenka viranja, bre! Pastaj e ngre edhe një herë dhe ia jep Kelit. Edhe Keli e ngre një herë shishen dhe ia kthen Dashit. Dashi e ngre edhe nja tri herë, gjithmonë duke u kujdesur mos ta shohë kush. Kur, çfarë të shohë, në rrugë po kalon Hanka e Elvis Farkëtarit. E hollë, e gjatë, belin po ashtu krejt të hollë e vithet e bollshme.

Ah, thotë Dashi, edhe këtë s’e lë pa e shti në dorë! Ngreje edhe një Dasho, i thotë  Keli. Ndërkaq Hanka e përshëndet Dashin me dorë nga rruga me një buzëqeshje provokuese dhe shkon në punë të vet. Dashi e ngre edhe një herë shishen e thotë: sot s’do të mundem ta fal jacinë… Ama… Ama Hanka s’më shpëton. Dhe, Hanka do të jetë e fundit. Boll më me gra!

Bjeri Dash Dahia, bre! i thotë duke qeshur Keli. Edhe unë edhe sot do të pi raki. Boll më me raki!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button