Kurti: Numri i të infektuarve me koronavirus e ka kaluar numrin e të shëruarve

Kryeministri i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se është rritur numri i personave të infektuar në krahasim me ata që janë shëruar nga koronavirusi i ri.

Ai ka bërë këto komente pas një vizite në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohen 11 pacientë të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, transmeton REL.

“Kemi diçka brengosëse që duhet ta adresojmë për shkak se numri i të infektuarve e ka kaluar numrin e të shëruarve. Lakorja që është në rënie të vazhdueshme ngelet e tillë përveç këto dy ditët e fundit, andaj duam që ta fuqizojmë mesazhin tonë dhe gjithashtu t’i mirëmbajmë fuqishëm masat edhe udhëzimet ashtu që të mos kemi ndonjë dështim të minutave të fundit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka zhvilluar këtë vizitë në ambiente shëndetësore, bashkë me ministrin në detyre të Shëndetësisë Arben Vitia, dhe drejtorin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Basri Sejdiun, në shenjë mbështetjeje për stafin mjekësor.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 927 raste me koronavirus; 671 persona janë shëruar dhe 29 pacientë kanë vdekur.

Në Kosovë rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars.

Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button