Franca dhe sfidat e rimëkëmbjes ekonomike pas koronavirusit

Ndërsa Franca këtë javë fillon lehtësimin e masave kufizuese ndaj koronavirusit, qeveria e saj ka premtuar një rimëkëmbje të ekonomisë së pastër dhe të gjelbër, që tani ndodhet në vështirësi. Ky premtim është dëgjuar edhe në kryeqytetet e tjera evropiane, por a do të përputhet retorika me veprimet? Korrepondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant njofton nga Parisi, shkruan Zëri i Amerikës. 

Banorët e Parisit po shijojnë lirinë e tyre të re me pak muzikë, diell dhe shumë rrota, sidomos ato të biçikletave.

Bashkia e Parisit planifikon të zgjerojë zonat e këmbësorëve dhe do të ndërtojë 50 kilometra rrugë të reja për trafikun e biçikletave. Ajo ka mbyllur një nga arteriet e saj më të mëdha, Rue de Rivoli, për shumicën e trafikut të automjeteve ndërsa qyteti fillon të rihapet.

Në mbarë vendin, qeveria po subvencionon riparimet e biçikletave për të nxitur një lëvizje më të shëndetshme, dhe më miqësore ndaj mjedisit.

Por, deri në çfarë pike do të shkojë ajo me këtë në një kohë kur ekonomia po përpiqet të rimëkëmbet nga bllokimi disa javor? Ekonomia u tkurr me 5.8 për qind gjatë tremujorit të parë, ritmi më i lartë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire ka paralajmëruar se nuk duhet hequr dorë nga lufta kundër ndryshimit të klimës gjatë përpjekjeve për të rimëkëmbur ekonominë e Francës.

Në kuadër të kësaj fryme, qeveria po kushtëzon afro 7,6 miliardë dollarë hua për kompaninë Air France, me pakësimin nga ana e saj të nivelit të ndotjes. Sipas ministrit Le Maire, kjo do ta bënte Air France “kompaninë ajrore me respektin më të madh për mjedisin në planet”.

Sondazhet tregojnë se shumica e francezëve dëshirojnë një të ardhme më të gjelbër pas koronavirusit. Shkencëtarët e klimës, personalitete kryesore dhe madje disa drejtues të industrive po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund mënyrës së tanishme të të bërit biznes.

Por skeptikët thonë se Presidenti Emmanuel Macron dhe qeveria e tij nuk arritën të përmbushnin premtimet e mëparshme për mjedisin. Ata dyshojnë se kjo do të ndodhë tani.

“Unë në të vërtetë nuk mendoj se zoti Macron do të bëjë atë që është e nevojshme për të zgjidhur problemin e ndryshimit të klimës”, tha Clement Senechal, zëdhënës i organizatës Green Peace në Francë.

Tensionet mes dëshirës për të rikthyer vendet e punës dhe bizneset dhe përmbushjes së qëllimeve mjedisore po shihen në të gjithë Evropën.

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian thotë se duhet ecur përpara duke zbatuar të ashtuquajturën Marrëveshje të Gjelbër për zero çlirim të gazrave serrë deri në vitin 2050.

“Duke përdorur Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane si busullën tonë, ne mund ta kthejmë krizën e kësaj pandemie në një mundësi për të ndërtuar ekonomitë tona ndryshe dhe për t’i bërë ato më elastike”, tha Ursula Von Der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.

Analistët thonë se disa qeveri evropiane po i bashkohen kësaj nisme, të paktën me fjalë.

“Kemi parë disa mesazhe të mira nga Franca dhe Gjermania. Por, ato janë ekonomi të mëdha me lobime industriale shumë të forta. Kjo nganjëherë e bënë të vështirë mbajtjen e premtimeve nga udhëheqësit e këtyre vendeve”, tha Annika Ahtonen nga Qendra për Politikat Evropiane.

Në vend të industrisë së gjelbër, ata mund të ndajnë miliarda dollarë për zgjidhje më të lehta që nuk janë miqësore ndaj mjedisit.

“Pikërisht kjo mund të ndodhë, duke shtuar shanset e mosarritjes së qëllimeve për ndryshimet klimatike”, Milan Elkerbout nga Qendra për Politikat Evropiane.

Pra, ndërsa disa po shijojnë momentet e rihapjes, Franca dhe pjesa tjetër e Evropës përballen me alternativa të vështira përpara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button