Kosovë, me 26 raste të reja, është rritur në 449 numri i të infektuarve me COVID-19
Autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë njoftuar 26 raste të reja të diagnostikuara me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e çuar në 449 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Kosovë, ndër të cilët 11 kanë humbur jetën deri më tani dhe 79 janë shëruar, transmeton Portalb.mk.
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), në 24 orët e fundit janë shënuar dy vdekje të cilat i ka raportuar gjatë ditës Klinika Infektive, ndërsa bëhet e ditur se 8 pacientë të rinj janë shëruar sot, duke çuar në 79 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Rastet e reja të diagnostikuara pozitive me koronavirus janë raste kontakti, nga komuna të ndryshme të Kosovës, nga të cilat Komuna e Suharekës prin me numrin më të madh të të diagnostikuarve me COVID-19.
IKSHPK po ashtu njofton se sot janë kryer 195 teste për COVID-19, ndërsa numri i përgjithshëm i testeve të kryera në vend deri më tani është 3.915.
Në IKSHPK përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, ku deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5.448 kontakte të rasteve.