Shtatë dekada pas ‘Planit Marshall’, BE ofron mbështetje ‘të pashembullt’ për Ballkanin

Europa pas Luftës së Dytë Botërore ishte në gjendje të rëndë ku miliona qytetarë të saj ishin vrarë ose plagosur. Shumë qytete, përfshirë disa nga qendrat kryesore industriale të Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës dhe Belgjikës, ishin shkatërruar nga bombardimet. Raportet e ushtrisë amerikane nga Europa bënin të ditur se disa rajone ishin në prag të urisë, sepse prodhimi bujqësor dhe zinxhiri prodhimit të shpërndarjes së ushqimit ishin ndërprerë nga lufta në tokën europiane.

Për më tepër, infrastruktura e transportit në Europën Perëndimore – hekurudhat, rrugët, urat, portet detare dhe shumë pjesë kritike të lidhjeve infrastrukturore, kishin pësuar dëme të mëdha gjatë sulmeve ajrore, ndërsa në anën tjetër të Atlantikut e vetmja fuqi që nuk ishte prekur në mënyrë strukturore nga konflikti, ishin Sh.B.A.-të ku prodhimi dhe rritja ekonomike vazhdoi të shënonte rritje të larta.

1.’Plani Marshall’, i njohur si Programi i Rimëkëmbjes Europiane, ishte një program i qeverisë amerikane që i ofroi ndihmë konkrete Europës Perëndimore pas shkatërrimit nga LDB. Fillimisht u hartua si një plan katër vjeçar për të rindërtuar qytete, industri dhe infrastrukturë të dëmtuar gjatë luftës dhe për të larguar pengesat tregtare midis fqinjëve europianë, por, një nga qëllimet e deklaruara të ‘Planit Marshall’ ishte të ndalonte përhapjen e komunizmit. Në vitin 1948 më shumë se 15 miliardë dollarë amerikanë në kuandër të ‘Planit Marshall’ u miratuan nga Kongresi për Europën e re që po lindte.

Ndërsa shtatë dekada pas ‘Planit Marshall’, sot të gjitha shtetet janë të prekura nga një armik tjetër, nga pandemia globale ku në mënyrë të heshtur shtetet janë para kolapsit ekonomik me pasoja për rritje të urisë dhe vdekjeve masive. Për të vazhduar rimëkëmbjen, shtetet e dikurshme të shkatëruara të Europës Perëndimore edhe pse të prekura nga sëmundja ngjitëse (Covid-19) i vazhduan përpjekjet për ndihmë ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor. Solidariteti i europian nuk mungoi dhe Ballkani tani është në gjendje më të mirë financiare krahasuar me gjendjen para se kriza e shëndetit publik të përfshinte shtetet e Ballkanit Perëndimor.

2.Krerët e shteteve të BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në fillim të këtij muaji më 6 maj për një takim të liderëve për të trajtuar sfidat aktuale. I planifikuar fillimisht të mbahet në Zagreb, takimi do të vazhdojë në një formë tjetër të telekonferencës. Komisioni Europian dhe Banka Europiane e Investimeve kanë ndarë mbi 3.3 miliardë euro për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Duke pasur parasysh perspektivën e tyre europiane, BE ka përfshirë Ballkanin Perëndimor në disa nisma dhe instrumente të rezervuara për shtetet anëtare të BE-së. Këto përfshijnë prokurimin e përbashkët të pajisjeve mjekësore, duke përjashtuar rajonin nga skema e autorizimit të eksportit të BE-së për pajisjet mbrojtëse personale dhe furnizimin nga materiali i testimit nga BE-ja. BE gjithashtu ka siguruar qarkullimin e shpejtë të mallrave nëpër kufijtë përmes “korsive të gjelbërta”.

Në këtë kontekst, shtetet e Ballkanit Perëndimor inkurajohen të përqëndrohen fuqimisht në reformat që lidhen me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratën publike. Siç shihet rimëkëmbja afatgjate e rajonit mbetet synim strategjik i BE-së dhe plani ekonomik i investimeve për rajonin ka për qëllim rritjen ekonomike dhe reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha: “Ne kemi një përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar në këtë pandemi partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, pasi e ardhmja e tyre qëndron qartë në Bashkimin Europian. BE po mobilizon një paketë të konsiderueshme financiare, duke konfirmuar solidaritetin e fortë. Së bashku do ta tejkalojmë këtë krizë dhe do të shërohemi. Dhe përtej kësaj, ne do të vazhdojmë të mbështesim rajonin, përfshirë reformat e nevojshme në rrugën e tyre në BE, pasi rimëkëmbja do të funksionojë në mënyrë efektive vetëm nëse vendet vazhdojnë t’i kryejnë angazhimet e tyre”.

Për më shumë, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha: “Bashkimi Europian veproi shpejt për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në adresimin e pandemisë me ndihmë të pashembullt financiare, si dhe qasje në shumë prej nismave të BE-së. Dhe puna jonë do të vazhdojë ndërsa përgatisim një Plan Ekonomik dhe Investimesh tjera për rajonin, për të trajtuar ndikimin e vështirë socio-ekonomik të krizës, modernizimin e ekonomive në rajon, mbështetjen e reformave dhe fillimin e mbylljes së hendekut të zhvillimit, duke sjellë kështu përfitime konkrete për njerëzit”. Paketa e ndihmës financiare e BE-së prej më shumë se 3,3 miliardë euro përfshin rialokime nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit prej 38 milion euro ndihmë të menjëhershme për sektorin e shëndetësisë, veçanërisht përmes ofrimit të furnizimeve thelbësore për të shpëtuar jetë, siç janë pajisjet personale mbrojtëse, maska dhe ventilatorë; 389 milion euro për të adresuar nevojat e rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike dhe një paketë të riaktivizimit ekonomik prej 455 milion euro, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare. Paketa gjithashtu përfshin një propozim për 750 milion euro ndihmë makro-financiare dhe një paketë të ndihmës prej 1.7 miliardë euro nga Banka Europiane e Investimeve. BE ka ofruar gjithashtu ndihmë të menjëhershme humanitare për refugjatët nga Lindja e Mesme në shumë prej 4,5 milion euro dhe 8 milion euro të tjera për të adresuar nevojat e ngutshme të migrantëve në të gjithë rajonin.

3.Në këtë drejtim të rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale të rajonit, qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Unionit (UCPM) dhe tashmë kanë filluar të marrin ndihmë përmes dërgimit të pajisjeve dhe riatdhesimit të qytetarëve nga shtetet anëtare të UCPM-së dhe shtetet pjesëmarrëse. Sipas një raporti të ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriore, janë riatdhesuar deri më tani 3870 shtetas të MV-së, po të njëtën e kanë bërë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimorë.

Për më tepër, plani ambicioz i BE-së vazhdon për periudhën 2021-2027. Komisioni ka propozuar një paketë të përgjithëshme para-aderimit një shumë prej 14.5 miliardë euro. Pra, pa ndihmën e BE-së, Ballkani Perëndimor do të ishte i vetmuar dhe larg synimeve euroatlantike. Shtetet e Europës Perëndimore kanë shërbyer si liderë në krizën globale të shëndetësisë e cila për shtetet si Rusia dhe Kina po shërben si rast për të fituar ndikim dhe të shpërqëndrojnë rajonin me sulme hibride.

Aktualisht në vend të Sh.B.A-së është BE-ja e cila ka marrë drejtimin në Ballkan dhe me mbështetje konkrete ka treguar fuqinë ekonomike të saj. Ballkani është në drejtimin e duhur me partnerë ndërkombëtarë të sigurtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button