Ende pa u shpikur, nis “lufta” se kush duhet të marrë vaksinën ndaj koronavirusit i pari

Franca ka thënë të enjten se të gjitha vendet e botës duhet të kenë qasje të barabartë në çdo vaksinë të zhvilluar kundër koronavirusit nga gjiganti farmaceutik francez “Sanofi”, një ditë pasi shefi ekzekutiv i saj deklaroi se amerikanët do të kishin përparësi, transmeton Koha.net.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se është duke mobilizuar ushtrinë që të shpërndajë vaksinën sapo një të jetë në dispozicion, me shkencëtarët që në gjithë botën po nguten të gjejnë kurën dhe trajtimin e duhur për sëmundjen e cila ka mbytur gati 300 mijë njerëz në botë.

Më shumë se 90 vaksina janë duke u zhvilluar në gjithë botën, me tetë që janë në fazën e testimit klinik. Por ekspertët thonë se procesi mund të marrë vite e madje mund të mos ndodhë fare.

Ende s’ka vaksinë për HIV-in që shpërtheu në fillimet e ’80-ave, ose SARS-it, që goditi Azinë më 2002.

“Një vaksinë kundër COVID-19 duhet të jetë e mirë publike për botën. Qasja e barabartë e të gjithëve ndaj virusit është e panegociueshme”, ka thënë kryeministri francez, Edouard Philippe, të enjten.

Ai po fliste pas komenteve nga shefi i “Sanofit”, Paul Hudson, që në një intervistë për “Bloomberg News” të mërkurën kishte deklaruar se “Qeveria amerikane ka të drejtën e paraporosisë më të madhe për shkak të investimeve”.

Komentet nuk janë pritur mirë nga presidenti francez Emmanuel Macron, ka bërë të ditur një zyrtar i presidencës.

“Sanofi”, që ka kërkuar koordinim më të fortë evropian në punën për të krijuar vaksinën dhe ka përkrahjen financiare nga SHBA-ja, ka qartësuar se çdo vaksinë do të jetë në dispozicion për të gjithë. Hudson ka thënë të enjten se ka qenë vitale që çdo vaksinë ndaj koronavirusit të arrijë në të gjitha rajonet dhe se i vjen keq që komentet e mëhershme kishin shkaktuar “trazira”.

“Sanofi” është duke punuar në dy projekte të vaksinave, një me rivalin britanik “GlaxoSmithKline” që ka marrë përkrahjen financiare nga SHBA-ja, dhe një tjetër me kompaninë amerikane “Translate Bio” që përdor teknologji më ndryshe.

Trumpi, që në nëntor do të garojë për mandatin e dytë, po shtyn përpara rihapjen e ekonomisë pavarësisht se SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Ai ka thënë se beson se do të ketë vaksinë deri në fund të 2020-s.

“Ushtria jonë po mobilizohet ashtu që në fund të vitit, të jemi në dispozicion ta shpërndajmë te shumë njerëz shumë, shumë shpejt”, kishte thënë Trump në një intervistë për “Fox Business Network”.

Deklarimi i tij ishte kundër top-ekspertit amerikan. Anthony Fauci, që drejton Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive, ka thënë në Senat të martën se ideja që të ketë vaksinë deri në vjeshtë ishte e ngutshme. Fauci dhe ekspertë tjerë amerikanë kanë thënë se do të duhet të paktën një vit para se vaksina të jetë në dispozicion.

Më shumë se 4.3 milionë njerëz janë regjistruar si të infektuar në botë. Gati 300 mijë kanë vdekur. SHBA-ja i prin listës së vendeve me më shumë se 83 mijë të vdekur.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po udhëheq iniciativën globale për të zhvilluar vaksinën. Zëdhënësja Margaret Harris ka thënë se janë në fazën e studimeve të hershme, por ende nuk është gjetur diçka që mund ta mbysë apo ndalë virusin. Agjencia Evropiane e Medicinës ka thënë të enjten se një vaksinë mund të aprovohet për një vit, në skenarin më optimist. Bashkimi Evropian, disa prej vendeve të të cilit janë goditur shumë nga pandemia, frikësohet se mund të mos ketë mjaftueshëm furnizime, sidomos nëse vaksina zhvillohet në SHBA ose Kinë.

Komisioni Evropian është zotuar të përdorë një fond emergjent prej 2.6 miliardë dollarësh për të zgjeruar kapacitetin e laboratorëve me frikën se edhe nëse zhvillohet vaksina ndaj COVID-19, BE-ja mund të mos jetë në gjendje të prodhojë mjaftueshëm copë.

“Gilead Science” ka thënë se ilaçi remdesivir ka ndihmuar pacientët me COVID-19, ndërsa disa rezultate të testimeve në Hong Kong kanë treguar se kombinimi i tri ilaçeve ka zbutur simptomat te pacientët me simptoma jo të rënda.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button