Gjykata Kushtetuese do të vendosë për privilegjet e ish presidentëve

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme e shqyrtoi iniciativën e parashtruar lidhur me Ligjin për të drejtat e presidentit të Republikës së Maqedonisë dhe familjes së tij pas pushimit të funksionit. Iniciativa është parashtruar nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KShPK), i cili kërkon rishqyrtim parlamentar dhe gjyqësor-kushtetues të disa zgjidhjeve ligjore për privilegjet e ish presidentëve, shkruan Nova Tv, transmeton Portalb.mk.

Komisioni për antikorrupsion në shtator të vitit të kaluar nga Shërbimi për punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë kërkoi t’a ndërpresë marrëveshjen për qiramarrje të hapësirave të ish presidentit Gjorge Ivanov dhe t’i japë zyra në pronësi shtetërore. Sipas Komisionit, hapësirat e ish presidentit janë zgjedhur në procedurë jotransparente.

“Në shtet të vogël dhe të varfër si i joni shpenzohen shumë mjete për ish presidentët, kurse nuk ka as kufizime sa vite do t’u nevojiten për t’iu mbuluar shpenzimet pas përfundimit të mandatit të tyre, siç është në numrin më të madh të shteteve në rajon dhe më gjerë. Ata, madje nuk parashtrojnë as raporte çfarë aktivitete kanë pasur apo kanë, deklaroi atëherë kryetarja e KSHPK-së”, Biljana Ivanovska, duke theksuar që për dhjetë vite për shpenzimet e ish presidentëve janë harxhuar më shumë se një milion euro.

Sipas Ligjit për të drejtat e presidentit dhe familjes së tij pas pushimit të funksionit, ai ka të drejtë për pension shuma e të cilit është e barabartë me shumën e pagës që e pranon presidenti i shtetit, ka të drejtë për zyrë dhe më së shumti tre bashkëpunëtorë. Ka të drejtë edhe për sigurim personal si dhe të drejtë për shfrytëzim të veturës zyrtare dhe shofer.

Ligji parasheh edhe të merr pjesë në solemnitete dhe manifestime shtetërore sipas protokollit për presidentin e Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryetarit të Qeverisë dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Ligjit, paratë sigurohen nga Buxheti. Në rast të vdekjes së presidentit gjatë mandate, pensionin, të zvogëluar për 30 përqind e shfrytëzojnë partneri i tij martesor dhe fëmijët e tij të mitur deri në përfundim të shkollimit të rregullt, përkatësisht deri sa të mbushin 26 vite. Gjithashtu kanë të drejtë për kompensim mujor me para që është i barabartë me shumën e pagës që e pranon presidenti dhe këtë të drejtë, partneri i vet martesor e shfrytëzon në bazë permanente.

Nga presidentët e mëparshëm, Branko Cërvenkovski ka pension dhe cabinet të përjetshëm presidenti. Familja e presidentit të ndjerë Boris Trajkovski, bashkëshortja e tij Villma dhe fëmijët kanë të drejta tjera të parapara me Ligj.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski gjatë ardhjes në funksion paralajmëroi që pas largimit nga detyra do të heq dorë nga privilegjet që i takojnë me ligj – shfrytëzim të zyrave me bashkëpunëtorë dhe pension i përjetshëm presidenti.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, privilegjet e përjetshme një president mund t’i humb vetëm nëse ka qenë i shkarkuar me impiçment apo nëse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që gjatë kohës së mandatit presidenti ka pasur paaftësi për punë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button