Rihanna me donacion zemërgjerë për luftën kundër COVID-19
Edhe Rihanna i është shtuar listës së njerëzve të famshëm që po kontribuojnë në luftën kundër koronavirusit. Organizata bamirëse e këngëtares, Clara Lionel Foundation, ka dhuruar 5 milionë dollar në mbështetje të luftës kundër pandemisë, transmeton Class.
“Clara Lionel Foundation u vjen në ndihmë partnerve që punojnë në vijën e parë, veçanërisht atyre që u shërbejnë dhe mbrojnë komunitetet e margjinalizuara – duke ndihmuar dhe përgatitur për atë që pritet të vijë, ata që janë më vulnerabël në SHBA, Karaibe dhe Afrikë”, -thuhet në një deklaratë të përfaqësuesve të fondacionit, sipas People.
Nga donacioni i këngëtares pritet të përfitojnë Feeding America, Direct Relief, Partners in Health, International Rescue Committee dhe fondi i OBSH-së për COVID-19.
Rihanna dhe fondacioni i saj do të ndihmojnë edhe bankat lokale të ushqimeve, t’u shërbejnë komuniteteve të rrezikuara dhe të moshuarve në SHBA. Po ashtu, do të përshpejtojnë përpjekjet e testeve në vende si Haiti dhe Malawi, si dhe do të sigurojnë mjete mbrojtëse për mjekët dhe punonjësit e laboratorëve që po punojnë për gjetjen e vaksinës.
Jo më larg se muajin e kaluar, Rihanna u nderua për punën e saj filantropike me Clara Lionel Foundation (CFL).