Në Maqedoninë e Veriut namazi i teravive falet në shtëpi për shkak të COVID-19

Falja e namazit të teravive kryhet në shtëpi në Maqedoninë e Veriut, në të cilën zbatohet ndalesa e daljes në rrugë për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) i cili ka prekur mbarë botën, raporton Anadolu Agency (AA).

Me ardhjen e muajit të Ramazanit në xhamitë e vendit është e pamundur falja e namazeve të teravive, pasi prej disa javësh në kuadër të masave kundër pandemisë në vend është ndaluar falja në mënyrë kolektive e namazeve nëpër xhami si dhe nuk mund të falen as namazet e xhumasë.

Familjet muslimane në kryeqytetin e vendit, Shkup, namazin e teravive e falin në shtëpi për shkak të ndalesës së daljes në rrugë që zbatohet në vend pas orës 19:00 sipas kohës lokale.

Gjatë faljes në përgjithësi imam bëhet anëtari më i moshuar i familjes ndërsa pjesëtarët e tjerë, përfshirë gratë dhe fëmijët formojnë radhët pas imamit.

– “Jemi privuar nga xhamitë për shkak të pandemisë”

Edhe hafizi Abdülbaki Baki, imam i xhamisë Arasta në Shkup i fal namazet e teravive në shtëpi bashkë me familjen e tij. Në namaz Baki bëhet imam ndërsa anëtarët e tjerë pas tij rreshtohen në saf.

Imami 74-vjeçar Baki në një deklaratë për AA tha se që në fëmijërinë e tij ka qenë i angazhuar me nxënës për mësimin e Kur’anit dhe në xhami të ndryshme ka kryer detyrat si muezin, orator dhe imam.

Baki tha se “Muajt e Ramazanit i kemi kaluar në mënyrë entuziaste me namazet e teravive dhe me këndimin e Kur’anit në mënyrën ‘mukabele‘. Ndërsa këtë vit për shkak të pandemisë për herë të parë jemi të privuar nga xhamitë dhe besimtarët e saj. Kjo na bën shumë të trishtuar. Ashtu sikurse edhe namazet e tjera gjatë ditës, sikurse të gjithë edhe ne namazin e teravive e falim familjarisht në shtëpi”.

“Urojmë që kjo fatkeqësi të eliminohet sa më parë”, tha Baki i cili shtoi se “Shpresojmë që të bashkohemi sërish me xhamitë dhe besimtarët tanë. I uroj muajin e bekuar të Ramazanit të gjithë botës islame”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button