Seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për raportet me SHBA-në

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë të mërkurën një seancë të jashtëzakonshme, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës në lidhje me, siç thuhet, rrezikimin e marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

Sipas kësaj partie, kjo situatë është pasojë e qasjes
“shpërfillëse e joserioze të kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në raport me këshillat e udhëzimet e përfaqësuesve të SHBA-së.

Kërkesa e PDK-së pasoi një postim të Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i bëri jehonë deklaratës së senatorit amerikan, David Perdue, në të cilën ai thoshte se “në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë”, transmeton REL.

Deklarata gjeti mbështetjen edhe të të dërguarit presidencial të SHBA-së, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit, Richard Grenell.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po insistojnë që Qeveria e Kosovës të shfuqizojë taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, për t’i dhënë rast përmbylljes së dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë me arritjen e një marrëveshjeje paqësore.

Kryeministri Kurti më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si “shenjë e vullnetit të mirë” dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Por, propozimi i Kurtit nuk gjeti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje as të partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button