Në Maqedoninë Veriore- siguri atlantike ndaj sulmeve hibride

Lufta hibride ka qenë një pjesë integrale e peizazhit historik që nga bota antike. Fuqitë e Mëdha përgjatë historisë janë përballur me kundërshtarë të cilët përdornin një kombinim të forcave të rregullta dhe të parregullta për të mohuar avantazhin e forcave ushtarake të Fuqive të Mëdha.

Në shekullin V (p.e.s.), Sparta dhe Athina ishin dy fuqitë kryesore dhe mbase ishte e pashmangshme që sferat e tyre të ndikimit të mbivendoseshin duke mos shkaktuar konflikt- një paralele që sot mund ta vendosim në mes Sh.B.A, Rusisë dhe BE-së në rajonin e Ballkanit.

Në historinë e Luftës së Peloponezit (431- 405 p.e.s.), gjatë një përplasje midis qytet-shteteve Athinë dhe Sparta, historiani dhe strategu nga Athina Tukidiki, rrëfeu një bisedë midis athinasve dhe drejtuesve të Melos, një mbretëri ishull që përpiqej të mbetej neutrale në konfliktin në mes Athinës dhe Spartës. Ndryshe në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare njihet si “Dialogu Melian” ku athinasit u dhanë një zgjedhje melianëve: “nënshtrohuni paqësisht ndaj sundimit tonë dhe na paguani haraç, ose ne do t’ju shkatërrojmë.” Athinasit thanë:”Bëhuni të vërtetë. Nuk ka të drejtë dhe të gabuar, vetëm të dobët dhe të fortë. Ne jemi më të fortë se ju, kështu që ne mund të bëjmë gjithçka që na pëlqen”.

Në rrethanat aktuale, para nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, atëherë e njohur si IRJM-Maqedonia Veriore, nuk dëshironte të mbetej neutrale në mes sferës ruse dhe asaj perëndimore. Në fund qeveria e re e zgjodhi NATO-n dhe BE dhe u përcaktua për aleancën më të fortë duke i zvogëluar rreziqet nga armiqtë e jashtëm. Kështu janë gjërat dhe gjithmonë do të funksionojnë në bazë të real-politikës së marrëdhënieve midis shteteve apo realizmit konstruktivist.

1.Lufta hibride në dekadën e fundit i referohet Rusisë së presidentit Vlladimir Putin. Kjo luftë përfshinë një sërë instrumentesh të ndërmarra shumica prej të cilave janë jo-ushtarake dhe janë në shërbim për të çuar më tej interesat kombëtare ruse nga Balltiku e deri në Ballkanin Perëndimor.
Aktualisht Rusia e viteve të Putinit, është forcuar në metodat se si duhet të përdoret lufta hibride për të përçarë dhe dobësuar NATO-n dhe anëtarët që janë të ekspozuar drejtpërsëdrejti nga sulmi rus qoftë ai kibernetik apo i dezinformimit që lidhet me lajmet e rreme. Interventimet hibride zakonisht funksionojnë në fushën e informacionit, ku ndikimi është i shpejtë dhe me efekte në jetën e njerzëve dhe në procesin e vendimarrjes politike.

Nga “beteja virtuale”, Federata Ruse lufën e përhapi në jetën politike dhe të përditshmërisë ashtu siç e pamë në vitin 2016 në Mal të Zi, në Bosnjë e cila vazhdon edhe më tej dhe në Maqedoninë Veriore gjatë vitit 2017. Fushata më e re dezinformative e Kremlinit me virusin “Corona”- “COVID”-19 ka marrë një formë të re që tregon për potencialin në vazhdim të qeverisë ruse dhe shërbimeve sekrete për tu përballuar me Perëndimin dhe rajonin e Ballkanit.

Beteja për të përmbysur qeveritë pro-perëndimore dhe arsyeja për aneksime të reja territoriale apo përzierjes në mjediset multitetnike, ndërhyrjet hibride mbeten dhe janë më të lehta dhe nuk kërkojnë aktivizimin e ushtrisë tradicionale për të pushtuar ndonjë territor.

2.Në vitin 1988 “Krimbi Morris” një nga viruset e para të njohura që prek infrastrukturën kritike në botë u përhap në kompjuterë kryesisht në Sh.B.A. Sipas ligjit ndërkombëtar, nëse shteti X hedh një raketë në një bazë ushtarake në shtetin Y, shteti Y ka të drejtë të mbrohet me forcë. Por çfarë në të vërtetë nëse shteti X përdor një sulm në internet apo i shfrytëzon mjetet hibride për të shkaktuar një shpërthim në një bazë ushtarake në shtetin Y? A mundet shteti Y të ushtrojë ende të drejtën e tij të natyrshme për vetëmbrojtje duke gjuajtur raketa në shtetin X? Apo çfarë nëse, në mes të një konflikti të armatosur, një sulm kibernetik nga shteti X shkatërron një spital apo objekt civil në shtetin Y? A ishte ky një objektiv jashtë kufijve sipas ligjit ndërkombëtar? Të dy përgjigjet janë po, duke kërkuar gjithnjë përgjigje në Konventat e Gjenevës, Hagës dhe Kartës së OKB-së. Po çfarë përgjigje do të kërkonin anëtarët e NATO-s nga sulmet hibride ruse jo vetëm në shtetet e BE-së por sidomos të Ballkanit?

3.Pas shqyrtimit të disa versioneve mbi luftën hibride klasike, le të fillojmë me nismat konkrete ruse ndaj demokracive fragjile dhe të reja. Në prill të vitit 2007, rrjetet e qeverisë estoneze u sulmuan nga ndërhyrës të huaj të panjohur, dhe kjo ndodhi menjëherë pas mosmarrëveshjeve me Rusinë për heqjen e një memoriali lufte që datonte nga koha e komunizmit rus. Shumë shërbime online dhe departamente të qeverisë u bllokuan nga ky sulm kibernetik rus.

Në Ballkanin Perëndimor kemi vetëm fushën e dezinformimit që është pjesë e luftës hibride, ku Rusia ka një avantazh ndaj BE-së dhe NATO-s. Për këtë qëllim ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison, në Uashington tha se Maqedonia Veriore, e cila iu bashkua aleancës këtë vit, do të marrë ndihmë të ngjashme si vendet e tjera anëtare në trajtimin e lajmeve të rreme nga Rusia.

Në Mal të Zi, në vitin 2019, ushtria amerikane dërgoi një ekip elitar kibernetik për të mbrojtur rrjetet dhe për të studiuar taktikat ruse. Vendosja e ekipeve në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi, e ilustron seriozitetin me të cilin Sh.B.A dhe NATO, e marrin kërcënimin e ndërhyrjeve hibride ruse në Ballkan. Kohë më parë ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska tha se do të jemi objektiv i sulmeve të ndryshme hibride, kibernetike dhe sulme të tjera që synojnë të kërcënojnë ofertën e Maqedonisë Veriore për t’u anëtarësuar në NATO.

4. Kërcënimet në internet për sigurinë e NATO-s dhe anëtarëve të rinj siç është Maqedonia Veriore po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. NATO dhe aleatët e saj mbështeten në mbrojtje kolektive. Në sistemin e ri të sulmeve hibride nga Rusia dhe aktorë tjerë malinj, NATO miratoi një politikë dhe plan veprimi të zgjeruar, të cilat zyrtarisht u miratuan në Samitin e Uellsit në shtator të vitit 2014.Tashmë siç shihet aleatët gjithashtu janë angazhuar për të rritur shkëmbimin e informacionit dhe ndihmën e ndërsjellë në parandalimin, zbutjen nga sulmet hibride.
Në Samitin e Varshavës në vitin 2016, aleatët riafirmuan mandatin mbrojtës të NATO-s dhe njohën hapësirën në internet si një fushë operacionesh në të cilat NATO duhet të mbrojë veten e saj në mënyrë efektive siç bën në ajër, në tokë dhe në det.

Në 18 tetor të vitit 2018, anëtarët e shërbimit amerikan, me mbrojtësit kibernetikë nga Maqedonia Veriore, kanë bashkëpunuar me autoritetet e MV, për të shkëmbyer praktikat më të mira në sigurinë kibernetike dhe për të ndërtuar aftësi mbrojtëse kibernetike.

“Komanda Kibernetike e Sh.B.A-së ”, ka bashkëpunuar ngushtë me partnerë nga Maqedonia Veriore në kryerjen e bashkëpunimit të sigurisë së mbrojtjes kibernetike për të rritur ndërveprimin dhe për të parandaluar ndikimin malinj në proceset demokratike.

“USEUCOM”- Komanda Europiane e Sh.B.A.-së punon për të planifikuar dhe zhvilluar aktivitete të bashkëpunimit të sigurisë me partnerët europianë, dhe kjo përpjekje mbrojtëse e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike në Maqedoninë Veriore paraqet hapin e fundit në një përpjekje të që ndrueshme për të mbështetur partnerët europianë dhe aleatët e NATO-s në të gjitha fushat.

Organiztata të ndryshme në Maqedoninë Veriore kanë theksuar se me anëtarësimin e vendit në NATO- janë shtuar kërcënimet hibride. Zbarkimi i fundit i ekipit të NATO-s në Shkup për të luftuar propagandën ruso-kineze, është një indikatorë se Ballkani dhe MV për NATO-n është i një rëndësie të veçantë, duke ndërtuar një rrjethojë virtuale dhe konkrete mbrojtëse jo vetëm nndaj sulmeve kibernetike, por edhe të lajmeve të rrejshme në kohën e pandemisë globale që ka për qëllim të nënvlërsojë demokracitë e reja dhe gjejë hapësirë për të nxitur tensione ndëretnike dhe fetare. Përderisa do të ekzistojë interneti, lufta hibride me lajme të rrejshme dhe kibernetike kundër infrastrukturës kritike shtëtërore, do të jetë sfida e re e Maqedonisë Veriore si anëtarja më e re e aleancës, në kohën e rizgjimit rus me metoda të reja ndaj shteteve të bllokut properëndimor.

Në këtë betejë BE, Sh.B.A. dhe anëtarët e NATO-s, duhet të veprojnë bashkë duke mos lënë vakum që mekanizmat e luftës hibride në Ballkan të neutralizojnë shoqëritë e ndara dhe shtetet e brishta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button