Vendi i dytë është i Interit (VIDEO)

Interi e ka fituar sfidën kryesore të javës së 16-të në Serie A duke e mposhtur Napolin në Giuseppe Meazza me rezultat 2-1.
Në rastin e parë në ndeshje, zikaltrit kaluan në epërsi. Antonio Cassano dërgoi një harkim nga këndi në zonë, të cilin e priti Fredy Guarin për të shënuar me vole (8’).

Pas golit të pësuar, mysafirët patën disa raste shënimi, por nuk ishin të saktë. Dhe derisa ata nuk shënuan, erdhi ndëshkimi.

Guarin ishte arkitekti që asistoi te Diego Milito, ndërsa argjentinasi është i njohur për aftësitë e tij për të mposhtur portierët (39’).

Cassano ka mundur ta trefishojë epërsinë në pjesën e dytë, por goditi jashtë porte, ndërkohë që u erdhi radha mysafirëve që të shënonin.

Maqedonasi Goran Pandev goditi shtyllën, ndërsa Edinson Cavani e shfrytëzoi momentin për të shënuar (54’) duke e rihapur takimin.

Për disa minuta në vazhdim, napolitanët dominuan, mirëpo Nerazzurrët u kthyen shumë shpejtë për ta marrë iniciativën. Ndërsa me afrimin e fundit, mysafirët e shtuan presionin, derisa vendasit po tërhiqeshin gjithnjë e më shumë në gjysmën e tyre.

Sidoqoftë, deri në fund të takimit nuk pati gola të tjerë dhe vendasit arkëtuan pikë të plota.

Kjo fitore e ngre Interin në vend të dytë në tabelë me një pikë më shumë se Napoli dhe katër më pak se lideri, Juventus. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button