RMV, ekonomi të gjelbra për të ardhme të qëndrueshme energjetike (VIDEO)

Kalimi në burime të pastra të energjisë është i domosdoshëm jo vetëm për të arritur qëllimet e energjisë dhe klimës, por edhe për të mbrojtur shëndetin e njeriut. Kalimi në ekonomi të gjelbër nuk e anashkalon as Maqedoninë e Veriut, megjithëse sistemi energjetik i vendit është pothuajse tërësisht i varur nga qymyri, që është një nga arsyet kryesore që e kemi ajrin më të ndotur në nivel global, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pikërisht për këtë, Strategjia më e re për zhvillim të energjetikës deri në vitin 2040, në dy nga tre skenarët (referencë, për tranzicion të moderuar dhe skenar të gjelbër), parashikon braktisjen e qymyrit si burim energjie dhe investimin në centralet diellore dhe ato të erës.

Fakti që në Strategjia janë vendosur afate për mbylljen e termocentralit me thëngjill “Osllomej”, për transformimin e punës së KME “Manastiri” deri në vitin 2025, si dhe qëllimet e qarta për të rritur pjesën e energjisë nga burimet e rinovueshme, për sektorin e OJQ-ve është një nga pjesët më të rëndësishme të dokumentit.

Fillimi i procedurave administrative për ndërtimin e termocentraleve diellore 120 megavat në vend të TEC “Osllomej” është një fillim i shkëlqyeshëm për tranzicionin e energjetik, thonë organizatat e shoqërisë civile, por ende paralajmërojnë se autoritetet duhet të respektojnë afatet, ndërsa qeveria të fillojë planifikimin e procesit për tranzicion të drejtë në rajonet e termocentraleve dhe minierave të linjitit. Kjo nënkupton planifikimin e zhvillimit ekonomik alternative për ato rajone, për të shmangur krizën sociale nëse më shumë njerëz humbasin punën e tyre, por edhe për të siguruar zhvillimin e mëtejshëm ekonomik që do të thotë siguri për gjeneratat e ardhshme.

Sipas Elena Nikollovska nga “Eko Svest” (Eko Vetëdija), Strategjia, në dy nga tre skenarët, ka vizion për të braktisur si karburant kryesor, që tregon nivel të lartë të ambicieve për të zvogëluar emetimet e gazrave serë. Sidoqoftë, ka plane për të rritur energjinë diellore duke ndërtuar termocentrale diellorë në vendin e ish-minierës Osllomej.

“Sigurisht, skenari i gjelbër është më i pranueshmi për ne, ndërsa ne e hedhim poshtë plotësisht skenarin referent (i cili parashikon vazhdimin e punës së KXE “Manastiri”). Në muajt e ardhshëm, do të duhet të miratohet Programi për implementim, ndërsa sektori joqeveritar do të vazhdojë të shprehë dhe argumentojë pikëpamjet e tij”, thotë Nikollovska.

Efikasiteti energjetik, i cili theksohet në Strategji, paralajmëron edhe transformim në ndërtimtari për nevojat e shtëpive moderne, të cilat udhëhiqen nga parimi që energjia më e lirë është ajo që nuk do të harxhohet.

Në procesin e tranzicionit energjetik, sipas Antonio Jovanovskit nga OJQ “GoGrin”,, industritë e karburanteve fosile do të pësojnë rënie dhe humbje të vendeve të punës, për dallim nga sektorët e energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit energjetik, të cilat do të kenë kërkesë të madhe për punëtorët.

“Procesi i braktisjes graduale të termocentraleve të qymyrit do të nënkuptojë edhe sigurim të vendeve të punës për mijëra punëtorë nga kjo industri, përmes përgatitjes në kohë të një plani për një tranzicion të drejtë dhe një strategjie për ekonomi të gjelbër dhe vende të gjelbra pune. Sipas analizave, ndërtimtaria do të ketë rritjen më të madhe absolute të kërkesës për vende pune të gjelbra në nivel global, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike nga energjia termike dhe diellore pritet të ketë rritjen më të madhe procentuale. Me kalimin në ekonomi të gjelbër, punët që nuk mund të cilësohen të gjelbra pritet të mbyllen, siç janë ato në industrinë e naftës dhe sektorin e trajtimit të qymyrit”, thotë Jovanovski.

Si rezultat i punës për disa dekada të impianteve më të mëdha të djegies në KXE “Manastiri” dhe TC “Osllomej”, janë krijuar sasi të konsiderueshme të hirit dhe baltës së xeheroreve. Si rezultat i menaxhimit joadekuat shumëvjeçar të këtyre mbeturinave, ekzistojnë dy deponi të mëdha, zona të degraduara dhe burime të rëndësishme pluhuri. Nëse skenari që lejon gërmimet e reja të thëngjillit, ai direkt do të kërcënojë degradimin dhe erozionin e ri të tokës, zvogëlimin e tokës bujqësore dhe pyjeve si dhe ndotjen e sipërfaqeve dhe ujërave nëntokësore. Nëse vazhdojnë të përdoren karburantet fosile, veçanërisht qymyri, do të jetë një nga kërcënimet më të mëdha për ujin, ajrin, tokën dhe jetën e egër, është shënuar në vlerësimin e ndikimit në Strategjinë e Mjedisit jetësor.

Tranzicioni energjetik duhet të vazhdojë dhe të përshpejtohet, por planifikimi gjithashtu duhet të fillojë për një tranzicion të drejtë që do të përfshijë rajone dhe sektorë që kontribuojnë në ndryshimin e klimës – të tilla si energjetika, transporti dhe mbeturinat, por edhe ato që janë të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike siç është turizmi, uji, natyra, zonat urbane. Krijimi i energjisë “të ndotur” nga karburantet fosile, në rastin e thëngjillit, sipas të ardhmes që është paraparë në të dy skenarët, duhet të ndryshojë me pranimin e politikave të gjelbra. Tranzicioni i drejtë nuk është një hap, por një periudhë e gjatë në të cilën punëtorët do të duhet të pajisen me masa ekonomike dhe sociale për t’iu përshtatur politikave dhe masave të reja që do t’i lejojnë ata të punojnë dhe të integrohen në sistemin e ri, sipas Marrëveshjes së klimës në Paris, ku vihet në pah se qeveritë duhet të sigurojnë kushte që punëtorët të marrin punë dinjitoze,

Sidoqoftë, se si do të shkojnë gjërat me Strategjinë e fundit për zhvillim të energjetikës deri në vitin 2040, tani është e pasigurt për shkak të situatës së koronavirusit, pasi duhet të përmbushet afati prej gjashtë muajsh që qeveria të vendosë se cili skenar do të përcaktohet.

Është me rëndësi që, në relacion me dokumentet e mëparshme të tilla, në Strategjinë e re janë forcuar masat e efikasitetit të energjisë, si një nga burimet më të mëdha të vendit, si dhe investim në burime të rinovueshme të energjisë, dhe nuk planifikohet ndërtim i termocentrale të reja me qymyr.

“Ne do të kemi përfitime shumë të mëdha nga skenari “i gjelbër”, në planin afatgjatë, por për atë nevojiten edhe investimet më të mëdha. Përfitimet janë ekonomike, si dhe në drejtim të zvogëlimit të emetimeve të gazrave serë dhe uljes së ndotjes lokale. Shumica e fondeve do të duhet të investohen në efikasitetin energjetik, si dhe në burimet e rinovueshme të energjisë. Ky skenar mund të krijojë të paktën 6,000 vende të reja pune ose të ripërcaktuara shtëpiake, të cilat nuk përfshijnë pozicione pune për ndërtimin e hidrocentraleve të mëdhenj, siç janë termocentralet Çebren dhe Vardar, thotë Aleksandar Dedinec, bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë për energjetikë dhe mjedisin jetësor.

Vartësia e lartë e vendit nga importet e energjisë elektrike, të cilat përbëjnë rreth 30 përqind të totalit të nevojave të tregut, sipas Strategjisë, planifikohet të ulet gradualisht në vitet e ardhshme. Dhe parakushti kryesor për këtë është rritja e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e brendshme, si dhe investimi në objekte të reja, kryesisht nga burimet e rinovueshme të energjisë.

Të tre skenarët në Strategji ofrojnë modelet e tyre për varësi të zvogëluar nga importi i energjisë elektrike në periudhën e ardhshme. Sipas referencës, prodhimi duhet të rritet në 9.4 TWh (teravat-orë) deri në vitin 2040, kryesisht nga burime të rinovueshme të energjisë, BRE, dhe të arrijë 71 përqind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike.

Sipas këtij skenari, varësia e importit do të zvogëlohet deri në 14 përqind. Në skenarin e tranzicionit të moderuar, kapaciteti për të gjeneruar energji elektrike duhet të rritet në 4 GW (gigawatts) deri në vitin 2040 (dy herë më shumë se në vitin 2017), duke sjellë BRE-në 87 përqind të totalit të portofolit të instaluar. Skenari i gjelbër parashikon që Maqedonia e Veriut, sipas investimeve të mëdha të parashikuara në BRE, të zvogëlojë bilancin e importit të energjisë elektrike për 12 përqind, e cila njëkohësisht do të përmirësojë dhe rrisë integrimin në sistemin evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button