ANALIZA: Gjendja e borxhit të ekonomisë në RMV – Borxhi publik deri në 55%! (Infografik)

Buxheti i shtetit i boshatisur nga njëra anë, huamarrje të reja për të financuar funksionet e shtetit, nga ana tjetër. Është e qartë se vendi po hyn në një proces të huazimeve të reja, me të cilat duhet t’i mbulojë dhe t’i zbusë pasojat e krizës shëndetësore që tashmë është shndërruar në krizë ekonomike. Mesazhi i fundit nga FMN-ja është që autoritetet ta monitorojnë nga afër pozicionin e borxhit të ekonomisë.
Sipas analistëve, goditja më e fortë është në muajin aktual – prill, por situata nuk pritet të jetë dukshëm më e mirë as në maj – muaj në të cilin do të bëhen përpjekje për ta kthyer gradualisht pulsin e rrjedhave ekonomike. Portalb.mk i analizon të gjithë parametrat që lidhen me borxhet e shtetit dhe sa do të ndryshojnë ato me kreditë e reja.

Gjendja me borxhet e jashtme…

Huamarrje përmes Eurokambialit, kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore – është e qartë se kjo paketë, e cila do të kalojë 1 miliardë euro, do të ndryshojë gjendjen e borxhit të vendit. Nëpërmjet Eurokambialit, sipas vlerësimeve, do të kërkohen rreth 800 milionë euro, me FMN-në është rënë dakord për hua prej 176 milion euro dhe me Bankën Botërore për 140 milion euro – shuma këto që do të destinohen për mbështetje buxhetore.

Këto huamarrje Maqedonia do t’i presë si ekonomi me borxhe të “moderuara”, por a do të ndryshojë kjo gjendje? Sipas të dhënave më të fundit në dispozicion nga Banka Popullore, borxhi i jashtëm bruto në fund të vitit 2019 arriti në gati 8.2 miliardë euro ose 72.2%. Në krahasim me 2018 dhe 2017, si pjesë e PBB-së, ai është ulur për shkak të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto, por si sasi absolute, borxhi është rritur dhe është në një nivel më të lartë deri më tani.

Borxhi publik në nivel të 5.4 miliardë euro …

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, borxhi shtetëror, i cili përfshin borxhet e Qeverisë qendrore, fondet dhe komunat, në fund të vitit 2019 arriti në 4.55 miliardë euro ose 40.2% të PBB-së. Edhe në këtë parametër, shuma absolute e borxhit rritet çdo vit, por si përqindje e PBB-së ka një rënie të vogël.  Pjesa më e madhe e borxhit, ose gati 2.8 miliardë euro, shkon për financuesit e jashtëm, ndërsa 1.8 miliardë euro janë borxhet ndaj bankave, kompanive të sigurimeve, fondeve të pensioneve dhe të tjerëve që janë burim financimi në tregun e brendshëm – përmes bonove dhe obligacioneve.

Borxhi i përgjithshëm publik, i cili përfshin borxhet e garantuara dhe të pa garantuara të ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare të krijuara nga shteti ose komunat, si dhe Qyteti i Shkupit me komunat, arrin në 5.5 miliardë euro ose 48.9% të produktit të brendshëm bruto, me një prirje në rritje dhe si një shumë absolute dhe si përqindje e PBB-së.

Borxhi i qëndrueshëm – por nën rrezik …

Situata me borxhin e ekonomisë është e qëndrueshme, por nën ndikimin e rreziqeve – vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar në Raportin e botuar rishtazi.

“Sipas nivelit fillestar aktual, borxhi është i qëndrueshëm, por ekzistojnë rreziqe që mund ta rritin atë në mënyrë të konsiderueshme. Parashikohet që borxhi publik do të stabilizohet në 55% të PBB-së, në planin afatmesëm dhe do të mbetet nën pragun e rrezikut të lartë. Sidoqoftë, nevojat për financim për vitin 2020/2021 tejkalojnë pragjet me rrezik të lartë. Nevojat për financim do të jenë gjithashtu një burim i konsiderueshëm rreziku në rast të tronditjeve të mëtejshme, përfshirë pasiguritë e mundshme “, thuhet në raportin e FMN.

FMN-ja u bën thirrje autoriteteve të monitorojnë situatën.

“Autoritetet janë të përkushtuara për konsolidimin e financave publike në planin afatmesëm, i cili është i nevojshëm për ta vendosur borxhin në mënyrë të vendosur në një rrugë rënëse.  Autoritetet gjithashtu kanë shprehur angazhim të fortë për të ruajtur gatishmërinë monetare, të jashtme dhe financiare për të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme” – vlerëson FMN-ja.

Sipas parashikimeve të reja të Fondit Monetar Ndërkombëtar, këtë vit ekonomia do të jetë në minus me 4% dhe vitin e ardhshëm pritet të ketë rritje prej 7%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button