Jeta gjatë pandemisë COVID-19, rëndësia apo varësia nga telefonat e mençur

Pandemia si shkas për përdorim më të përgjegjshëm të telefonave të mençur

Karantina dhe masat e tjera preventive në luftën kundër virusit korona, vazhdojnë të çrregullojnë jetën tonë të përditshme dhe të trazojnë ndjeshëm shprehitë tona. Disa studime tregojnë se një numër i madh i njerëzve në botë kalojnë më shumë se 3-4 orë në ditë në telefonat e tyre “smart”. Ky numër është alarmant dhe tregon se ndoshta bisedat dhe debatet rreth kohës së kaluar para ekraneve, qoftë të kompjuterit qoftë të telefonit janë të kota.

Përfundimisht ekranet e fituan betejën. Por çfarë kemi humbur ne?

Shkruan: Bardhyl Jashari

Në fillim të shkruajmë se nuk ka vend për panik dhe nuk duhet të bëhemi fatalist. Duhet ta pranojmë se stili i jetës tonë dita ditës ndryshon, dhe teknologjia dhe telefonat e mençur “smart” tani janë pjesë e rëndësishme dhe ndoshta e pazëvendësueshme e përditshmërisë sonë. Kjo ka qenë kështu edhe para pandemisë. Edhe pse shpesh me nostalgji kujtojmë kohërat kur jeta jonë ishte me më pak ekrane dhe shikojmë me keqardhje gjeneratat e reja, kjo megjithatë nuk e ndal dot zhvillimin teknologjik dhe ndryshimet të cilat i sjell ai.
Prandaj, është me rëndësi nostalgjia të mos i hap rrugë defetizmit, por përkundrazi të mundohemi të ndërtojmë marrëdhënie të shëndosha me teknologjinë duke e rivendosur njeriun dhe të njerëzishmen në qendër të zhvillimit.

Telefonat dhe interneti  – esencial në kohë karantine?

Pasi që prej shumë më heret, telefonat “smart”, interneti dhe kompjuterët shndërruan jetën tonë të përditshme, ata gjatë kësaj krize me virusin korona u bën edhe mënyra e vetme për t’u lidhur dhe për të mbetur në kontakt me botën. Me të vërtetë është vështirë të imagjinohet se si do të ishte jeta jonë pa to në këtë kohë! Të mbyllur në shtëpitë tona, telefonat tanë dëshmuan serish se janë mjet i shkëlqyer për përmbushjen e funksionit të tyre parësor: të na mundësojnë të komunikojmë me njëri-tjetrin.

Besoj se shumica prej nesh, bile ndoshta të gjithë, kemi të instaluar në telefon aplikacione të ndryshme komunikimi të cilët na mundësojnë të mbajmë kontakte me ata të cilët i kemi larg. Gjithashtu krijuesit e lojërave online si p.sh. “Epic Games” i cili e ka krijuar lojën “Fortnite”, janë duke përfituar jashtëzakonisht shumë nga izolimi i njerëzve nëpër shtëpi dhe kryeson renditjen e dyqaneve online të aplikacioneve me më shumë shitje (ang. online stores). Pastaj, papritmas, bisedat tona të shumta në grupet e ndryshme që i kemi pasur me miqtë dhe familjarët në “Viber”, “WhatsApp”, “Facebook”, etj. rikthehen në jetë.

Facebook - Instagram - WhatsApp
Facebook – Instagram – WhatsApp

Shkëmbimet bëhen më të shpeshta, dhe të gjithë ne jemi të kënaqur që kemi mundësi të ndajmë momente nga jeta jonë me njerëzit që janë të dashur për ne, por për shkak të izolimit dhe distancimit fizik nuk mundemi t’i takojmë.

Ndërkohë, teknologjitë e informacionit dhe komunikacionit po dëshmojnë se janë zgjidhje ideale për të zbutur sado pak ndikimin negativ që kanë për ekonominë masat e ndryshme restriktive për shkak të pandemisë, madje në disa raste shumë biznese kanë lulëzuar gjatë kësaj periudhe. Për shembull, numri i përdoruesve të aplikacionit për video-konferenca “Zoom” shpërtheu gjatë pandemisë dhe arriti nga 10 milionë dhjetorin e kaluar, në më shumë se 200 milionë sot, që paraqet një rritje prej 2000% për vetëm 5 muaj!
Ngjashëm, “Netflix”, “Amazon” dhe biznese të tjera online arritën rritje të përshpejtuar gjatë kësaj periudhe. Pajisjet tona me ekrane dhe lidhje në internet, na mundësojnë të vazhdojmë të punojmë duke na dhënë mundësinë e punës dhe takimeve online me bashkëpunëtorët tanë kudo që gjenden ata.

Gjithashtu, periudha e tanishme shënon revolucion edhe për punën online apo punën prej në shtëpi. Edhe pse kjo në fillim na ishte e imponuar për shkak të izolimit të detyruar si pasojë e masave kundër virusit korona, me kalimin e kohës kjo mënyrë e punës tregoi qartë e më qartë efikasitetin dhe përfitimet të cilat mund tua sjell bizneseve të cilët arritën të adaptohen dhe të transformojnë punën e tyre. Kuptohet që kjo mënyrë e punës ka sfida dhe pengesa të caktuara, por megjithatë shumë biznese arritën të gjejnë interesin e tyre dhe me sukses transformuan modelet e tyre të punës.

Foto ilustim nga Austin Distel, Unsplash

Sot mund të përfundojmë me shumë siguri: se puna në të ardhmen do të bëhet ende më shumë se më përpara përmes ekraneve, të lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet të internetit.

Të vetëdijshëm për efektet negative

Si për gjithçka, përdorimi i gabuar, i tepruar është negativ dhe mund të jetë i rrezikshëm, telefonat nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull. Por në izolim, telefonat e mençur dhe pajisjet e tjera me ekrane na mundësojnë të vazhdojmë një jetë sado kudo normale. Vërtetë jemi izoluar dhe larg njëri tjetrit, por nuk jemi vetëm. Rrjetet sociale si kurrë më parë luajnë rolin e tyre të vërtetë pozitiv sot. Përjashtim prek kësaj bën keqpërdorimi  tyre për manipulim, keqinformim dhe devijimet e tjera, por kjo nuk është faji i rrjeteve sociale, por i përdoruesve.

Edhe pse vazhdojmë të ankohemi se sa të dëmshme janë këto pajisje, interneti dhe rrjetet sociale. Sot i shohim më qartë të gjitha përfitimet që kanë sjell në jetën tonë të përditshme pajisjet e shumta që i kemi dhe që kanë pushtuar zyrat dhe xhepat tonë tanimë ka disa dekada.

Nuk është se ne sot e zbulojmë se telefonat e mençur janë burim shpërqendrimi. Megjithatë, kriza e tanishme ka zgjeruar spektrin e ndikimit që kanë ata dhe pajisjet tjera me ekrane në jetën tonë. Rreziku nuk është aq shumë nga varësia, sa që është ai i humbjes së kontrollit.
Në punë apo në shtëpi sa herë ju ka ndodhur të shfletoni përmbajtje në “Facebook”, “Instagram” ose “LinkedIn”, duke mos qenë  të vetëdijshëm se sa kohë ka kaluar, bile duke harruar se pse fillimisht keni hy në aplikacionin e caktuar? Mendojeni pak këtë…

Përdorimi i kontrolluar dhe me vetëdije i telefonit tuaj të mençur është sfidë e vërtetë. Një gjë është të ndërpritni përdorimin e telefonit tuaj kur nuk keni nevojë reale për të, dhe krejtësisht diçka tjetër është të mos e përdorni fare. Kjo kërkon disipline, vetëdije dhe vetëkontroll. Duhet të jemi në gjendje të mendojmë dhe me vetëdije të pushojmë nga përdorimi i tepërt. Është e vështirë, por janë gjëra që mësohen, duhet ta mësojmë ne të rriturit, pastaj duhet t’i mësojmë edhe fëmijët tanë, e njëjta duhet të mësohet edhe në shkollë si pjesë e shkathtësive elementare mediatike.

Telefon celular
Ilustrim, Pexels

Shohim se raporti që kemi me telefonat tonë është i ndërlikuar që nga lidhja e tyre me internetin dhe rritjen e numrit të aplikacioneve që përmbajnë ata. Prania dhe rëndësia e tyre në përditshmërinë tonë vërehet në çdo hap. Me shpërthimi i botës dixhitale, ka shpërthyer edhe një ekonomi e re e ashtuquajtur ekonomia e vëmendjes ku vëmendja e përdoruesit të një shërbimi apo aplikacioni online trajtohet si mall me vlerë dhe i rrallë. Si rezultat i kësaj, kompani gjigande dhe krijues të aplikacioneve për telefona celularë bazojnë modelet e bizneseve të tyre në kohën që ne kalojmë duke përdorur shërbimin apo aplikacionin e tyre. “Koha është para”.
Askush nuk e ka kuptuar këtë më mirë sesa “Facebook” apo “Google”. Në të vërtetë, falë kohës së kaluar në aplikacionet e tyre, ne krijojmë të dhëna dhe lëmë gjurmë dixhitale të cilat pastaj shfrytëzohen nga kompanitë për të dizajnuar reklama enkas për ne të cilat shfaqen në aplikacionet që përdorim në telefonat tonë. Algoritmet e përdorura nga krijuesit e shërbimeve dhe aplikacioneve janë bërë të mençur dhe janë në gjendje të na joshin për të përdorur apo konsumuar vazhdimisht përmbajtjet që na shërbejnë. Mbetet sfidë për ne, të tregojmë se jemi më të mençur se një algoritëm kompjuteri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button