8 çelësat për të gjetur kënaqësinë në punë

Disa sondazhe të fundme dëshmojnë se një e treta e të punësuarve nuk marrin kënaqësi në punën e tyre. Shumë ëndërrojnë të ndryshojnë. Sigurisht, vetëm ëndërrojnë, sepse para se të ndërrosh punë duhet gjetur më parë një tjetër, gjë jo shumë e lehtë në këto kohë.

Kënaqësia në punë është themelore, jo vetëm sepse shton përmbushjen tonë, por edhe sepse përmirëson cilësinë e jetës. Vetëkuptohet se nëse e kalon pjesën më të madhe të ditës duke punuar pa qenë i lumtur me të, rruga për te pakënaqësia personale është e shkurtër, shkruan Telegrafi.

Çdo punë është qartësisht e ndryshme, por psikologët kanë dalluar disa aspekte universale që shpesh rezultojnë të jenë përcaktues të nivelit të kënaqësisë.

1. Telashet e vogla
Nëse pyesni një mjek se cila është pjesa më e vështirë e punës së tij, do të mbeteshit të habitur. Sipas një kërkimi, në vend të parë nuk qëndron komunikimi i një sëmundjeje të rëndë ose në fazën përfundimtare të jetës së pacientit, por telashet e praktikave burokratike dhe administrative.

Kënaqësia e punës është skajshmërisht e cenueshme nga problemet e vogla të përditshme (sidomos nëse janë monotone dhe të përsëritshme) dhe është mjaft më e qëndrueshme përballë situatave stresante të shkëputura. Menaxheri ideal duhet ta dijë mirë se çfarë u krijon siklet (në kufijtë e mundshëm) vartësve të tij dhe t’i lehtësojë nga pesha.

2. Perceptim i shpërblimit të drejtë
Cilado qoftë puna, pagesa duhet të jetë e drejtë. Sa më e madhe të jetë diferenca mes asaj që mendohet se duhet fituar dhe asaj që fitohet në të vërtetë, aq më e madhe do të jetë dhe pakënaqësia. Është e gjitha çështje perceptimi.

3. Arritja
Ndihemi më të kënaqur kur përftojmë një rezultat dhe kemi prova të dukshme.
Në shumë punë, duke qenë pjesë e diçkaje shumë të madhe, është shpesh e vështirë të llogarisim kontributin vetjak dhe kjo peshon psikologjikisht. Qëndroni duke vështruar produktin final, të vetëdijshëm që keni kontribuar.

4. Reagimi
Nuk ka asgjë më të keqe sesa të mos dihet se ke bërë një punë të mirë. Në caqet e kënaqësisë nuk ekzistojnë lajme të mira ose të këqija, meqenëse (edhe nëse fillimi ka qenë i shëmtuar) gjithçka do të shërbejë në të ardhmen për të përftuar rezultate më të mira. Një rrahje shpatullash mund t’iu rikthejë buzëqeshjen.

5. Kompleksitet dhe varietet
Sa më shumë ajo që bëjmë na angazhon, aq më shumë kënaqësi na jep. Sa më të ndryshme ta bëjmë, aq më shumë na pëlqen. Këto janë dy aspekte kyçe për stimulimin e motivimit.

6. Kontrolli
Disa gjëra janë për t’u bërë dhe pikë, por është ndërkaq e vërtetë se kur puna vetjake kontrollohet nga dikush, bëhet më mirë…dhe kërkimet dëshmojnë se është edhe më e kënaqshme. Kush nuk e pranon kontrollin, do të përfundojë duke zvogëluar efikasitetin e vet dhe akoma më keq, dëshirën për ta bërë punën.

7. Mbështetja organizative
Çdo punonjës do të duhet të dijë se shefi dhe ndërmarrja e tij do të kujdesen për të, duke vënë në dispozicion organizimin e nevojshëm për ta kryer më mirë punën. Sa më e madhe të jetë mbështetja organizative e ofruar, aq më e madhe kënaqësia.

8. Mos punoni në shtëpi
Të kesh një vend pune është themelore. Duke përzier vendet e punës me ato të çlodhjes, shpesh përfundohet duke ngatërruar dy gjërat pa e kuptuar se ku përfundon njëra e ku fillon tjetra. Për të kryer veprimtari pune në shtëpi, është e rëndësishme të përcaktojë një dhomë-zyrë që t’ia kushtojë vetëm punës.

Është me të vërtetë e vështirë të jeni të kënaqur në punë?
Çdo njeri ka nivele të ndryshme të perceptimit të kënaqësisë. Ka që kënaqen dhe ka që jo. Disa kërkime dëshmojnë se me rritjen e moshës dhe të përvojës në punë priremi të jemi edhe më të kënaqur, por ka ende disa fillestarë. Përpiquni të rriteni.
Po ti, a je i kënaqur në vendin tënd të punës?

Lajme të ngjashme

Back to top button