Francë, një deputet shtrohet në spital nga koronavirusi

Anëtari konservator i Asamblesë Kombëtare të Francës u shtrua në spital të premten pas prekjes nga koronavirusi, si pasojë e përshkallëzimit të shpërthimit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Jean-Luc Reitzer aktualisht është në kujdesin intensiv në një spital në Mulhouse, një qytet afër kufirit zviceran dhe gjerman, i cili ka regjistruar disa raste të Covid-19. Zyra e tij konfirmoi të premten se tani ai është në “gjendje të qëndrueshme”, sipas portalit të lajmeve të BE-së, Politico.

Numri zyrtar i rasteve në Francë është rritur në 423, 23 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Numri i të vdekurve është shtatë, njëri prej të cilëve ishte 79-vjeçar, dhe 138 raste të regjistruara vetëm ditën e enjte.

Si rezultat i përhapjes së sëmundjes, Parlamenti Evropian njoftoi se do të kalonte nga vendi i tij i zakonshëm në Strasburg, në Francën lindore, në Bruksel të Belgjikës, për seancën e tij plenare javën e ardhshme.

Në një deklaratë, Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, tha se rreziku i shëndetit do të ishte “ndjeshëm më i lartë” nëse seanca do të mbahej në Strasburg, duke përmendur një raport të përditësuar nga shërbimi mjekësor i Parlamentit Evropian mbi zhvillimin e sëmundjes.

“Seanca plenare e jashtëzakonshme do të mbahet në Bruksel”, shtoi Sassoli.

Duke paralajmëruar për rrezikun e krijuar nga lloji i ri i virusit, Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se epidemia në vend është “e pashmangshme”.

Franca ka njoftuar se do të hyjë në fazën e tretë dhe të fundit të një shkalle emergjente të përgatitjes dhe luftimit të virusit.

Rreth 150 shkolla mbeten të mbyllura në Francë, të përqendruara në rajonin Oise dhe Morbihan në veri. Deri më tani, virusi ka marrë 3.381 jetë njerëzish dhe është përhapur në 97993 njerëz në 87 vende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button