Kosovë, 4 raste të reja me koronavirus, numri total shkon në 9

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, ka bërë të ditur se edhe katër pacientë janë diagnostikuar të dielën mbrëma me koronavirus, duke çuar numrin total të të prekurve në nëntë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vitia në një postim në rrjetet sociale tha se bëhet fjalë për tre persona nga Komuna e Malishevës, “që të tre persona kontakti me pacienten e diagnostikuar pozitive me COVID-19 më datë 14.03.2020”, ndërsa rasti i katërt është nga Komuna e Podujevës.

“Tani më në Kosovë kemi të konfirmuara nëntë raste pozitive me COVID-19”, njoftoi Vitia.

Ai tha se “bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”.

Tutje Vitia u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim në menaxhimin e situatës së krijuar “duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP)”.

Ndryshe, dje, një shtetase kosovare me qëndrim në Itali-Brescia, 37-vjeçare femër, e cila sipas ministrit lidhet me tre rastet e reja, ka ardhur në Kosovë nëpërmjet aeroportit “Adem Jashari” më 1 mars dhe po qëndronte në Komunën e Malishevës, u diagnostikua të shtunën me COVID-19.

Të premten u raportuan rastet e para në Klinë dhe Viti, ndërsa të shtunën në mbrëmje dolën edhe rastet e reja në Komunën e Malishevës. Të tri këto qytete tani janë në karantininë.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për të marrë masat e nevojshme për përballimin e pandemisë.

Sot Qeveria e Kosovës gjithashtu ka vendosur për “shtyrjen e të gjitha pagesave, duke përfshirë edhe kreditë deri më 30 prill”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button